Sport

Te Drita vlerësojnë Malishevën, por synojnë fitoren e radhës

Drita e Malisheva janë skuadrat e vetme të Superligës që kanë ecuri aktuale prej tri fitoreve rresht. Drita fitoi ndaj Feronikelit 74 në kampionat, më pas e eliminoi Dardaninë në rrethin e parë të Kupës, kurse në fundjavën e kaluar e mposhti Gjilanin në derbin gjilanas. Këto fitore i ka arritur me trajnerin Zekirija Ramadani, që zëvendësoi Akis Vavalisin.

Ramadani ka thënë se Malisheva e trajnerit Qëndrim Kida meriton respektin maksimal për paraqitjet e fundit në kampionat e në Kupë.

Malisheva e ka mposhtur Llapin, më pas Kikën në Kupën e Kosovës, dhe Lirinë në kampionat.

Dy skuadrat në formë takohen në fundjavë.

Ndeshja Drita – Malisheva luhet të shtunën prej orës 13:00 në terrenin me bar sintetik në Gjilan dhe i takon xhiros së 18-të të elitës së futbollit kosovar. Është kjo xhiroja e fundit për këtë vit.

Drita është e dyta në tabelë me 31 pikë nga 16 ndeshje, kurse Malisheva ka 26 pikë në pozitën e katërt. Ka luajtur 17 ndeshje.

“Kemi përballë një skuadër që me aktivizimin e trajnerit të ri ka ndryshuar komplet fizionominë. Bëhet fjalë për një skuadër që vështirë pëson gol dhe një skuadër kompakte në ofensivë dhe në defansivë. Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, por duke i ditur kualitetet që kemi do t’i qasemi ndeshjes për fitore që nga minuta e parë duke treguar “luftë” sportive, shumë vrap dhe do të mundohemi të zbatojmë përgatitjen si deri më sot. Ta sfidojmë Malishevën në ato pikat e dobëta që i kemi parë dhe të mbrohemi në pikat e forta”, ka thënë Ramadani të premten në konferencën për shtyp.

Njësoj mendon edhe mbrojtësi Astrit Thaqi. Ai ka thënë se Drita dëshiron pikët e plota, por Malishevën e vlerëson kundërshtare shumë të vështirë.

Malisheva përballë Dritës do të ketë mungesa për shkak të lëndimeve e suspendimeve. Qendërmbrojtësi Agon Xhaka dhe portieri Flamur Gashi janë të suspenduar për shkak të kartonëve, ndërsa Esmin Liqina, Elom Nyavedji dhe Arbër Prekazi mungojnë shkaku i lëndimeve.

“Do të mundohemi të japim më të mirën dhe maksimumin në ndeshjen e fundit për këtë vit. Edhe pse përballë kemi një skuadër të fortë me shumë cilësi brenda grupit, unë kam besim te lojtarët e mi. Jemi të hendikepuar me shumë mungesa për këtë ndeshje, por besoj se do të kemi mundësinë të marrim rezultat pozitiv”, ka thënë për KOHËN trajneri i Malishevës, Qëndrim Kida. Nën drejtimin e tij skuadra malishevase e ka vetëm një disfatë.

Kida ishte ndihmëstrajner i Senad Alirifës në ndeshjen e parë, kur Drita fitoi me rezultatin 3:1. Ndeshja ishte zhvilluar në stadiumin e qytetit në Suharekë.

Futbollisti i krahut, Nyavedji e kishte shënuar golin e vetëm për Malishevën, ndërsa Dren Kryeziu me autogol, Besnik Krasniqi dhe Muharrem Jashari kishin shënuar për fitoren e skuadrës “bardhekaltër”.

Të shtunën në program janë edhe dy ndeshje të tjera.

Fushë Kosova e pret Feronikelin 74 në ndeshjen e skuadrave që luftojnë për mbijetesë, kurse Dukagjini në Klinë luan kundër Gjilanit.

Ballkani – Prishtina dhe Liria – Llapi janë ndeshjet e së dielës, me të cilët mbyllet xhiroja e fundit për këtë vit.

Ballkani përfundoi rrugëtimin në Ligën e Konferencës të enjten, ndërsa javën e ardhshme zhvillon ndeshjet e mbetura të xhiros së tretë dhe të 13-të. Luan në udhëtim te Drita dhe te Gjilani.

Por fillimisht skuadra kampione e ka derbin e madh me Prishtinën, të dielën në Suharekë. Prishtina është pa humbje në katër ndeshjet e fundit dhe synon ta befasojë Ballkanin në fushën e tij.

Superliga – XVIII

E shtunë (13:00)

Fushë Kosova – Feronikeli 74

Dukagjini – Gjilani

Drita – Malisheva

E diel (13:00)

Ballkani – Prishtina

Liria – Llapi


1. Ballkani 15 12 2 1 32:14 38

2. Drita 16 9 4 3 22:9 31

3. Llapi 17 9 4 4 27:16 31

4. Malisheva 17 8 2 7 25:21 26

5. Prishtina 17 5 10 2 20:17 25

6. Dukagjini 17 4 9 4 19:20 21

7. Feronikeli 74 17 5 3 9 17:28 18

8. Gjilani 16 5 2 9 13:17 17

9. Fushë Kosova 17 2 4 11 12:28 10

10. Liria 17 1 6 10 13:30 9