Sport

Tchouameni, talenti i fundit i Monacos që ka tërhequr vëmendjen e skuadrave të mëdha

Kur Aurelien Tchouameni filloi ndeshjen e tij të parë për Francën, mesfushori 21-vjeçar dukej sikur kishte luajtur në nivel ndërkombëtar prej vitesh. Nuk ishte aspak i nervozuar, pasi lojtari i Monacos shfaqi gjakftohtësi dhe kontroll të pazakontë të topit në mesfushë në Ukrainë, në një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës “Katari 2022” në shtator. Pasi ndihmoi Francën të kualifikohej në Botërorin e vitit të ardhshëm, ai kërkon ta ndihmojë Monacon në përpjekjen për t'u ngritur nga mesi i tabelës kur të përballet me kampionin në fuqi të Ligue 1, Lillen, të premten.

Tchouameni do të jetë vendimtar për shpresat e Monacos për të kapërcyer një start të ngadaltë këtë edicion dhe për të shtyrë në vendet e Ligës së Kampionëve, ashtu siç bëri sezonin e kaluar kur Monaco u ngrit me vonesë në vendin e tretë. Por janë paraqitjet e Tchouamenit në skenën ndërkombëtare që kanë bërë krahasime të hershme me të mëdhenjtë e mesfushës së Francës, si fituesi i Kupës së Botës dhe Kampionatit Evropian, Patrick Vieira dhe Claude Makelele.

Tchouameni u fut në qendër të vëmendjes aq shpejt dhe me shkëlqim, saqë e përditshmja sportive spanjolle “Marca” e shpërndau emrin e tij në faqen e saj të parë dy ditë radhazi si nënshkrimi i radhës i madh i Real Madridit. Një lajkë e tillë erdhi pasi ai kishte ndihmuar Francën të fitonte Ligën e Kombeve, duke mundur Belgjikën dhe më pas Spanjën në finale, ku ishte startues në një ndeshje për titullin vetëm në paraqitjen e tij të pestë ndërkombëtare dhe tërhoqi sërish vëmendjen.

“U zgjova të nesërmen dhe pashë që njerëzit po më thërrisnin nga kudo. Për çfarë bëhet fjalë?”, kujton Tchouameni. “Por nuk është të jem në faqen e parë të ‘Marcas’, ajo që do të më bëjë të luaj mirë”.

Megjithatë, fakti që përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, nuk hezitoi për ta futur Tchouamenin kundër njërës prej mesfushave më të mira në botë, flet shumë për besimin që ka tek ai. Ngritja e shpejtë e Tchouamenit filloi në muajin shkurt, kur një paraqitje e jashtëzakonshme në një fitore 2:0 ndaj Paris Saint-Germainit ngriti ndërgjegjësimin. Ai e mbajti këtë formë, duke e ndihmuar Monacon të arrinte formën më të mirë në pjesën e dytë të sezonit dhe të kualifikohej në plejofin e Ligës së Kampionëve.

Deschamps rrallë pret të testojë talentin në nivelin më të lartë dhe kur Tchouameni mori ftesën e parë në gusht, ai u mirëprit shpejt nga Paul Pogba, i cili bëri debutimin e tij ndërkombëtar në moshën 20-vjeçare dhe shënoi për Francën fituese në finalen e Kupës së Botës të vitit 2018.

“Paul më tha gjatë seancës sime të parë stërvitore: ‘Fakti që je këtu do të thotë se ke aftësi. Mos ke frikë të tregosh atë qe di të bësh me topin’. Këto fjalë më dhanë besim të madh”, ka rrëfyer Tchouameni. “Ato fjalë i kam ende të gdhendura në mendjen time, pasi nuk kisha nevojë t’i shënoja”.

Megjithatë, ai shkruan shënime të tjera nga librat që ka lexuar për të madhin e basketbollit, të ndjerin Kobe Bryant, për skuadrën e ragbit të Zelandës së Re dhe ish-zonjën e parë të SHBA-s, Michelle Obama.

“Kam lexuar biografi për njerëz që kanë arritur përsosmëri”, tha ai. “Michelle Obama është një figurë simbolike”.

Kur një lojtar është i lidhur me një kalim të mundshëm te Real Madridi, Manchester Unitedi e Juventusi, njerëzit presin gjithashtu përsosmëri nga ai. Hapi tjetër për Tchouamenin do të jetë bashkimi me një klub shumë më të madh se Monaco, i cili fitoi titullin e fundit para katër vjetësh dhe këtë sezon renditet i 11-ti në ligën franceze. Luajtja për skuadrën e principatës së vogël i ka dhënë Tchouamenit një bonus për të konkurruar dhe mësuar nga ish-mesfushori i Arsenalit, Barcelonës dhe Chelseat, Cesc Fabregas, i cili fitoi dy kampionate evropiane dhe një Kupë Bote me Spanjën.

“Ai ka arritur gjithçka në futboll. Më pëlqen kur më jep këshilla”, tha Tchouameni. “Cescu është i jashtëzakonshëm dhe jam me fat që luaj përkrah tij”.

Duke pasur parasysh përvojën e tij të pasur, Fabregas është gjithashtu i vendosur për ta këshilluar atë edhe për lëvizjen e tij të ardhshme. Kështu që, mund të mos jetë befasi nëse Tchouameni ndjek gjurmët e Anthony Martialit te Manchester Unitedi dhe sulmuesit të PSG-së, Kylian Mbappe, të cilët bënë emër te Monaco përpara se të fitonin famë diku tjetër.