Në sallë të re, por me seriozitet të zakonshëm. Me seriozitetin dhe përkushtimin që i dërgoi në piedestalin sportiv.
Dy figurat kryesore të vitit 2021, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, në mbrëmjen e ftohtë të mesit të dhjetorit e bënë rrugën e zakonshme për në palestër. Tani jo më për në palestrën e klubit Ippon, por qindra metra më lartë, për në Qendrën Nacionale të Xhudos.
Salla ikonike e Ipponit, aty ku kampionet tona u rritën, tani është zëvendësuar me një sallë më moderne dhe dukshëm më të madhe. Distanca mes dy sallave nuk është e madhe, por Qendra Nacionale e Xhudos është ndërtuar më lart. Sikur për të dëshmuar që xhudistët që ushtrojnë në të, tani qëndrojnë më lart. Apo që sportistët që mësojnë sportin në Qendër, synojnë lart e më lart.
Se Distria e Nora qëndrojnë më lart se para këtij viti, kjo nuk ka dyshim. Ato tashmë kanë titullin më të lartë të mundshëm në sport. Janë kampione olimpike. I janë bashkuar Majlinda Kelmendit si sportistet e vetme nga Kosova me medalje të artë olimpike.
Sukses më të madh nuk ka.
Nora e Distria e kanë medaljen më të çmuar në sport – të artën olimpike. Është e jashtëzakonshme për një vend të vogël si Kosova, një vend me më pak se dy milionë banorë e që çalon shumë në sportet e tjera, por edhe në sfera të tjera të jetës.
Nuk ka ndonjë ndryshim në mënyrën se si ushtrojnë tani Distria e Nora në krahasim me periudhën para Lojërave Olimpike të Tokios, të mbajtura në fund të korrikut e në fillim të gushtit. Të paktën qasja nuk ka ndryshuar.
Disiplinë, angazhim maksimal, koncentrim dhe zbatim i të gjitha kërkesave të trajnerit Driton Kuka, arkitektit të suksesit të jashtëzakonshëm sportiv të Kosovës. Nora me partnere motrën e saj, Dëborën, dhe Distria me Erza Muminoviqin si partnere. Bëjnë ngrohjen e zakonshme, dëgjojnë se çka do të përmbajë pjesa kryesore e stërvitjes dhe vazhdojnë punën. Janë të parat që demonstrojnë. Të tjerët vazhdojnë pas tyre.
Fokusi është në maksimum. Ndihet etje në mënyrën se si ato ekzekutojnë ushtrimet, si bëjnë hedhjet, si ngrihen e si fillojnë serinë tjetër.
Ato e dinë, por edhe gjithë të tjerët që kanë fatin që ushtrojnë në Qendrën Nacionale të Xhudos, se është mënyra e vetme për të prekur kulmin. Për të zënë vend në shkallën më të lartë të podiumit, në ngjarjen më të madhe sportive. Për të bërë krenarë familjen, trajnerin, një shtet e një komb të tërë.
Nora e Distria e kanë provuar këtë në fundin e nxehtë të korrikut të 2021-tës, në sallën ikonike “Nippon Budokan”, në Tokio të Japonisë, vendi ku lindi sporti i xhudos.
Falë Distrisë e Norës, Kosova ishte e dyta më e suksesshmja në lojërat olimpike “Tokio 2020”, sa i takon garës individuale në xhudo. E para natyrisht ishte Japonia.
E pandalshmja

Në podiumin masiv Distria zuri vendin kryesor më 24 korrik. Afër, por pak më poshtë, e kishte japonezen Funa Tonaki. Në krahun tjetër, edhe më poshtë, ishin ukrainasja Daria Bilodid dhe mongolja Munkhbat Urantsetseg.
