Sport

Te Drita të bindur për sukses në Finlandë

Të martën pasdite futbollistët e Dritës e kanë kryer stërvitjen e fundit para ndeshjes kundër Inter Turkut, në kuadër të Ligës së Konferencës. Ndeshja do të zhvillohet të mërkurën prej orës 17:00 në stadiumin “Veritas” në Turku të Finlandës. Ky do të jetë takimi i parë mes këtyre ekipeve, kurse skuadra që do të kalojë në raundin e dytë kualifikues do të mësohet me 12 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kapiteni i Dritës, Ardian Limani, thotë për KOHËN se skuadra është më se e përgatitur për t’u ndeshur me Inter Turkun.

Sipas tij, atmosfera është shumë e mirë pas ardhjes edhe të lojtarëve të rinj në ekip.

“Jemi më se të gatshëm për sfidën e nesërme. Atmosfera është shumë e mirë dhe mezi po e presim ndeshjen. Lojtarët e rinj që kanë ardhur kanë sjellë energji të re dhe do të jetë ndeshje e veçantë”, u shpreh Limani të martën.

Ai shton se e kanë analizuar kundërshtarin shumë mirë. Sipas Limanit, nëse Drita i qaset lojës seriozisht do ta arrijë kualifikimin.

Liga e Konferencës është niveli i tretë i kupave evropiane, pas Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.

“Inter Turku është skuadër që luan futboll modern, me pasime të shkurtra dhe lojtarët e tij janë të mirë fizikisht. Por mendoj që ne kemi armë më të forta në skuadër. Gjithsesi e vlerësojmë kundërshtarin dhe duhet t’i qasemi ndeshjes me 100- përqindëshin tonë nëse duam kualifikimin”, tha Limani.

Për Ardian Limanin do të jetë edicioni i katërt që i prin Dritës në Evropë si kapiten. Ai mendon se Drita ka kaluar kundërshtarë edhe më të fortë se Inter Turku.

“Ne kemi katër vjet që luajmë në gara evropiane dhe jemi ndeshur me kundërshtarë të fortë. Kemi luajtur me kundërshtarë më të forte se Inter Turku, mirëpo çdo ndeshje duhet vlerësuar në maksimum. Ne ndeshjet e para që kemi zhvilluar në Evropë nuk kemi pasur njohuri për futbollin evropian, por vit pas viti kemi dëshmuar që nganjëherë edhe kundërshtarët e fuqishëm mund të tejkalohen nëse jemi të fokusuar dhe në formën ideale. Ne kemi lojtarë me përvojë evropiane dhe si skuadër nuk kemi frikë askënd”, deklaroi Limani.

Pra, për Dritën do të jetë hera e katër që paraqitet në kupa evropiane dhe e dyta rresht në Ligën e Konferencës. Ndërkaq hera e dytë në krye të Dritës në garat evropiane do të jetë për trajnerin Ardian Nuhiu. Ai do t’i prijë ekipit nga Gjilani edhe në kampionat, pasi ka vazhduar kontratën edhe për dy vjet të tjerë.

“Do te jetë një përballje e vështirë, pasi bëhet fjalë për një skuadër shumë të mirë me grup të mirë të lojtarëve dhe një trajner që ka ide të qarta. Megjithatë, edhe ne kemi pasur kohën e mjaftueshme gjatë kësaj faze përgatitore dhe me futbollistët kemi studiuar kundërshtarin dhe duhet t’i mbyllim pikat e tyre të forta. Ne duhet t’i shfrytëzojmë cilësitë tona, kam besim te skuadra që do të bëjë një performancë të mirë. Djemtë kanë punua shumë gjatë kësaj faze dhe tani jemi gati për këtë sfidë. Skuadra jonë do të duket ndryshe nga viti i kaluar falë grupit që kemi ndërtuar”, ka theksuar Nuhiu për sajtin zyrtar të Dritës.

Për garat evropiane, drejtuesit e Dritës janë përkujdesur duke e dërguar ekipin në përgatitje në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Skuadra gjilanase i ka zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore. Po ashtu, skuadra e “Intelektualëve” është përforcuar me disa futbollistë. Blend Baftiu, Besnik Krasniqi, Florian Smakiqi, Iran Junior, Kastriot Selmani, Leonat Vitija dhe Ekow Mills janë përforcimet e Dritës për edicionin 2022/2023.

Drita merr pjesë në gara evropiane si nënakmpione e Kosovës. Pozitën e dytë e siguroi në xhirot e fundit.

Suksesin më të madh e ka arritur në edicionin 2020/2021, duke shkuar deri në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Në atë fazë u eliminua nga Legia e Varshavës. Përveç Dritës, Kosova po përfaqësohet në garat evropiane edhe me tri ekipe të tjera. Ballkani luan në Ligën e Kampionëve, kurse Gjilani e Llapi do të garojnë në Ligën e Konferencës.