Sport

Te Kosova ka optimizëm para duelit me Greqinë

Milot Rashica ishte lojtari i vetëm i përbërjes bazë të Kosovës që ishte i pranishëm në stërvitjen e “Dardanëve”, të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Rashica ishte në mesin e 13 lojtarëve që nuk u aktivizuan në duelin ndaj Gjeorgjisë, e që u stërvitën nën urdhrat e përzgjedhësit Bernard Challandes. Ata që luajtën të enjten kishin vetëm rigjenerim të premten. Kosova të enjten mbrëma në ndeshjen kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” triumfoi ndaj Gjeorgjisë në Batumi me rezultatin 1:0. Për Kosovën kjo ishte fitorja e parë në një cikël eliminator për Kampionatin Botëror. Me këtë triumf, Kosova zë vendin e tretë në Grupin B të kualifikimeve për Botërorin e ardhshëm.

Rashica, njëri prej bartësve, i mungoi Kosovës në duelin ndaj Gjeorgjisë. Në fakt, ai nuk kishte udhëtuar fare me ekipin për të evituar karantinimin kur të kthehet te Norwich City, për shkak se Gjeorgjia është në “listën e kuqe” të Britanisë për situatën me koronavirus.

Megjithatë, Rashica, që ndaj Gjeorgjisë u zëvendësua nga Lirim Kastrati, pritet të kthehet titulluar në përbërjen e Kosovës për dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese, atë me Greqinë që luhet të dielën dhe me Spanjën (8 shtator). Të dyja këto ndeshje Kosova i luan në Prishtinë.

Stërvitja e së premtes ishte plot optimizëm dhe atmosfera brenda ekipit ishte e mirë, përkundër që grupi ishte i vogël. Si duelin me Greqinë ashtu edhe atë me Spanjën, Rashica i ka vlerësuar të vështirë. Mirëpo, ai ka pranuar se fokusi tani për tani është te përballja që luhet të dielën mbrëma. Sipas tij, fitorja në Batumi ka rritur edhe më shumë optimizmin te Kosova që do të futet për fitore.

“Normal, dëshira ime ka qenë të jem pjesë e skuadrës ndaj Gjeorgjisë për t'i ndihmuar bashkëlojtarët, por ata e kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë dhe besoj që me këtë fitore është rikthyer edhe motivimi. Shpresoj që të luajmë edhe më mirë në ndeshjen tjetër që e kemi me Greqinë, që po ashtu është e rëndësishme. Pres që edhe në ndeshjet e tjera të mos dorëzohemi, sikurse që nuk u dorëzuam ndaj Gjeorgjisë. Duhet të angazhohemi maksimalisht për të pasur sukses”, është shprehur Rashica. “Fitorja ka ardhur në momentin e duhur, pasi kishim disa rezultate të këqija më herët dhe motivimi është më i madh për ndeshjet e tjera, kështu që shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm. I kemi dy ndeshje të vështira, por ne duhet të përdorim motivimin e duelit me Gjeorgjinë dhe në të dyja ndeshjet të futemi për fitore. Dëshira ime e madhe do të ishte që stadiumi të ishte i mbushur me tifozët tanë, por edhe ata që do të jenë të pranishëm besoj se do të na motivojnë edhe më shumë për këtë ndeshje”, është shprehur Rashica.

Të premten edhe nisën përgatitjet për ndeshjen me Greqinë, që nis në orën 20:45. Në këtë përballje do të rikthehen tifozët në tribuna pas një periudhe të gjatë. Mirëpo, numri i tyre do të jetë fare i limituar, pasi do të lejohet që të mbushet vetëm 10 për qind e stadiumit.

Në stërvitjen e së premtes, përzgjedhësi Challandes u fokusua në disa segmente të lojës. Të shtunën zvicerani do ta ketë në dispozicion të gjithë ekipin.

Optimist sikurse Rashica para ndeshjes me Greqinë është shprehur edhe mbrojtësi Betim Fazliji. Edhe Fazliji ka thënë se fitorja me Gjeorgjinë ka ardhur në momentin e duhur për “Dardanët”, që ndaj Greqisë do të futen maksimalisht të motivuar. Madje, ai ka thënë se Kosova nuk do t’i kërkojë pikët e plota vetëm në këtë duel, por edhe në atë ndaj Spanjës.

“Besoj që fitorja kundër Gjeorgjisë ka ardhur në momentin e duhur dhe na ka dhënë shumë motivim të gjithë ekipit. E kemi parë që nëse luftojmë i gjithë ekipi së bashku mund të arrijmë një rezultat të mirë dhe këtë e kemi bërë në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë. Do ta japim maksimumin që ta fitojmë ndeshjen kundër Greqisë dhe atë kundër Spanjës. Besoj që ndeshja ndaj Gjeorgjisë na ka dhënë shumë motivim dhe do të hyjmë me besim të madh në ndeshjen ndaj Greqisë. Mund të them se pjesa më e bukur e këtij grumbullimi ishte fitorja e parë në kualifikimet për Botëror dhe shpresoj që do të vijnë edhe më shumë fitore deri në fund të këtij cikli”, shtoi Fazliji.

Aktualisht grupit i prin Suedia me nëntë pikë të mbledhura, dy më shumë se Spanja që është e dyta dhe ka një ndeshje më shumë të luajtur. Greqia ka dy pikë nga dy ndeshje, ndërsa e fundit në grup mbetet Gjeorgjia me vetëm një pikë.