Përfaqësuesja U17 e Kosovës në futboll e ka mbyllur fazën e parë kualifikuese për “Euro 2023” në pozitën e fundit në grup. Në ndeshjen e fundit, “Dardanët” e rinj barazuan 1:1 me Finlandën, të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshjet e grupit të tetë kualifikues, ku ishte edhe Kosova, u luajtën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Golin për Kosovën e shënoi Luan Lleshi nga penalltia në minutën e gjashtë. Futbollistët kosovarë kanë krijuar edhe disa raste të tjera, por nuk kanë arritur të shënojnë më.
Përfaqësuesja e Kosovës ishte afër fitores, por tre minuta para fundit të ndeshjes zëvendësuesi Aapo Bostrom barazoi rezultatin në 1:1.
Kosova ka humbur nga Italia me shifrat 5:2 dhe nga Greqia me rezultatin 5:0.
Me një pikë, Kosova ndalet në fazën e parë kualifikuese për Evropianin e vitit tjetër.
Përzgjedhësi i Kosovës U17, Arsim Abazi, e pranon se ka pritur me shumë në këto kualifikime. Sipas tij, grupi i vështirë dhe mungesa e përvojës kanë ndikuar që të përfundojnë në vendin e fundit në grup.
Abazi ka pritur më shumë në ndeshjen ndaj Greqisë, kurse për duelin me Italinë thotë se nuk kanë mundur të bëjnë më tepër.
“Ndoshta ndaj Greqisë kemi mundur të paraqitemi më mirë. Rezultati nuk ka qenë real në bazë të rasteve që kemi pasur. Kemi mundur ta kalojmë më mirë në atë ndeshje. Sa i përket Italisë, ishte një skuadër shumë e fortë dhe nuk kemi mundur të bëjmë më shumë. Por të them të drejtën kam pritur më shumë nga ekipi, edhe pse grupi ka qenë shumë i fortë. Mungesa e përvojës në arenën ndërkombëtare ka ndikuar te lojtarët tanë, sidomos në dy ndeshjet e para”, tha Abazi për KOHËN.
Ai mendon se duelin e fundit kundër Finlandës është dashur ta fitojnë në bazë të lojës dhe rasteve të shumta.
“Në ndeshjen e sotme kundër Finlandës, edhe pse e pësuam golin e barazimit në fund, mund të them se djemtë kanë luajtur mirë dhe janë angazhuar maksimalisht. Ndoshta edhe e kemi merituar ta fitojmë ndeshjen, por futbolli është i tillë, kur nuk shënon atëherë pëson”, deklaroi Abazi.
Sipas tij, shumë lojtarë që luajnë jashtë Kosovës nuk kanë mundur të grumbullohen. Abazi tregoi edhe për ndërrimin e gjeneratës për kualifikimet e radhës.
“Ne kemi lojtarë jashtë Kosovës dhe nuk po mundemi t’i grumbullojmë sa herë që po duam dhe kjo po ndikon shumë. Ndërrimi i gjeneratës normal që ka ndikuar. Por edhe kjo gjeneratë që kishim do të ndërrohet. Kjo ishte gjenerata e lojtarëve të lindur në vitin 2006, kurse nga nesër fillojmë me futbollistët e lindur në vitin 2007. Do të përgatitemi për kualifikimet e radhës”, u shpreh Abazi.
Italia e mbylli këtë turne kualifikues në pozitën e parë me nëntë pikë. Finlanda u rendit e dyta me katër pikë. Greqia mbeti e treta me tri pikë. Italia e Finlanda avancojnë në rundin elit, kurse gjasa ka edhe Greqia.
Kjo ishte hera e tretë që Kosova U17 eliminohet në fazën e parë kualifikuese. Ndërkaq në dy raste e ka kaluar fazën e parë për tu eliminuar në rundin e dytë që njihet si rundi elit.