Sport

Të ftohtit dhe bora nuk ndalin Superligën, Feronikeli mund t’i japë tjetër goditje Gjilanit

Të hënën është planifikuar të zhvillohen dy ndeshjet e fundit të javës së 19-të të Superligës së Kosovës në futboll, të parës për stinorin pranveror.

Në Drenas, Feronikeli e pret Gjilanin, në ndeshjen që cilësohet edhe derbi i javës. Kurse në “Riza Lushta” në Mitrovicë, Trepça ’89 do të jetë nikoqire e Arbërisë. Temperaturat e ulëta dhe të reshurat e borës në dy ditët e fundit, nuk pritet të jenë pengesë që takimet të luhen në orarin e paraparë.

KOHA ka mësuar se Komisioni i Garave dhe klubet e Superligës kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë së dielës dhe janë marrë vesh që ndeshjet të zhvillohen të dielën nga ora 13:00. Klubet kanë marrë përsipër që të pastrojnë fushat ku do të zhvillohen ndeshjet.

Feronikeli, i motivuar pas kalimit në çerekfinale të Kupës së Kosovës, do ta presë në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas skuadrën e Gjilanit. Gjilanasit vijnë në këtë ndeshje pas eliminimit befasues në Kupë nga Istogu, që bënë gara në Ligën e Parë. Kjo do të jetë ndeshja e tretë mes këtyre ekipeve këtë sezon. Feronikeli e kishte mposhtur Gjilanin në Drenas 4:0, kurse në stadiumin e qytetit në Gjilan dueli kishte përfunduar baras, 0:0.

Mesfushori i Feronikelit, Besmir Bojku ka deklaruar për KOHËN se skuadra është e gatshme të ndeshet me Gjilanin. Sipas tij, Feronikeli do të hyjë për të shënuar fitore.

“Sigurisht, Feronikeli gjithmonë shkon për të marrë pikët e plota. Shpresojmë të vazhdojmë me rezultate të mira edhe në kampionat, pas kalimit në çerekfinale të Kupës së Kosovës”, tha Bojku të dielën.

Futbollisti nga Maqedonia e Veriut e sheh si të vështirë zhvillimin e ndeshjes në kushte jo të favorshme, pas të reshurave të borës.

“Sigurisht do të jenë pengesë temperaturat e ulëta dhe bora, pasi nuk mund të bësh futboll të bukur, por shpresoj të marrim pikët e plota”, tha Bojku.

Ndërkohë, zëdhënësi i Feronikelit, Erlind Krasniqi e ka konfirmuar se fusha është pastruar dhe do të jetë e gatshme për lojë.

Trajneri i Gjilanit, Bylbyl Sokoli, ka thënë për KOHËN se skuadra që ai drejton do të mundohet të paraqitet sa më mirë kundër Feronikelit. Sipas Sokolit, Gjilani në çdo ndeshje hyn për të fituar.

“Do të mundohemi që të prezantohemi sa ma mirë në ndeshjen kundër Feronikelit që do të zhvillohet të hënën. Ne çdo ndeshje synojmë fitoren dhe njëjtë do të jetë edhe kundër skuadrës nga Drenasi”, u shpreh Sokoli.

Ai shtoi se nëse organet e FFK-së kanë vendosur që ndeshja të luhet, pavarësisht kushteve jo të mira atmosferike, Gjilani do të paraqitet në fushë dhe do të japë më të mirën për të arkëtuar pikë të plota.

“Nëse organet kompetente të Federatës së Futbollit të Kosovës kanë vendosur që të zhvillohet loja, ne do të jemi në fushë, pavarësisht borës, ngricave dhe temperaturave të ulëta”, tha Sokoli.

Gjilani, që synim kishte Kupën e Kosovës, u eliminua nga Istogu të mërkurën e kaluar. Tani, gjilanasit fokusin e kanë vetëm në kampionat. Pas 18 ndeshjeve të luajtura, zë vendin e katërt me 29 pikë. Saktësisht ka 15 pikë më pak se vendi i parë që e mban Drita. Ndërkaq, ka 12 pikë më pak se Ballkani që renditet i dyti, pozitë që në fund dërgon në garat evropiane. Por, gjilanasit kanë një ndeshje më pak të luajtur.

Në ndeshjen tjetër, Trepça ’89 përballet me Arbërinë nga Dobraja. Ky takim do të zhvillohet në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë. Klubi mitrovicas ka njoftuar të dielën se fusha është pastrua nga bora dhe se gjithçka do të jetë gati për duelin e së hënës. Te 89-shi janë të motivuar pas kalimit në çerekfinale të Kupës. “Minatorët” eliminuan Ferizajn, 4:0. Ndërkohë, Arbëria është mposhtur në shtëpi nga Feronikeli 1:0. Ndeshjet si vendase Arbëria po i luan në Ferizaj në fushën me bari sintetik.

Ndeshjet e luajtura mes këtyre skuadrave në kuadër të këtij kampionati, kanë përfunduar me nga një fitore për secilën skuadër. Në Mitrovicë kishte fituar Arbëria 2:0, kurse në duelin e luajtur në Obiliq, 89-shi kishte fituar si mysafir i Arbërisë 2:1.

Trepça ’89 renditet në vendin e shtatë me 21 pikë, aq sa ka edhe Arbëria që është e gjashta. 

 

E shtunë

Drita – Llapi 1:0

(Fazliu 75’)

Prishtina – Drenica 3:1

(Shillova 13’, Abazi 61’, Muça 70’ - Silva 45’)

Besa – Ballkani 0:3

(Kuç 21’, Baftiu 43’, 44’)

 

E hënë (13:00)

 

Feronikeli – Gjilani

(Arbitra: D. Çaka, F. Berisha, E. Bicaj, V. Ibërdemaj)

 

Trepça ’89 – Arbëria

(Arbitra: M. Bejtullahu, E. Zeqiri, F. Sekiraqa, B. Ajeti)

 

1. Drita 19 44

2. Ballkani 19 41

3. Prishtina 19 35

4. Gjilani 18 29

5. Feronikeli 18 23

6. Arbëria 18 21

7. Trepça ’89 18 21

8. Llapi 19 20

9. Drenica 19 19

10. Besa 19 6