Sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mesfushori Nedim Bajrami janë shprehur optimistë para ndeshjes së parë të Ligës së Kombeve kundër Islandës. Shqipëria ndeshjen e parë të grupit të dytë të Ligës B e luan më 6 qershor në Reykjavik. Cikalleshi e Bajrami në konferencën për media kanë thënë të hënën se forca e Shqipërisë është grupi dhe harmonia. Shqipëria është grumbulluar për ndeshjet e muajit qershor që prej 26 majit. Shqipëria është dashur që më 2 qershor ta luajë ndeshjen e parë kundër Rusisë. Por Rusia është përjashtuar nga UEFA për shkak të luftës me Ukrainën. Cikalleshi e vlerëson me fat që Rusia nuk është pjesë e grupit. Shqipëria në grupin e dytë është së bashku me Islandën dhe Izraelin.
“Është një grup ku ne do të tentojmë më të mirën, por duhet të kemi parasysh që kemi dy ekipe, që nuk janë me shumë diferencë nga ne. Kemi një fat të vogël që Rusia nuk do të jetë pjesë e grupit dhe do të doja që të përqendrohemi te ndeshja e parë sepse fillimi i mbarë është gjysma e punës. Islanda ka një grup fizikisht shumë të fortë dhe do jetë një duel fizik në Islandë, ku nëse do tentojmë vendin e parë, duhet të dalim me rezultat pozitiv. Por, besoj se jemi gati. Pothuajse edhe në ndeshjet e fundit miqësore treguam që kemi ecur përpara, por na mungon edhe pak. Ajo pak çka mund të jetë ndonjë gabim apo përqendrim në ndonjë moment të caktuar. Duke i korrigjuar këto, besoj se do kemi mundësi t’i bëjmë tifozët tanë krenarë”, ka thënë Cikalleshi që me Konyasporin mbylli stinorin në Turqi me dhjetë gola e dy asistime.
Ai ka thënë se për të arritur synimet, Shqipërisë i duhet të vazhdoj të luaj si grup.
“Duhet të bëjmë më të mirën si grup i tërë, pasi nëse kthehemi edhe në histori, vetëm kështu kemi mundur të bëjmë diferencën. Kemi një mbrojtje të mirë, po ashtu edhe mesfushorët kanë minuta në këmbë dhe kanë luajtur. Siç e thatë edhe ju, sulmuesit, edhe unë, kemi arritur të shënojmë. Por, grupi na bën më të fortë dhe nëse sulmuesit arrijnë të shënojnë do të ishte më e mira, por që nga ndeshja e parë, do të doja që të mbizotëronte grupi dhe harmonia në grup. Kjo do na çojë përpara”, është shprehur Cikalleshi.
Ai ka theksuar se Islanda dhe Izraeli dallojnë nga njëra-tjetra për nga mënyra e lojës.
“Islanda është më fizike, kemi pasur ndeshje me ta kohët e fundit. E kemi humbur një dhe kemi fituar këtu. Është një ekip që të vërë përpara fizikisht. Do të jetë një duel fizik. Izraeli është më teknik si ekip, përqendrohet te loja dhe mbajtja e topit. Janë kundërshtarë të ndryshëm, por ne kemi treguar që i kemi mundësitë. Kanë disa mungesa, por kjo nuk duhet të na bëjë më pak të përqendruar, sepse janë ekip i mirë. Por, ndeshja e parë është më e rëndësishme dhe nëse arrijmë të marrim një rezultat pozitiv, do të tentojmë edhe vendin e parë. Besoj se Islanda është kundërshtar direkt për ne, pa nënvlerësuar edhe Izraelin. Ndeshja e parë thelbësore për ne”, ka deklaruar Cikalleshi.
Edhe mesfushori i Empolit, Nedim Bajrami, shpreson në fillim të mbarë.
“Ndihem shumë mirë me skuadrën. Jemi një skuadër miks, me lojtarë me eksperiencë dhe të rinj. Nuk shihet mosha, jemi të gjithë bashkë dhe kjo është shumë mirë për ne. Çdo lojtar do të luajë, pastaj e vendos trajneri. Jemi një skuadër që jemi të gjithë bashkë. Qëllimi është ta nisim Ligën e Kombeve mirë, me rezultat pozitiv. Të stërvitemi mirë dhe të japim gjithmonë maksimumin. E dimë që kemi skuadër të fortë, por nuk është e lehtë ta arrish objektivin, edhe pse mungon në grupin tonë Rusia, që konsiderohet ekip shumë i forte”, ka thënë Bajrami.
Shqipëria më 24 shtator luan në udhëtim kundër Izraelit, ndërsa e pret Islandën në Tiranë më 27 shtator.