Bora e fundit ka mbuluar edhe fushat e futbollit. Për shkak të reshjeve të fundit dhe temperaturave të ulëta, ekipet janë detyruar të zhvendosen në ambiente të mbyllura. Kështu ka vepruar edhe Drenica. Por, pamundësia për të stërvitur në fushë të madhe nuk është telashi i vetëm i kuqezinjve nga Skenderaj. Drenicasit ka disa muaj që përballen me krizë financiare.
Trajneri Tahir Lushtaku e pranon se nuk e ka pasur të lehtë t’i bindë lojtarët që të dalin në përgatitje.
“Ka qenë e vështirë që t’i motivojë lojtarët që të vijnë në stërvitje. Do të jetë e vështirë ndoshta edhe për të vazhduar stërvitjet. Këtë duhet pranuar, ky është realiteti, deshëm apo nuk deshëm. Sepse me të vërtetë nuk është e lehtë të dalësh në stërvitje kur dihet se je tri paga minus, plus dy të vitit të kaluar. 70-80 për qind e futbollistëve kanë qenë edhe atë vit dhe klubi i ka ato obligime ndaj tyre. Por, si do që të jetë unë i përgëzojë sinqerisht që kanë shprehur gatishmëri dhe vullnet dhe po shihet edhe në stërvitje ku po e japin maksimumin ”, u shpreh Lushtaku.
Ai thotë se gjërat mund të rregullohen brenda javës. Tre aksionarë, nga Zvicra, Gjermania dhe Brazili, janë të interesuar ta marrin Drenicën. Sipas drejtuesve, ata janë afër finalizimit të marrëveshjes me Komunën e Skenderajt që Drenicën ta shndërrojnë nga OJQ në Shoqëri Aksionare.
Trajneri Lushtaku thotë se aksionarët e rinj kanë premtuar se do të paguhen dy paga brenda kësaj jave.
“Ne kemi pasur një bisedë edhe me aksionarët e rinj. Ata u kanë premtuar lojtarëve që dy paga do të shlyhen brenda kësaj jave. Ata kanë premtuar se edhe pagën e tretë do ta kryejnë brenda këtij edicioni”, theksoi trajneri i Drenicës.
Lushtaku shpreson që borxhet të shlyhen dhe të kryejnë fazën përgatitore në Shqipëri dhe Antalia. Ai shton se nëse gjërat nuk rregullohen, do të jetë e vështirë.
Lushtaku flet edhe për largime dhe përforcime.
“Baton Zabërgja është në Gjermani në një vizitë te familja e tij e ngushtë dhe do të kthehet pas 15 janarit. Mungojnë edhe Dennisoni dhe Qaqi. Situata e tyre dihet se si ka qenë për shkak të krizë financiare. Por, ata janë lojtarë të Drenicës edhe gjashtë muaj dhe shpresoj që shumë shpejt edhe ata do të vijnë. Obligimet ndaj Dennisonit besoj që veç janë kryer dhe i mbetet të kthehet në stërvitje. Ndërkaq, zyrtarisht janë largua dy portierët, Kaloshi dhe Haxhijaj, si dhe Erlis Frashëri. Jemi në bisedime me disa lojtarë për t’i sjellë, por ende asgjë konkrete nuk ka”, theksoi Lushtaku.
Sulmuesi Kreshnik Uka, dhe mbrojtësi Shkëlzen Lushtaku, besojnë se gjërat do të rregullohen dhe Drenica do të arrijë synimet në pranverë.
“Siç e dini, i gjithë opinioni në stinorin e kaluar, Drenica ka pasur probleme financiare. Ndërkaq fillimi i përgatitjeve ka qenë mjaft i vështirë për t’i bindur lojtarët. Mirëpo, kryesia e re me donatorë të rinj kanë shprehur interesin dhe kanë marrë vetë përsipër që t’i kryejnë borxhet që na ka klubi. Shpresojmë që ta mbajnë fjalën dhe të vazhdojmë”, tha Uka.
Shkëlzen Lushtaku mendon se nëse nuk do të kryhen obligimet vështirë se lojtarët do të pranojnë të stërviten.
“Ashtu siç ka thënë trajneri, ka qenë e vështirë të motivohen lojtarët që të dalin në stërvitje. Edhe unë kam pasur vazhdimisht kontakte me lojtarët dhe më kanë pyetur vazhdimisht se si është pjesa e pagave, si është gjendja dhe se çka po ndodh me klubin. Por, donatorët i kanë premtuar dy paga brenda kësaj jave. Në qoftë se i kryejnë do të jetë shumë më lehtë për ne. Përndryshe, nëse nuk kryhen obligimet unë nuk besoj që futbollistët do të vazhdojnë stërvitjet. Është shumë vështirë të vazhdohet kur i kemi tri paga të këtij sezoni dhe dy të sezonit të kaluar. Më e vështirë është për stafin”, tha mbrojtësi Lushtaku.
Në stërvitjen e së martës të pranishëm ishin edhe Azem Bejta, Albin Kapra dhe Diellor Dragusha, të cilët mund ta bartin fanellën e ekipi drenicas në pranverë.
Klubi u ka borxh lojtarëve tri paga të këtij edicioni dhe dy të edicionit të kaluar. Ndërkaq në total borxhi kap shifrën e rreth 600 mijë eurove.
Stinorin vjeshtor Drenica e mbylli në vendin e gjashtë me 23 pikë. Në fillim të kampionatit ka qenë edhe në pozitën e parë.