Nuk ndodh shpesh që bartësja e parë të renditet e para në një garë të madhe të xhudos. Këtë e arriti Distria, pejania 26-vjeçare, me forcë të madhe. Gabriel Chibana e Brazilit u kalua fillimisht nga Distria, në rrethin e dytë të garës deri në 48 kilogramë. Chen-Hao Lin e Taipeit Kinez ishte xhudistja e dytë që u mposht nga Distria. Me fitore ndaj Urantsetseg Munkhbat të Mongolisë, Distria zuri vend në finale. Arriti qëllimin – siguroi medaljen olimpike. Por e priste lufta më e madhe, finalja me japonezen Funa Tonaki. Ndaj Tonakit, Distria i kishte telashet e saj. Dukej se mbeti pa forcë, por gjeti energjinë për të triumfuar dhe për të sjellë emocione te të gjithë shqiptarët.
“Këtë vit e vlerësoi si më të suksesshmin në karrierën time. E kam fituar titullin e kampiones evropiane dhe të artën olimpike. E vlerësoj si të suksesshëm, përkundër sfidave që kemi pasur për shkak të situatës me koronavirus. Por sërish jam e kënaqur. Ishte historike medalja e artë olimpike, për të cilën kam punuar shumë dhe nuk do ta harroj kurrë. Po ashtu, këtë vit kam arritur të qëndroj e para në ranglistën botërore që e vlerësoj sikur medaljet”, ka thënë Distria Krasniqi gjatë stërvitjes në Qendrën Nacionale, në mesin e dhjetorit.
Natyrisht, tani deklarohet shumë më lehtë e pa shumë emocione. Krejt ndryshe ishte në Tokio. Ajo ishte deklaruar për KOHËN menjëherë pasi kishte fituar garën më të madhe, ndërsa ka pranuar se ka qenë e “humbur” nga emocionet që e kishin kapluar.
Se është viti më i suksesshëm nuk ka dyshim. As ditën kur u shpall kampione olimpike nuk do ta harrojë asnjëherë.
Ka pasur suksese të tjera për Disin gjatë 2021-tës, por që nuk krahasohen me medaljen e artë olimpike. Fillimisht fitoi të artën në Masters, ku grumbullohen më të mirët e xhudos. Më pas fitoi titullin evropian. Në Botëror për pak mbeti pa medalje – u rendit e pesta. Dhe kulmi ishte më 24 korrik.
Pas Olimpiadës, Distria ka ndryshuar kategori, ka kaluar në atë deri 52 kilogramë. Prova e parë nuk ishte aq e suksesshme, u rendit e pesta në Grand Slamin e Bakusë. Ndërsa në dhjetor ndihmoi një skuadër turke të fitojë Ligën e Kampionëve.
Pak javë pas Lojërave të Tokios, Distria iu kthye punës në palestër. Kishte mundësi të pushonte shumë më gjatë, por nuk i rrihej.
“Kemi filluar me ushtrime, unë kam pasur edhe një garë. Paraqitja nuk ishte e mirë, por kjo nuk ka shumë rëndësi, sepse ishte e para pas Olimpiadës. Me rëndësi jam paraqitur. Nuk kam qenë shumë e përgatitur, ishte test. Po besoj që vitin tjetër do të vazhdoj me paraqitje të mira dhe medalje të tjera”, ka shtuar Distria e artë.
Në fund të vitit ajo u shpall nga IJF-ja xhudistja më e mirë në botë për 2021.
Për vitin e Distrisë, trajneri Driton Kuka thotë: “Distria e fitoi Mastersin e mbajtur në janar, ku kanë marrë pjesë të gjithë. Nëse shihet podiumi i Mastersit, është i njëjtë me Lojërat Olimpike. Aty ka performuar shumë mirë dhe faktikisht e ka nisur vitin në mënyrën më të mirë të mundshme. Pastaj u bë kampione evropiane, në Botëror i kam sugjeruar të mos marrë pjesë, sepse vinim nga përgatitjet trijavore në bjeshkë. Por ajo pati dëshirë dhe përfundoi e pesta. Kam pritur të kulmojë në Tokio dhe kështu ndodhi. Kulmi i çdo sportisti është të fitojë medaljen e artë olimpike”.
