Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, të mërkurën ka zbritur në Klaskvik të Ishujve Faroe. Në mbrëmje, skuadra nga Suhareka ka kryer stërvitjen e fundit, një ditë para ndeshjes së kthimit kundër Klaskvikut në kuadër të rrethit të tretë të Ligës së Konferencës. Ndeshja luhet të enjten prej orës 20:00, ndërsa fituesi avancon në fazën e plejofit. Duelin e parë Ballkani e ka fituar në Prishtinë me rezultatin u ngushtë 3:2.
Në fakt, ekipi kosovar kishte epërsinë 3:0, por në 20 minutat e fundit të takimit pranoi dy gola për t’ia vështirësuar vetes kualifikimin në plejof të kësaj gare. Motivi te Ballkani është i madh se mund të kalojnë në plejofin e Ligës së Konferencës. Kanë epërsinë e një goli nga dueli i parë, gjë që u jep motiv shtesë. Këtë e ka pranuar edhe mesfushori Meriton Korenica. Ai për KOHËN ka thënë se të gjithë lojtarët e Ballkanit janë të motivuar për ta kaluar këtë pengesë dhe ta prekin plejofin.
E nëse avancon në plejof, atëherë Ballkani do të jetë vetëm dy ndeshje larg kualifikimit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Do të ishte hera e parë që një ekip nga Kosova do të luante në fazën e grupeve të njërës prej tri garave të UEFA-s, prejse paraqiten prej vitit 2018.
E në plejof Ballkani do të takohej me ekipin shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Shkupin. Kampioni i Maqedonisë së Veriut u eliminua të martën mbrëma nga Shamrocku i Irlandës në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës me rezultatin e përgjithshëm 5:2.
“Është ndeshje shumë e rëndësishme dhe këtë e kemi parasysh. Jemi në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe kërkojmë kualifikimin në fazën e plejofit, që do të ishte një arritje shumë e madhe. Ndeshjen e parë e kemi fituar 3:2, por kjo nuk na favorizon shumë. Kështu që, ndeshja e kthimit do të jetë tepër e vështirë por ne jemi të përgatitur dhe të motivuar maksimalisht për ta kaluar Klaksvikun, ekip që është i fortë kur luan në shtëpi”, është shprehur Korenica.
“Do të japim gjithçka për të shkuar në plejof, e pse jo edhe në fazën e grupeve. Megjithatë, fokusi është te ndeshja e kthimit që duam ta fitojmë dhe të avancojmë tutje. Jemi gati për këtë dhe besoj se nuk do t’i përsëritim gabimet e ndeshjes së parë”.
Në fakt, Klaksviku dy ndeshjet e këtij edicioni në Evropë që i ka luajtur si vendës i ka fituar dhe të dyja ishin të kthimit. Në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, Klaksviku e mposhti 3:1 Bodo/Glimtin, por që nuk i mjaftoi të avancojë tutje për shkak të disfatës 3:0 në duelin e parë. Pas eliminimit në Champions, Klaksviku garat i vazhdoi në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë në udhëtim te Sutjeska e Malit të Zi, e fitoi të kthimit 1:0 për të avancuar tutje. Te kampioni i Ishujve Faroe, KI Klaksvik, në fillim të kësaj jave kanë thënë se presin përkrahjen e shikuesve për ta kaluar Ballkanin.
“Ballkani është ekip i mirë që ia doli të dënojë gabimet tona në pjesën e parë. Në pjesën e dytë sistemi ynë ndryshoi dhe kemi arritur të përfitojmë nga dobësitë e Ballkanit duke realizuar dy gola. Ne kemi qenë në këtë situatë më parë, kur na duhej ndihma e shikuesve. E kujtojmë finalen e vitit 2016 e po ashtu një finale në vitin 2019, që nuk do të harrohen asnjëherë. Shpresojmë të kemi një përkrahje të tillë të enjten. Kjo mund t’u japë lojtarëve shtytjen e duhur për sukses”, ka thënë trajneri i Klaksvikut, Mikkjal Thomassen.
Derisa Ballkani po debuton në gara evropiane, Klaksviku ka përvojë dukshëm më të gjatë. Ka arritur më herët në fazën e plejofit, në Ligën e Evropës në edicionin 2020/2021. Suksesin e tillë e kërkon edhe këtë edicion. Klaksviku në vitin 2020 kishte fituar 6:1 ndaj Tbilisit për të kaluar në fazën e plejofit të Ligës së Evropës. Ishte hera e parë që një skuadër nga Ishujt Faroe arriti deri në fazën e plejofit e po ashtu fitorja më e thellë e skuadrave nga ky vend në kupa evropiane. Krahas Ballkanit, të enjten mbrëma në këtë raund luan edhe Shkëndija e Tetovës që e pret AIK-un e Suedisë. Dueli i parë që u luajt javën e shkuar është mbyllur pa fitues – 1:1.