Sport

Te Jakova deklarohen pas humbjes 32:0: do të luftojmë për titull të kampionit

Tek EP Com Hajvalia me mburrje kanë shkruar për fitoren 32:0 ndaj KFF Jakova, në kuadër të Superligës së Kosovës në futboll (vajzat). Hajvalia është kampione në fuqi, ndërsa skuadrën gjakovare e mposhti me rezultatin e rrallë të shtunën në kuadër të xhiros së katërt të Superligës.

Jakova që nga fillimi i kampionatit ishte skuadër inferiore. U mposht 19:0 në xhiron e parë nga Dukagjini. Në xhiron e dytë humbi 10:1 nga Llapi. Më pas humbi 25:0 nga Mitrovica e tani edhe 32:0 nga Hajvalia.

Ndërsa te Hajvalia po mburren me fitoren shumë të lartë, te Jakova janë shumë të prekur për rezultatin. Trajneri Naim Kameri ka treguar se si erdhi te humbja me rezultat të pazakontë. Ai thekson se Jakova u ka dhënë lojtare Hajvalisë, Mitrovicës, Dukagjinit e Feronikelit.

“Hajvalisë pa asnjë kompensim ia kemi dhënë sulmuesen më të mirë. Portieren e Kosovës ia kemi dhënë Mitrovicës. Kemi dhënë lojtare edhe për Dukagjinin e Feronikelin. Sikur kjo të mos mjaftonte, të shtunën nuk i kishim edhe tri lojtare që ishin në vendin e punës. Pra kemi udhëtuar për të luajtur me Hajvalinë me lojtare të reja 16 e 17 vjeçare”, ka treguar Kryeziu të dielën për KOHËN. Ai kishte kërkuar nga drejtuesit e Hajvalisë që t’i kursejnë njomaket e Jakovës.

“Ua kam treguar situatën drejtuesve të Hajvalisë. I kam lutur që të në kursejnë, mos të na shënojnë shumë gola. Më kanë thënë që do të kanë mirëkuptim, por kjo nuk ndodhi në lojë. Për më tepër, lojtaret e Hajvalisë i kanë fyer lojtaret e reja të skuadrës sonë gjatë tërë kohës. Lojtaret tona kanë qarë gjatë tërë kohës”, ka shtuar trajneri i skuadrës gjakovare.

Ai thotë se tashmë i është revanshuar Hajvalisë.

“Sot kemi luajtur me Hajvalinë në kuadër të Ligës U17. Pra ne kemi luajtur me lojtare të njëjta. Dhe kemi fituar 15:0. Lojtaret kanë qarë pas çdo goli që e kemi shënuar”, ka shtuar Naim Kameri.

Ai ngul këmbë që rezultatet e skuadrës do të përmirësohen. Dhe se humbjet e thella nuk do të ndodhin gjatë.

“Gjithsesi do të reagojmë. Do të marrim pesë lojtare të huaja. Kjo është e kryer. Jakova do të jetë rivale e Hajvalisë dhe Mitrovicës në garën për titull të kampionit. Nëse dikush do ta mposhtë Hajvalinë, atëherë ne do të jemi ajo skuadër”, ka shtuar Kameri, trajner i Jakovës.

Këtë edicion kampionati i futbollisteve është ndarë në dy liga, në Superligë dhe në Ligën e Parë. Por prapë mungesa e konkurrencës së denjë vlerësohet se po e godet kampionatin. Deri më tani Jakova është veçuar për rezultate negative.

Te EP Com Hajvalia nuk janë deklaruar shumë të interesuar për telashet e Hajvalisë.

“KFF EP Hajvalia – KFF Jakova 32:0. Jo, nuk e kemi shkruar gabim. Vajzat tona ishin në superformë dhe shënuan 32 gola ndaj skuadrës KFF Jakova nga Gjakova”, ka njoftuar skuadra kampione.

Kapitenja Qëndresa Krasniqi ka shënuar tetë gola në ndeshjen në Kizhnicë. Gjashtë gola i shënoi Flondra Behrami, pesë Albulena Guri, katër Verona Berisha e tri Anjeza Berisha. Gjashtë lojtare tjera shënuan nga një gol.