Sport

Te Drita të bindur që do të kalojnë tutje në Ligë të Konferencës

Me bindje të plotë se do të kalojnë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, futbollistët e Dritës të udhëhequr nga trajneri Ardian Nuhiu e kanë kryer stërvitjen e fundit në Prishtinë, të hënën pasdite.

Drita do të përballet me Inter Turkun të martën prej orës 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e kthimit të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Duelin e parë në Finlandë, gjilanasit e kanë humbur me rezultatin 1:0.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, thotë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për ta ndëshkuar kundërshtarin.

“Tanimë e njohim kundërshtarin nga afër sepse jemi përballur me të. Këto ditë sa kishim, e kemi analizuar shumë mirë ndeshjen e fundit dhe kemi punuar që t’i eliminojmë vështirësitë që na solli kundërshtari në ndeshjen e parë. Kemi punuar edhe në finalizim, që të jemi më të qetë dhe të konkretizojmë rastet që do të na paraqiten. Kemi analizuar pikat e dobëta të kundërshtarit dhe tani e dimë se si do të luajmë. Fillimisht do të tentojmë të barazojmë shifrat e më pas edhe golin e kualifikimit”, u shpreh Nuhiu.

Trajneri i Dritës është i bindur se skuadra që drejton ka cilësi që të kalojë tutje.

“Kam besim të plotë te skuadra. Si unë ashtu edhe futbollistët besojmë fuqishëm se do ta përmbysim rezultatin. E dimë që nuk do të jetë e lehtë aspak sepse kemi përballë një skuadër të fortë, por thjesht kemi besim te kualiteti dhe jam i bindur që atë që kemi përgatitur do ta implementojmë në mënyrën më të mirë në fushë. Ftoj tifozët që në vijnë dhe të na mbështesin dhe uroj që në fund të festojmë bashkë”, nënvizoi Nuhiu.

Trajneri nga Shkupi thekson se do të ketë ndryshime në formacion.

“Nuk diskutohet. Kemi futbollistë cilësorë dhe do të mundohem të përzgjedh lojtarët të cilët i përshtaten asaj ndeshje, sepse duam të marrim nga secili më të mirën. Padyshim që nga ndeshja në ndeshje do të ketë ndryshime, por për mua të gjithë lojtarët janë të formacionit bazë”.

Nuhiu pohoi se me përvojën që kanë në arenën ndërkombëtare dhe me përkrahjen e shikuesve, mund t’ia dalin.

Inter Turkun e cilësoi ekipin më të fortë me të cilin i ka rënë Dritës të përballet. Sipas Nuhiut, Drita do të jetë e kompletuar, përveç Ilir Blakçorit të ndëshkuar me karton të kuq në Finlandë.

Optimist për ndeshjen e së martës mbrëma është shprehur edhe kapiteni i Dritës, Ardian Limani.

“E dimë që vijmë prej një ndeshjeje të vështirë në Finlandë, sepse kemi pasur të bëjmë me një skuadër të panjohur për ne. Ne kemi zhvilluar atje një ndeshje të mirë, por fati nuk ishte në anën tonë. Ne kemi besim të plotë pasi me punën që kemi bërë e dimë që mund t’ia dalim dhe ta kthejmë rezultatin këtu në Prishtinë, sidomos me përkrahjen e ‘Intelektualëve’ që presim të jenë në numër të madh. I kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe tani e kemi një pasqyrë më të qartë të kualitetit të kundërshtarit dhe e dimë se si do të veprojmë në fushë. Shpresoj të kualifikohemi, sepse mendoj se kemi kualitetin jo vetëm për këtë ndeshje, por edhe për kundërshtarin e radhës”, tha mbrojtësi Limani.

“Përvoja do të na ndihmojë shumë. Kemi kaluar kundërshtarë edhe më të fortë. Nuk ia kemi më frikën askujt, kemi lojtarë cilësorë dhe me përvojë si vendore ashtu edhe ndërkombëtare”.

Drita po paraqitet në Ligën e Konferencës si nënkampione e Kosovës. Kjo është hera e dytë që ekipi gjilanas paraqitet në këtë garë dhe e katërta në Evropë.

Për ndeshjen ndaj Inter Turkut, Drita ka hedhur edhe biletat në shitje të dielën. Sipas klubit nga Gjilani, tribunat në veri dhe jug do të jetë të mbyllura, kurse në tribunën lindore, një biletë kushton 3 euro, në perëndim 7 euro dhe në tribunën VIP 20 euro.