Sport

Te ‘89-shi të pakënaqur me rezultatet, paralajmërohen ndryshime

Trepça ’89 pësoi humbjen më te thellë këtë sezon në Superligë, të shtunën. Humbi nga Malisheva si mysafire me rezultatin 4:0. Kjo ishte disfata e tretë në pesë ndeshjet e fundit. Rezultatet negative kanë bërë që ekipi nga Mitrovica të renditet në vendin e parafundit (9) në tabelë. Së bashku me Ferizajn, janë skuadrat e fundit në renditje të Superligës së Kosovës në futboll pas 14 xhirove të zhvilluara.

Që të dyja skuadrat u kthyen në Superligë këtë edicion dhe deri tani po hasin në vështirësi në elitë.

Me rezultatet e Trepçës ’89 nuk është aspak i kënaqur kryetari i klubit, Abedin Zeka.

Zeka sidomos me ndeshjen e fundit është shumë i dëshpëruar.

“Deri më tani nuk jam fare i kënaqur me rezultatet që i ka arritur Trepça ’89 në Superligë në këtë kampionat. Është e vërtetë që kemi grumbulluar fare pak pikë. Me ndeshjen e fundit jam shumë i dëshpëruar”, tha Zeka të dielën për KOHËN.

Pavarësisht rezultateve, Zeka thotë se me shumicën e paraqitjeve të skuadrës në fushë është i kënaqur. Sipas tij, fati dhe mosha e re e lojtarëve kanë ndikuar që ekipi të mos arrijë të marr më shumë pikë.

“Jam i kënaqur me shumicën e ndeshjeve, por jo edhe me rezultatet që kemi arritur. Mendoj që mospërvoja e ekipit dhe mungesa e fatit kanë bërë që të kemi këto rezultate që i kemi”, theksoi Zeka.

Kryetari i klubit mitrovicas paralajmëron ndryshime në janar. Thotë se do të ketë largime dhe përforcime, përkatësisht ardhje të reja. Për shtabin teknik deklaroi se e ka mbështetjen që të vazhdojnë me punën që po e bëjnë. Shpëtim Idrizi është në krye të shtabit teknik për edicionin e tretë rresht.

“Do të ketë përforcime në afatin kalimtar. Po ashtu, do të ketë edhe disa largime. Kurse puna e shtabit teknik do të vazhdojë dhe nuk do të ketë ndryshime”, përfundoi Zeka.

Trepça 89’ ka mbledhur vetëm 11 pikë në 12 ndeshjeve sa i ka zhvilluar. Ka dy ndeshje më pak të luajtura sesa shumica e skuadrave të tjera. Ka arritur vetëm dy fitore dhe së bashku me Ferizajn që ka një, janë ekipet me më së paku triumfe këtë sezon. Mitrovicasit kanë pesë barazime dhe kanë pësuar po aq humbje.

Pavarësisht renditjes dhe rezultateve jo të kënaqshme, Trepça ’89 ka shënuar 21 gola në 12 ndeshje dhe ka sulmin e tretë më të mirë në ligë. Sulmuesi i kësaj skuadre, Christian Mba, është golashënuesi më i mirë në Superligë me tetë gola të realizuar. Tetë gola i ka edhe Marko Simonovski i Dritës.

Ndeshjen e radhës, e që është e mbetur e xhiros së nëntë, Trepça ’89 do ta luajë të mërkurën kundër Prishtinës në “Fadil Vokrri”.