Sport

Te Gjilani e vlerësojnë Liepajan

Trajneri Zekirija Ramadani ka vlerësuar se skuadra e Liepajas është me përvojë të madhe, por e ka besimin e madh se lojtarët që ai drejton, do ta bëjnë më të mirën për të marrë rezultat pozitiv.

Ramadani do të jetë në krye të Gjilanit për sezonin e ri, ndërsa takimin ndaj letonezëve do të jetë debutues për të.

Gjilani të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të luajë kundër Liepajës së Letonisë, në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

“Do të jetë ndeshja ime e parë zyrtare me Gjilanin. Do të jetë ndeshje me shumë vlera dhe mendoj se kemi pasur kohën e duhur. Liepaja është ekip me eksperiencë, por ne kemi pikat tona të forta dhe nëse arrijmë ta imponojmë lojën tonë e jo të kundërshtarit, do të marrim rezultat pozitiv. Nëse nuk marrim rezultat të mirë, nuk do të thotë se përfundon, por uroj të fitojmë ne”, ka thënë fillimisht Ramadani, që në Kosovë ka fituar titullin me Trepçën ’89, Feronikelin e së fundmi me Prishtinën. “Ne luajmë për të kaluar tutje. Nëse ne dominojmë dhe nuk shënojmë, është e kotë. Duhet të marrim mësim nga Ballkani që shpërdoroi raste, ndërsa ne duhet 50% prej tyre t’i shënojmë. Nuk na intereson loja e mirë, por na intereson kalimi i raundit”, është shprehur tekniku shkupjan. Gjilani kundër Liepajas do të ketë mungesa në formacion, ndërsa Besar Musolli nuk doi të jetë titullar në ndeshje, ka theksuar trajneri Ramadani. “Unë mendoj që duhet të mundohemi të marrim maksimumin. Duhet të luajmë me mend. Ekipi duhet të jetë gati ta jap 100% në fushën e lojës. Objektivi është kalimi tutje. Edison Kqiku dhe Besar Musolli do të stërviten, por Musolli nuk do të jetë titullar. Agustin Torrasa dhe Mevlan Zeka do të mungojnë. Megjithatë, e kam një bindje se mungesat nuk do të vërehen”, tha Ramadani.

Ramadani vazhdoi tutje duke thënë se atmosfera është e mirë në ekip, dhe për këtë po përkujdesen futbollistët me eksperiencë. Ai përfundoi duke thënë se stërvitjet nisin dhe përfundojnë me buzëqeshje.