E veçanta

Nora Gjakova pikën më të lartë në karrierë e arriti më 26 korrik. Natyrisht në “Nippon Budokan”, arenën që frymon me xhudon e për xhudon. U shpall kampione olimpike në kategorinë deri 57 kilogramë.
Podiumin e ndau me francezen Sarah-Leonie Cysique, japonezen Tsukasa Yoshida dhe kanadezen Jessica Klimkait.
Nora udhëtoi për në Tokio si bartëse e tretë. Bartëse e parë ishte kanadezja Jessica Klimkait, ndërsa e dyta japonezja Yoshida. Nora jonë në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën e mposhti holandezen Sanne Verhagen. Kaja Kajzar e Sllovenisë u mposht nga Nora për vend në gjysmëfinale.
Gjysmëfinalja ishte momenti kyç. Tsukasa Yoshida kishte dominuar ndaj Norës në luftërat e kaluara. Por në momentin më të rëndësishëm në karrierë, Nora e fitoi të drejtën e gëzimit. E mposhti Yoshidan, zuri vend në finale, siguroi medaljen olimpike. Për luftën ndaj Yoshidas ishte përgatitur gjatë me trajnerin Kuka. Ishin studiuar gjërat deri në detaje për të kërkuar suksesin ndaj saj.
Finalja nuk ishte e gjatë. Ishte e barabartë, por francezja Cysique shkeli rregullat dhe Nora u shpall fituese. Pos medaljes me shkëlqimin më të madh në sport, Nora fitoi edhe simpatinë e zyrtarëve të IJF-së. Kishte shfaqur korrektësi që pak sportistë e kanë. Korrektësinë e tregoi në luftën finale, kur sytë e të gjithëve ishin të kthyer nga ajo.
Kështu Nora, që për kohë të gjatë ka kërkuar suksesin, preku nivelin më të lartë të mundshëm.
2021-a për Norën kompletohet me suksese të tjera. Ajo fitoi medalje në tri ngjarjet e mëdha. Në Evropian ishte e treta, njëjtë si në Botëror. Madje medalja në Botëror ishte e para për 29-vjeçaren.
Në pjesën e parë të vitit, derisa po ndërtonte formën për në Olimpiadë, Nora ishte e treta në Masters dhe e para në Grand Slam të Tbilisit. Janë rezultate që nuk zënë vend përkrah medaljes së artë olimpike e medaljeve të bronzta botërore e evropiane.
“Duke marrë parasysh përgatitjet që kemi bërë, atëherë mund të them se kam pritur medalje në Evropian, Botëror e Olimpiadë. E kam ditur që do të jem në mesin e më të mirave dhe kam pritur ditën time. Ka qenë një ditë që do ta kujtoj me krenari (dita kur fitoi të artën olimpike v.j.). Një prej ditëve më të mira në jetën time. Jam e kënaqur që e kam dëshmuar veten aty ku është dashur dhe shpresoj të vazhdoj me suksese edhe vitin tjetër”, ka thënë Nora Gjakova.
Evropiani e Botërori janë dy “stacionet” kryesore për xhudistët në vitin 2022. Por të gjitha garat e ardhshme e kanë një synim të madh – përgatitjen për lojërat olimpike “Parisi 2024”.
“Deri te Olimpiada tjetër kemi Evropianë e Botërorë, që do të jenë fokusi im kryesor. Pastaj kualifikimit për Lojërat Olimpike dhe gradualisht po kthehemi në formën që duhet të jemi për vitin tjetër”, ka shtuar Gjakova.
Trajneri Kuka thotë se kategoria e Norës është më e forta te xhudistet. Vlerëson faktin se Nora i ka fituar medaljet në tri ngjarjet kryesore.
“Nora në çdo garë ka fituar medalje dhe ka pasur paraqitje të mirë. Në dy vjetët e fundit Nora ka qenë perfekt, nuk ka folur, por ka punuar. Këtë vit ka shkuar gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme. Nora e ka tejkaluar vetveten dhe tani e ka titullin më të lartë sportiv. Distrisë dhe Norës u duhet kohë që ta kuptojnë se çfarë të arriture të madhe e kanë. Viti perfekt i Norës dhe i Distrisë e kanë përmbushur ekipin tonë”, ka thënë Driton Kuka.
