Sport

Te Kosova presin mbështetje masive për ta mposhtur Irlandën

Te përfaqësuesja e Kosovës në basketboll kanë në mendje vetëm fitoren ndaj Irlandës. Por për të fituar në hapje të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027, basketbollistët e Kosovës kanë thënë se u duhet mbështetje masive.

Ndeshja e para e raundit të parë të parakualifikimeve në mes të Kosovës dhe Irlandës luhet të enjten prej orës 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, ka thënë se përkrahja e shikuesve në tribuna do të jetë motiv shtesë për basketbollistët në parket. Ai ka theksuar se me paratë e mbledhura do të ndihmohen edhe fëmijët e SOS Fshatrave.

“I bëj thirrje gjithë tifozëve, ‘Dardanëve’, për përkrahje, pasi ndeshja ndaj Irlandës është e vetmja për këtë vit në shtëpi. Është shumë me rëndësi për ne dhe për të na mbështetur neve. Gjysma e çmimit të biletës do të shkojë për SOS Fshatrat. Blije biletën dhe hajde na përkrah, mbusheni sallën dhe në fund të fitojmë”, ka thënë Berisha të martën.

Thirrje për përkrahje ka bërë edhe Jon Ismajli, ndërsa Musab Mala ka theksuar se janë duke u përgatitur maksimalisht për ndeshjen kundër irlandezëve.

“Ndeshja kundër Irlandës është shumë e rëndësishme për ne. Jemi duke punuar mjaft mirë gjatë grumbullimit dhe shpresojmë që të dalim me epilog pozitiv ndaj Irlandës”, ka theksuar Mala.

Edhe Dardan Kapiti thotë se ndeshja ndaj Irlandës është e veçantë dhe emocionuese.

“Kjo ndeshje është shumë e veçantë për neve sepse gjysma e parave të mbledhura nga biletat do të shkojnë për fëmijët e SOS Fshatrave”, thotë Kapiti.

Kosova është në Grupin A së bashku me Zvicrën, Irlandën dhe Azerbajxhanin. Vendi i parë në grup siguron avancimin në rundin e dytë, ndërsa tutje kalon edhe përfaqësuesja e vendit të dytë me bilancin më të mirë prej tri grupeve sa janë gjithsej.

Për ndeshjet e këtij muaji, Kosova i nisi përgatitjet të dielën, një ditë pasi Trepça e Prishtina e luajtën finalen e Kupës.

Baza e përfaqësueses përbëhet nga lojtarë të klubeve të vendit. Federata e Basketbollit e Kosovës të hënën njoftoi se do të ketë shumë mungesa për ndeshjen ndaj Irlandës. Kosovës do t’i mungojnë Dominic Artis, Erjon Kastrati, Jan Palokaj, derisa në dyshim mbetet Lis Shoshi.

Të dielën është ndeshja e dytë e Kosovës, ndaj Azerbajxhanit në Baku. Dy ndeshje janë në nëntor e dy të fundit në shkurt të vitit të ardhshëm.