Qasje të njëjtë në lojë, por me finalizim më të mirë para portës kundërshtare. Kjo është pritshmëria e trajnerit të Ballkanit, Ilir Daja, për ndeshjen kthyese ndaj Zhalgirisit të Lituanisë.
Ballkani e Zhalgirisi lituan barazuan të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me rezultatin 1:1, një rezultat që do të mund të ishte ndryshe nëse suharekasit do t’i shfrytëzonin rastet që i kishin gjatë 90 minutave.
Këtë e di mirë edhe trajneri me përvojë Daja, i cili pavarësisht barazimit dhe rasteve të humbura, nuk ka humbur shpresën për kalimin e raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Trajneri Daja në një intervistë të mërkurën për KOHËN ka theksuar se do të ketë qasje të njëjtë në lojë dhe shtoi se gjasat janë të barabarta për të dyja ekipet në ndeshjen kthyese që luhet pas një jave në Vilnius.
Për Ballkanin ndeshja e së martës ishte debutim në garat evropiane. Kjo mbase ka ndikuar që kampioni kosovar të mos e marrë rezultatin që kërkonte.
Daja megjithatë e vlerëson lart paraqitjen e futbollistëve që drejton, marrë parasysh se ishte vetëm loja e parë në një garë të tillë.
“Mendoj se kemi bërë mjaft mirë pasi ishte eksperienca jonë e parë në Evropë. Kemi mbajtur ekipin kundërshtar në pjesën më të madhe të lojës në gjysmëfushën e tij dhe kemi krijuar shumë raste. Pas shënimit të golit të parë kishim mundësi për ta dyfishuar rezultatin që do të na jepte më shumë shanse në ndeshjen e dytë. Në radhë të parë do të mendojmë të paraqitemi në të njëjtin nivel edhe në ndeshjen kthyese, pavarësisht se e dimë që do të na duhet të luajmë në fushën e kundërshtarit dhe mendoj që shanset janë 50 me 50, ka thënë Daja, teksa shtoi se në ndeshjen kthyese, që luhet më 12 korrik, ekipi duhet të jetë më i vëmendshëm në ndërprerje.
“Mendoj që duhet të ishim më të vëmendshëm në goditjet standarde që të shmangnim golin e pësuar dhe të ishim më cinik në finalizimin e shumë rasteve të krijuara”, vazhdoi tutje Daja. Ai natyrisht pret lojë të vështirë në udhëtim.
Zhalgirisi ndeshjet si vendës i zhvillon në “LFF Stadium”, që ka kapacitet prej afër pesë mijë ulëseve. Terreni me bar sintetik ka bërë që edhe trajneri Daja të mendojë për ciklin javor të përgatitjeve për atë duel.
“Sa i përket fushës, mendoj që në ‘Fadil Vokrri’ ishim më të favorizuar sepse kishim mbështetjen e ‘Xhebrailave’ dhe sportdashësve tanë, pavarësisht se që nga momenti që unë e drejtoj Ballkanin, ishte ndeshja jonë e parë e luajtur në këtë stadium. Seancat stërvitore përpara ndeshjes së dytë do t’i zhvillojmë në terren me bar sintetik, për të krijuar përshtatje me fushën e Zhalgirisit”, përfundoi Daja.
Një prej lojtarëve më të mirë në mesfushën e Ballkanit të martën mbrëma ishte Nazmi Gripshi, golashënuesi i vetëm i takimit për suharekasit. Gripshi kishte marrë pjesë në garat evropiane më herët, me dy skuadra të ndryshme. Por, as me Skënderbeun e as me Teutën nuk arriti që të linte gjurmë.
Golin e tij të parë në garat evropiane e shënoi me Ballkanin.
“Ishte një natë e veçantë për mua, por do të ishte më e kompletuar nëse do të fitonim”, ka thënë Gripshi të mërkurën për KOHËN.
“Na vjen keq që nuk fituam sepse kishim mundësi për fitore. Megjithatë, jam i lumtur sepse kemi bërë një ndeshje të bukur për t’u parë dhe shijuar nga tifozët”, u shpreh ai.
Gripshi, që të martën mbrëma festoi ditëlindjen e 25-të, është i bindur se Ballkani do ta ketë të njëjtën qasje edhe në Lituani, me lojë sulmuese.
Jo vetëm Gripshi, por i gjithë ekipi beson në arritje të rezultatit pozitiv.
“Rëndësi ka që të vazhdojmë të luajmë kështu dhe besoj që në Lituani do të bëjmë sërish një ndeshje të madhe dhe të arrijmë kualifikimin”, ka thënë mesfushori durrsak.
Ballkani menjëherë ka nisur me pjesën tjetër të përgatitjeve për duelin kthyes që luhet në Lituani, te kampioni i nëntëfishtë i këtij shteti. Por, sipas mesfushorit me tipare ofensive, rastet që do t’i kenë në ndeshjen kthyese duhen shfrytëzuar maksimalisht.
“Nuk kemi pasur kohë për analizën e ndeshjes, por shpresojmë që në ndeshjen tjetër rastet që na paraqiten t’i shfrytëzojmë maksimalisht. Normalisht se njësoj si unë, e gjitha skuadra beson në kualifikim”, përfundoi Gripshi.