Skuadra e Malishevës po kalon formën më të dobët në Superligë në shtatë xhirot e fundit. Ka pësuar pesë humbje dhe ka arritur dy barazime. Kriza u thellua edhe më shumë të dielën pas humbjes në shtëpi nga Gjilani, 1:0.
Rezultatet jo të mira e kanë zhvendosur Malishevën në vendin e parafundit (9) në elitën e futbollit kosovar me vetëm tetë pikë.
Nga 1 tetori, skuadra po drejtohet nga trajneri Sami Sermaxhaj, i cili e zëvendësoi të shkarkuarin Arsim Thaqin. Sermaxhaj nuk ka arritur ta këndellë ekipin deri më tani. Në katër ndeshje sa i kanë udhëhequr malishevasit, Sermaxhaj ka arritur vetëm një barazim dhe ka pësuar tri disfata.
Sermaxhaj ka thënë për KOHËN të hënën se e ka ditur që nuk do të jetë e lehtë.
Por, sipas tij, Malisheva e ka pasur orarin jo të mirë, ku në gjashtë duelet e fundit, katër i ka luajtur si mysafir.
“Marrëveshjen me Malishevën e kemi bërë shumë shpejt. I kam njohur shumicën e lojtarëve që janë aty. E kam ditur që nuk do të jetë aspak e lehtë. Por, mund të them që kemi pasur orar të ngjeshur. Prej gjashtë ndeshjeve, katër i kemi luajtur si mysafir. Pastaj, dy herë ka rastisur fati që të luajmë kundër Ballkanit, pastaj edhe ndaj Llapit në Podujevë ka qenë vështirë. Humbja e fundit ishte ndaj Gjilanit. Mendoj që për një nuancë kemi qenë më të mirë, kemi krijuar më shumë raste shënimi, pastaj kemi humbur edhe një penallti. Gjilani mori pikë të plota nga një rast dhe ishte lëshimi ynë”, u shpreh Sermaxhaj.
Pavarësisht rezultateve negative, Sermaxhaj pret që ekipi të reagojë në dy ndeshjet e radhës.
“Unë jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve. Atmosfera është e mirë në skuadër, lojtarët janë të fokusuar dhe po punojmë shumë. Tani do t’i kemi dy ndeshje që nuk do të jenë të lehta, por do të luajmë ndaj kundërshtarëve të nivelit të njëjtë. Do të luajmë sërish si mysafir, ndaj Ferizajt dhe Drenicës. Pres që në ndeshjet e radhës ekipi do të reagojë dhe do t’i arrijmë rezultatet pozitive”.
Një problem tjetër te Malisheva, sipas Sermaxhajt, është edhe fondi jo i mjaftueshëm i lojtarëve. Thotë se ka vetëm 18 lojtarë të gatshëm për lojë.
“Mund të them që grupi është i mangët. Ne kemi 18 lojtarë të gatshëm për lojë. Kemi edhe dy nga juniorët dhe dy të lënduar. Sigurisht kur të përfundojë stinori vjeshtor do të ulemi dhe do të bisedojmë për të reaguar aty ku kemi nevojë”, deklaroi Sermaxhaj.
Ai e pranon se lufta për mbetje në Superligë do të jetë shumë e vështirë.
“Ky kampionat mendoj që do të jetë më i luftuar, si për titull, dalje në Evropë e po ashtu edhe për mbetje në ligë. Nuk ka më skuadra që dorëzohen herët siç ka ndodhur në kampionatet e kaluara, andaj deri në fund do të luftohet”.
Drejtori i Malishevës, Kastriot Kafexholli, ka deklaruar se presin që ekipi të këndellet shumë shpejt. Te Malisheva presin që disa lojtarë të tregojnë vlerat në duelet e radhës.
“Të gjitha kërkesat e Arsim Thaqit presidenti ia ka plotësuar 100 për qind, falë edhe mbështetjes së Komunës dhe asamblistëve të Kuvendit Komunal. Por, gjërat nuk shkuan ashtu siç i kemi planifikuar dhe erdhi edhe te ndarja me trajnerin Thaqi. Tani kemi trajnerin e ri dhe situata është më ndryshe. Tani i presim rezultatet pozitive në ndeshjet e radhës. Presim nga disa lojtarë që t’i tregojnë vlerat e tyre, pasi kanë kapacitet më të madh. Ne besojmë shumë tek ekipi dhe shtabi teknik dhe na mbetet që të vazhdojmë të punojmë për ta ngritur Malishevën sa më lart”, tha Kafexholli.
“Sigurisht që kemi pritur më shumë në këtë kampionat në bazë të organizimit që kemi bërë. Po ashtu, mendoj që në disa ndeshje edhe fati nuk ka qenë me ne”.
Për Malishevën ky është sezoni i dytë në Superligë. Në edicionin e parë mezi arriti ta sigurojë mbijetesën. Mposhti Vushtrrinë në barazh.