Sport

Te Ballkani kërkojnë mbështetje për ta fituar BATE-n

Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, pret mbështetje të madhe nga e gjithë Kosova për ndeshjen e parë të plejofit në Ligën e Konferencës. E thirrje për mbështetje masive, kanë bërë edhe trajneri Ilir Daja e mesfushori Nazmi Gripshi, në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën.

Ballkani, të enjten nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë luan kundër BATE Borisovit të Bjellorusisë. Trajneri Daja thotë se kanë pasur pak kohë për t’u bërë gati për ndeshjen kundër ekipit bjellorus. Por trajneri nga Tirana pret paraqitje të madhe nga lojtarët e kampionit të Kosovës.

“Po t’i kthehemi historisë për një vit, gjendemi përsëri në plejof dhe rezultatet janë historike. Ne përfaqësojmë Kosovën dhe kemi bërë një stërvitje pasi jemi marrë me përgatitjet për ndeshjen e kampionatit. Dje është bashkuar grupi kemi këtë lloj përfaqësimi historik brenda. Është larguar Rrahmani, është dëmtuar Emërllahu dhe se fundi Zyba. Do të shohim nëse ka gjasa. Duke pasur kaq shumë ndryshime, kemi bërë disa ndryshime në stërvitje”, ka thënë Daja.

Ballkani gjatë verës së këtij viti mbeti pa sulmuesin Albion Rrahmani. Ai u shit te Rapidi i Bukureshtit, ndërsa i lënduar është mesfushori Lindon Emërullahu. Në dyshim është edhe mesfushori Qëndrim Zyba, i cili u lëndua në ndeshjen kampionale kundër Feronikelit ‘74. Daja vlerëson BATE Borisovin, por thotë se synimi i Ballkanit është fitorja.

“Kërkojmë një mbështetje nga e gjithë Kosova. Përveç Ballkanit, përfaqësojmë edhe Kosovën dhe pres mbështetjen për lojtarët. BATE Borisov ka eksperiencë në garat evropiane. Ka qenë në fazë të grupeve. Ne nesër do ta vlerësojmë BATE-n edhe për eksperiencën edhe si kundërshtar të plejofit. Besoj që nesër BATE është favorit por do te thosha që dyja ekipet që shfrytëzojnë rastet munden ta bëjnë një hap para. E këtë duam ta bëjmë vet”, ka theksuar Daja.

Daja pret nga lojtarët e tij të japin më shumë se që kanë dhënë në ndeshjet e kaluara. Ai vlerëson ekipin e tij për karakterin fitues.

“Nuk duhet të bëjnë më shumë. Duhet ta japin maksimumin dhe karakteri i fituesit ka qenë ajo që ka shtyrë ekipin në këtë ecuri. Nuk pretendoj të bëjnë më shumë se që kanë bërë, por ndoshta të japin pak më shumë për të ulur problematikën e mungesave. Pres të japin pak më shumë titullarët për të mbuluar mungesat”, është shprehur Daja.

Përkrah Ilir Dajës në konferencë ishte edhe Nazmi Gripshi. Edhe Gripshi tha se synim i Ballkanit është fitorja ndaj ekipit bjellorus.

“Si ekip dihet që kemi arritur në fazën e plejofit dhe kemi bërë paraqitje të mirë. Shpresojmë të paraqitemi denjësisht dhe të arrijmë rezultat pozitiv. Ballkani ka të bëjë me grupin dhe do te kemi shpresoj të kemi paraqitje të mirë për rezultat pozitiv, si dhe përkrahjen e madhe të nga tribunat”, ka thënë Gripshi.

Ballkani edicionin e kaluar kaloi me sukses plejofin. U bë skuadra e parë nga Kosova që luajti në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Këtë sukses, Ballkani synon ta përsërisë sërish. Ndeshjen e kthimin ndaj BATE-s, e luan në Hungari më 31 gusht.

Garat evropiane, Ballkani këtë edicion i nisi në Champions, por u eliminua në rundin e parë kualifikues nga Ludogoretsi i Bullgarisë. Aventurën e vazhdoi në Ligën e Konferencës dhe pasi eliminoi Larnen e Irlandës së Veriut dhe Lincol Red Imps të Gjibraltarit, Ballkani është para pengesës së fundit për ta përsëritur suksesin e vitit të shkuar – paraqitjen në fazën e grupeve.