Ballkani kishte ecuri prej pesë fitoreve e një barazimi në gjashtë ndeshje. Këtu përfshihet edhe fitorja e madhe ndaj Dinamos së Zagrebit.
Por të enjten mbrëma në Prishtinë, Ballkani u mposht nga Astana e Kazakistanit me rezultatin 2:1. Ishte disfata e parë e këtij edicioni për Ballkanin në garat evropiane në stadiumin “Fadil Vokrri”. Në stadiumin e qytetit në Prishtinë kishte pesë fitore, përfshirë edhe atë 2:0 në fillim të muajit tetor ndaj skuadrës së madhe kroate, Dinamo Zagreb.
Në fakt kampioni kosovar ndaj Astanas nuk e pati shkëlqimin e ndeshjeve të kaluara. Dhe kjo vërehej që në minutat e parë të ndeshjes kur Ballkani e pësoi golin e parë. E barazoi rezultatin nëpërmjet Edvin Kuçit, por e pranoi edhe një tjetër gol për disfatën e dytë në Grupin C të Ligës së Konferencës.
Njëri prej lojtarëve me vazhdimësi pozitive te Ballkani, mbrojtësi i krahut, Armend Thaqi, e pranon se suharekasit nuk ishin në nivelin më të lartë.
“Një humbje që dhemb shumë, sepse kemi pasur ecuri shumë të mirë dhe është diçka që lë shije shumë të keqe. E filluam ndeshjen keq dhe e përfunduam keq. Nuk ishte në anën tonë asgjë dhe janë gjëra që mund të ndodhin. Për këtë nuk kemi çfarë të bëjmë, pasi nuk mund ta kthejmë kohën prapa”, ka thënë Thaqi të premten për KOHËN.
“Ramë në ndikimin e lojës së kundërshtarit dhe nuk arritëm të dalim në lojën tonë”, vazhdoi mbrojtësi me përvojë.
Megjithatë Thaqi ka treguar se atmosfera në skuadër nuk ka ndryshuar. Vazhdon të mbetet pozitive edhe pas humbjes me “shije të hidhur”. 31-vjeçari shtoi se Ballkani, pavarësisht disfatës, e ka mundësinë për të shkruar tjetër histori - ta kalojë fazën grupore. Historia u shkrua me pjesëmarrjen dy herë rresht në fazën e grupeve të garës së nivelit të tretë të futbollit evropian për klube.
Në Grupin C, Viktoria Plzeni ka pikët e plota nga tri ndeshjet e para.
Dinamo e Zagrebit, Ballkani dhe Astana kanë nga tri pikë. Pra gara mbetet plotësisht e hapur, sidomos për pozitën e dytë që siguron avancimin tutje.
“Përderisa ka gjasa, do të luftojmë për çdo pikë në çdo ndeshje. Pastaj në fund se çfarë do të dalë nuk e dimë, por do të presim e të shohim. Assesi nuk dorëzohemi në asnjërën nga tri ndeshjet e radhës”, ka nënvizuar Thaqi.
Ballkani do t’i zhvillojë edhe tri ndeshje të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës me shpresë për të siguruar ndeshje të tjera.
Menjëherë më 9 nëntor luan në udhëtim tek Astana në Kazakistan. Më pas pret çekët e Viktoria Plzenit më 30 nëntor në “Fadil Vokrri”, kurse ndeshjen e fundit e luan në “Maksimir” të Zagrebit ndaj Dinamos.
Disfata nga Astana nuk bën që të ndikojë te skuadra e Ballkanit, ka theksuar Armend Thaqi.
Ballkani është fitues i kampionatit të Kosovës në dy edicionet e fundit. Të njëjtin synim e ka edhe në edicionin aktual.
Ndeshjen e radhës e luan të dielën nga ora 13:00, në udhëtim te Feronikeli 74, në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, në Drenas.
“Pas dy ditësh menjëherë e kemi ndeshjen e radhës dhe duhet ta harrojmë këtë, sepse po qe se e vajtojmë shumë nuk do të arrijmë të rregullojmë asgjë dhe vetëm do të vazhdojmë me formë të keqe”, ka thënë Thaqi.
Ballkani është lider i Superligës me 23 pikë nga nëntë ndeshje. Ka dy pikë më shumë se Drita, që po ashtu ka nëntë ndeshje të luajtura. Feronikeli 74 është i teti me 11 pikë nga dhjetë ndeshje.