Sport

Të premten mësohet kush përfaqëson Kosovën në finalen botërore të “Neymar Jr’s Five”

Turneu “Neymar Jr's Five” po mbahet për edicionin e dytë rresht në Kosovë. Të hënën në Prishtinë, është mbyllur faza kualifikuese e këtij turneu, me ndeshjet e zhvilluara në lagjen "Ulpiana".

Ky turne është përbërë prej fazës kualifikuese që ka nisur në Prishtinë (3 prill), për të vazhduar në Ferizaj (5 prill), Prizren (7 prill) për të përfunduar në Prishtinë. Faza kualifikuese e këtij turneu është mbajtur në formatin e grupeve (A, B, C, D), të cilat përbëheshin me nga katër ekipe. Pas përfundimit të kësaj faze, katër ekipet fituese të secilit qytet do të përballen në finalen e madhe. Finalja e madhe, do të mbahet të premten (14 prill) në Sheshin "Zahir Pajaziti" të Prishtinës prej orës 14:00 dhe do të përbëhet prej 16 ekipeve.

{gallery}

Fituesi i finales së madhe, do ta përfaqësojë Kosovën në finalen botërore të këtij turneu në Praia Grande të Brazilit, gjatë muajit korrik.

Ky është viti i dytë që ky turne organizohet në Prishtinë. Vitin e shkuar, Feniksi pati përfaqësuar Kosovën në Brazil, duke u kualifikuar në mesin e 32 ekipeve më të mira.

“Ky turne organizohet nga ylli i Barcelonës, Neymar në bashkëpunim me 'Red Bullin' kurse për vitin e dytë po mbahet në Kosovë. Ky turne zhvillohet në 50 shtete kurse në mesin e tyre është edhe Kosova, që në korrik do ta dërgojë ekipin e saj”, ka thënë Laurenta Rexhepi, organizatorja e këtij turneu.

Karakteristikë e këtij turneu është se ekipet luajnë me nga pesë lojtarë dhe loja zgjat dhjetë minuta. Sa herë që njëri ekip shënon gol, ekipi kundërshtar humb një lojtar dhe kjo e bën lojën të shpejtë, teknike, taktike dhe unike në mbarë botën.