Sport

Te Jordania vlerësojnë ndeshjen me Kosovën

Përfaqësuesja e Jordanisë të martën në mesditë e ka mbajtur stërvitjen e fundit në stadiumin “Fadil Vokrri”, para ndeshjes miqësore me Kosovën.

Për Jordaninë kjo ishte stërvitja e katërt në Kosovë dhe atmosfera në ekip dukej e mirë. Përfaqësuesja nga Azia gjatë qëndrimit në Kosovë, fillimisht stërvitjet i ka bërë në Hajvali, përpara se të zhvendosej në stadiumin “Fadil Vokrri”, në të cilin punoi edhe të hënën pasdite.

Megjithatë, sikurse gjatë ditëve të tjera, edhe të martën te Jordania kanë zgjedhur heshtjen para duelit me “Dardanët”, duke mos preferuar të flasin dhe të mos mbajnë fare konferencë për shtyp.

Në stërvitjen e fundit para ndeshjes me Kosovën, mediat nuk u lejuan më shumë se pesë minuta për të parë nga afër stërvitjen e Jordanisë në stadium. Miqësorja mes Kosovës dhe Jordanisë do të zhvillohet të mërkurën prej orës 18:00 në “Fadil Vokrri”.

Irakiani Adnan Hamad është përzgjedhës i Jordanisë dhe ai të martën me vëmendje përcillte stërvitjen e lojtarëve të tij, të cilët kryesisht janë të ligës vendore. Hamad pas stërvitjes së fundit për duelin miqësor me Kosovën ka folur për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Jordanisë. Ka thënë se kjo miqësore është e rëndësishme për ekipin e tij, pasi është në kuadër të përgatitjeve për Kupën Arabe që mbahet muajin tjetër.

“Miqësorja me Kosovën është një mundësi për të përcaktuar gatishmërinë e lojtarëve para Kupës Arabe, që mbahet në Doha dhe na shërben shumë që të përgatitemi sa më mirë”, është shprehur Hamad. “Ekipi po përparon dhe është në rritje në krahasim me rezultatet që ka arritur në periudhën e fundit, gjë që konfirmon rëndësinë e takimit me Kosovën e më pas edhe me Bjellorusinë. Këto takime janë për të kontrolluar gatishmërinë dhe nivelin e ekipit, në mënyrë që të kemi paraqitje sa më të mira muajin tjetër në Doha”.

Dueli në Prishtinë me Kosovën është i 13-i miqësor i Jordanisë këtë vit, që është 23 vende me lart se Kosova në ranglistën e FIFA-s. Jordania është në seri prej tri fitoreve rresht. Ndërkohë, Kosova në këtë takim futet pas tri humbjeve rresht në kualifikimet për botërorin “Katari 2022”. Në shtator, Kosova u mposht nga Spanja (2:0), përpara se të pësojë nga Spanja (3:0) e Gjeorgjia (2:1) muajin e shkuar.

Për “Dardanët”, kjo është miqësorja e gjashtë këtë vit, ku ka regjistruar katër fitore dhe një humbje.

Pas Kosovës, Jordania do të përballet edhe me Bjellorusinë, miqësore kjo që do të zhvillohet më 16 nëntor. Jordania nuk është kualifikuar asnjëherë në Kampionatin Botëror, ndërsa në Kupën e Azisë ka katër paraqitje, ku në dy raste ka pasur rezultate më të mira. Në vitin 2004 dhe 2011 ka arritur deri në çerekfinale. Ka pasur suksese në gara të ndryshme arabe.

Për ndeshjen me Kosovën, përzgjedhësi i Jordanisë ka përfshirë në listë 28 futbollistë, por që nuk ka ndonjë emër të njohur në nivel ndërkombëtar të futbollit.