Në tatamin tjetër

Ishte e veçantë për familjen Gjakova gara e Lojërave Olimpike të Tokios. Në të njëjtën ditë garuan Nora e Akil Gjakova. Akili është top-xhudisti i Kosovës. Madje në një moment, derisa Nora po luftonte në tatamin numër dy, Akili po bëhej gati për luftën e tij. Dhe përkrahja për të motrën ishte maksimale.
Akili kishte garë pozitive në Tokio, por megjithatë mbeti pa medalje. Nuk ishte bartës në kategorinë deri 73 kilogramë, që vlerësohet se i ka xhudistët më të mirë.
Në xhiron e parë e kaloi Ahmed Ayashin e Jemenit. Fitorja e Akilit tonë as që diskutohej. Por Nils Stump i Zvicrës ishte garues cilësor, të cilin Akili e pati përballë që në luftën e dytë. E kaloi me sukses. Tommy Macias i Suedisë vlerësohet prej më të mirëve në kategori, por edhe atë e kaloi Akil Gjakova.
Me mongolin Tsogtbaatar Tsend-Ochir zhvilloi luftë të fortë, por jo me fund të gëzuar. Akili më pas humbi edhe nga azerbajxhanasi Rustam Orujov. Dhe kështu u rendit i shtati. Por Akili dhe trajneri Driton Kuka mbetën të kënaqur me rezultatin. Bilanci prej tri fitoresh e dy humbjeve konfirmoi nivelin e Akilit.
Në një garë tjetër Akili arriti suksesin që nuk e ka asnjë sportist në Kosovë. Ai u shpall kampion i Evropës më 16 prill. Ishte medalja e vetme e 25-vjeçarit, por e para e artë evropiane për sportistët kosovarë.
“Sigurisht që jam i kënaqur, është viti më i mirë në karrierën time. Pas disa pjesëmarrjeve me radhë në Botërorë e Evropianë e kam siguruar medaljen e parë të artë evropiane. Është medalja e parë, historike dhe e vetmja për Kosovën te meshkujt. Po ashtu, kam përfunduar i shtati në Lojërat Olimpike, që është sukses mjaft i mirë për mua. Por sigurisht synimet i kam më të mëdha. Shpresoj që edhe viti tjetër të jetë i suksesshëm”, ka thënë Akil Gjakova.
Ai ka pranuar se Lojërat e Tokios e kanë motivuar të punojë edhe më shumë. Është i vendosur të japë maksimumin në çdo stërvitje e çdo ditë për të fituar medalje në Paris në vitin 2024.
“Vendi i shtatë në Olimpiadë nuk është i lehtë të arrihet. Edhe pse kam shkuar për medalje, jam i kënaqur me paraqitjen time në përgjithësi. Dihet niveli i Olimpiadës. Po shpresoj që në Olimpiadën tjetër të fitoj medalje”, ka shtuar Gjakova.
Sigurisht deri te Olimpiada e Parisit, Akili synon medalje të tjera me peshë. Madje të parën e synon po në kryeqendrën franceze.
“Tash ja nisim më ngadalë. Pjesëmarrjen e parë besoj se do ta kem në Grand Slamin e Parisit. Është turneu që më pëlqen më së shumti”.
Medaljen evropiane të Akilit lart e rangon trajneri Driton Kuka.
“Realisht Akili është në mesin e katër më të mirëve në botë, dhe kjo më bën krenar”, thotë Toni Kuka.
Rezultatet e të tjerëve
Ka pasur shumë zhvillime rreth ekipit të xhudos këtë vit. Kampionia e parë olimpike, Majlinda Kelmendi, vendosi t’i japë fund karrierës si xhudiste. Gara e fundit për të ishte në Lojërat Olimpike të Tokios. Majlinda befasisht u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 52 kilogramë.
