Stabiliteti financiar, organizimi dhe grupi i lojtarëve, e shtyjnë trajnerin Arsim Thaqin të besojë se Drita në fund të edicionit aktual do të dalë kampione e Kosovës në futboll. Thaqi insiston se Drita ka lojtarë për ta fituar titullin e kampionit dhe se ekipit nga qyteti i Gjilanit nuk i mungon asgjë. Thaqi në krye të shtabit teknik të Dritës zëvendësoi trajnerin e larguar, Ardian Nuhiun.
Drita stinorin vjeshtor e mbylli në vendin e parë me pikë të njëjta me kampionin, Ballkanin. Pra kanë nga 38 pikë. Por, Thaqi beson se në fund Drita do të dalë kampione.
“Me grupin të cilin e ka Drita është shumë më lehtë e menaxhojnë më lehtë stresin për shkak të eksperiencës që kanë krijuar në futbollin e Kosovës, por edhe cilësitë që kanë. Realisht, është edhe herët të flasim për presionin e rezultateve, por duke u bazuar në cilësinë, grupin dhe organizimin që ka bërë në këto vitet e fundit, unë besoj se Drita do t’i gëzohet titullit të kampionit, që është edhe synimi kryesor i klubit”, ka thënë Thaqi.
Trajneri Thaqi thotë se do ta arsyetonte punën para drejtuesve dhe tifozëve të skuadrës vetëm nëse arrin të shpallet kampion i Kosovës në futboll.
“Është një grup për mua mjaft homogjen, një grup që ka punuar në mes dy fazave. Kam trashëguar një trajner kondicional që për mua është përparësi shumë e madhe i cili ka përcjellë gjendjen e lojtarëve dhe është një lehtësi e madhe, pasi kur kemi filluar tani ata kanë vazhdimësi të punës. Jemi duke rritur intensitetin dhënë këtë drejtim cilësia dhe niveli i ekipit dhe përvojën që kanë krijuar do të sjellë rezultatin. Cilësia do të rritet këtë sezon. Këtë sezon njohin njëri-tjetrin edhe më shumë. Ajo që më duhet mua është të shoh ndryshimet apo pengesat e vogla dhe ta mbajë pozitën që e ka”, është shprehur Thaqi.
Drita do të udhëtojë për pjesën tjetër të përgatitjeve në Antalia. Në Turqi, Drita do t’i zhvillojë katër ndeshje miqësore. Thaqi ka thënë se ekipi është i kompletuar.
Edhe lojtarët besojnë në arritjen e sukseseve.
“Kemi filluar përgatitjet shumë mirë me ritëm të ngadaltë duke rritur. Drita ka synim titullin dhe shpresoj se do t’ia arrijmë me këtë shtab teknik dhe këta lojtar që jemi”, ka thënë Jashari.
Ndonëse janë bërë ndryshime në shtabin teknik, mesfushori Rron Broja thotë se mentaliteti i klubit mbetet i njëjtë.
“Mentaliteti I klubit, por edhe futbollistëve është i njëjtë, mirëpo çdo trajner ka ato stërvitjet, taktikat e tij që dallojnë nga të tjerët. Deri tash gjithçka ka shkuar mirë dhe besoj se do të vazhdoj kështu deri në fund”, ka thënë Broja.
Drita vlerësohet prej skuadrave më të organizuara në vend. Ka krijuar stabilitet, si financiar, ashtu edhe organizativ në vitet e fundit.