Sokol Çikalleshi dhe Odise Roshi e kanë vlerësuar lart përfaqësuesen e Anglisë, por kanë theksuar se nuk ia kanë frikën. Të dy futbollistët, në konferencën për media të mbajtur të mërkurën, kanë insistuar se vetëm të bashkuar mund të arrijnë të nxjerrin rezultat pozitiv në stadiumin “Wembley” në Londër. Ndaj anglezëve, Shqipëria luan të premten prej orës 20:45. Tri ditë më vonë, Shqipëria e pret Andorrën në stadiumin “Air Albania” në Tiranë në kuadër të Grupit I. Dy ndeshjet janë të fundit në kuadër të ciklit kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”.
Sulmuesi Cikalleshi ka thënë se ndihet në formë shumë të mirë dhe shpreson se do ta ndihmojë ekipin në fushë.
“Ndihem mirë, jam në formë. Kam shënuar në kampionat me ekipin. Nëse do të jem në fushën e lojës, uroj që forma e mirë që kam ta ndihmojë ekipin në një rezultat sa më pozitiv dhe të shikojmë në fushë, nëse do të arrijmë të bëjmë atë çka ne mund të bëjmë të gjithë si grup duke luftuar dhe duke qenë të gjithë bashkë, edhe pse është ndeshje shumë e vështirë, por edhe e bukur për t’u luajtur. Jemi gati”, ka thënë Cikalleshi.
Sulmuesi i skuadrës turke Konyaspor, Çikalleshi ka theksuar se Shqipëria ka ditur t’i befasojë edhe disa përfaqësuese të mëdha evropiane dhe mund të bëjë befasinë edhe kundër Anglisë.
“Nëse nuk do të jepte rezultat goli në ‘Wembley’, nuk besoj se do të ndryshonte shumë në aspektin personal timin. Duhet të dimë që nëse do të jemi të gjithë bashkë dhe të nxjerrim më të mirën tonë, atëherë mund të kemi ndonjë shans. Duhet të jemi realistë, diferenca e Anglisë është e nivelit botëror. Duke nxjerrë çka kemi ne dhe duke luftuar si në ndeshjen me Francën ku kemi barazuar, apo me Portugalinë, që ne kemi treguar se mund të arrijmë rezultat. Ka qenë shpirti i garës dhe harmonia e grupit që na ka bërë të arrijmë rezultatin. Dhe kjo është rruga e vetme besoj që ne mund të nxjerrim diçka në ndeshjen me Anglinë”, është shprehur Çikalleshi.
Çikalleshi ka shtuar se në kampin e Shqipërisë ende janë të mërzitur nga humbja kundër Polonisë në Tiranë muajin e shkuar. Me humbjen nga Polonia, janë shuar edhe gjasat për të arritur plejofin. Skuadra kuqezi është në vendin e tretë me 15 pikë.
“Fatkeqësisht, na shkuan gjërat keq me Poloninë dhe kjo na ka mbetur peng. Por ky është futbolli dhe ne do të ecim përpara. Patjetër që unë do të doja që në këto eliminatore të lëmë një nga këto ekipe përpara dhe uroj që duke lënë Hungarinë mbrapa, kemi bërë një hap pozitiv përpara. Patjetër që nëse do të linim edhe Poloninë, atëherë do të ishte diçka që nuk e kemi bërë më parë. Uroj që të arrijmë diçka në Angli, po ashtu edhe Polonia të bëjë një hap fals me Hungarinë”, është shprehur Çikalleshi.
Ndërkohë, Odise Roshi theksoi se Shqipëria është rritur shumë kohët e fundit dhe shtoi se ndaj Anglisë do të japin maksimumin.
“Të gjithë e dimë që me Anglinë është një ndeshje shumë e vështirë. Të gjithë e dinim kualitetin që Anglia ka shfaqur dhe ka. Kurse puna e trajnerit, se si do të luajë në fushë, atë po e bëjmë në stërvitje. Ende nuk e ka vendosur me çfarë taktike do të luajmë. Po shpresojmë të bëjë atë që ka bërë gjithmonë dhe kur të futemi të japim më të mirën dhe tani, nëse themi do të fitojmë, këtë kemi thënë gjithmonë. Do të shkojmë në Angli të luajmë dhe të japim maksimumin. Jemi mirë dhe jemi rritur shumë si ekip”, ka thënë Roshi.
Anglia është lidere e grupit dhe të paktën i duhen katër pikë në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për ta siguruar direkt pjesëmarrjen në Botërorin e vitit të ardhshëm. Vendin e dytë në Grupin I, e mbanë Polonia me 17 pikë të mbledhura.