Eliminimi i saj ishte tjetër moment emocional.
Majlinda tashmë ka nisur punën si trajnere dhe në fund të dhjetorit edhe debutoi në pozitën e re. Udhëhoqi njomakët në një garë në Slloveni, ku u fituan shumë medalje. Majlinda po punon përkrah Tonit, por me xhudistët e gjeneratës më të re.
Në Tokio ishte edhe Loriana Kuka, që po ashtu u ndal në luftën e parë. Por niveli i Lorit më nuk kontestohet. Ajo ka medalje botërore, ndër të tjera.
Zhvillimet tjera në xhudo, por edhe në sportin kosovar në përgjithësi, mbetën në hije të shkëlqimit të Norës e Distrisë në Lojërat e Tokios.
Erza Muminoviq ka fituar medalje evropiane e botërore për juniore. Laura Fazliu e Flaka Loxha kanë bërë hapa tutje, ndërsa të tjerët kanë vazhduar punën në kërkim të daljes në pah në nivelin serioz. Nuk është e lehtë për ta. Standardi që kanë vendosur Majlinda, Nora e Distria, por edhe Loriana e Akili, është shumë i lartë.
Është shumë i lartë kryesisht falë punës së mjeshtrit Driton Kuka. Më në fund janë njohur meritat e tij si njëri prej trajnerëve më të mirë në botë sa i takon xhudos. Nëse jo më i miri. Ai në fakt është shpallur trajneri më i mirë i vitit 2021 në botë nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.
Medaljet e Norës e të Distrisë, por edhe medalja e artë evropiane e Akilit, kanë përmbushur Driton Kukën si trajner.
“Viti 2021 do të mbetet në histori të sportit të Kosovës për shumë arsye dhe shumë të arritura. Janë suksese që nuk mund të përsëriten. I kemi tejkaluar të gjitha pritshmëritë në secilin aspekt”, ka thënë Kuka.
Ai ka veçuar faktin se Kosova ishte në krye të tabelës për medalje në Evropian. Po ashtu, ishte menjëherë pas Japonisë në Lojërat e Tokios.
“Me pesë garues kemi arritur që veç medaljeve të fituara të shpallemi edhe ekipi më i mirë në Evropianin për të rritur, që është diçka e jashtëzakonshme. Është arritur titulli i parë në Evropian për meshkuj, një medalje e artë e munguar. Në Evropian kishim dy të arta e një të bronztë. E bronzta e Norës me referim korrekt do të ishte e artë. Loriana ka qenë e pesta, kurse Laura ka hyrë në zonën e medaljeve. Me të vërtetë, e arritur që Kosova të jetë para Francës, Rusisë e gjigantëve të tjerë. As në ëndërr nuk e kam parë”, ka theksuar Kuka.
Trajneri pejan vlerëson edhe medaljen e Norës në Botëror, ndërsa theksin e vë te suksesi në Tokio.
“Kulmi ka qenë patjetër në Lojërat Olimpike. Pesë garues, dy medalje të arta. Gjithmonë kam thënë se do të isha i kënaqur të kthehesha së paku me një medalje. Prapë në radhitjen tabelore Kosova ishte e dyta në xhudo. Kjo e bën këtë vit edhe më madhështor sa u përket të arriturave. Nëse dikush më pyet se çka kam dëshirë, edhe pse nuk e bëj se kjo më fle në shpirt, do të kisha dëshirë ta mbyll karrierën si trajner, sepse vështirë që mund të arrihet një gjë e tillë. Është diçka e jashtëzakonshme”, thotë Kuka.
Vërtet ishte vit i jashtëzakonshëm për xhudon kosovare. Dhe rrjedhimisht vit i jashtëzakonshëm për sportin e Kosovës në përgjithësi.
Por vite të tjera të suksesshme na presin sa i takon xhudos. Puna që bëhet në stërvitjet e drejtuara nga mjeshtri Kuka e garanton këtë.