Medina Fejza ishte vetëm shtatëvjeçare kur për herë të parë shfaqi talentin në mbretëreshën e sporteve, në atletikë.
Gjithçka ndodhi rastësisht.
Medina mori pjesë në një organizim të Komitetit Olimpik të Kosovës, që kishte përfshirë fëmijët e lindur në vitin 2008, vitin kur u shpall Pavarësia e Kosovës.
Ajo zuri vendin e dytë në vrapim dhe nuk iu nda më atletikës.
Menjëherë pas garës me karakter më shumë revyal, vrapuesja premtuese u bë pjesë e klubit të atletikës “Prishtina”, pjesë e të cilit është ende. Dhe ka korrur suksese, derisa vrapimin e Komitetit Olimpik të Kosovës me fëmijët e pavarësisë, për pesë vjet e kishte fituar pa telashe. Medina kujton vitin 2016, kur nisi gjithçka në karrierën e saj.
“Emocionet kanë qenë jashtëzakonisht të mira dhe Komiteti Olimpik i Kosovës ishte organizator. Gjithçka ishte shumë mirë. Gjithçka ka shkuar për mrekulli. Mund të themi gjithashtu se isha edhe më e përgatitur çdo vit e me radhë kur organizohej kjo garë”, kujton Fejza, ende 14-vjeçare.
Fejza është vrapuese në 100, 200 dhe 400 metra.
Nuk është pishman që i është bashkuar atletikës, kurse falënderon trajnerin Kadri Kaçandollin, ndihmëstrajnerët Fatlum Grajqevci dhe Ragip Makolli, e natyrisht edhe familjen e saj.
“Mund të themi që në 100 metra kam rezultatin si e treta më e mira prej të gjitha grupmoshave. Në 200 metra gjithashtu jam e treta më e mira në Kosovë në të gjitha grupmoshat dhe gjithashtu jam e shpallur Laureate e Vitit 2023. Çmime kam fituar edhe në vitin 2022, 2021 e 2020”, thotë me krenari Medina.
Ajo tregon se edhe në aktivitete ndërkombëtare është e suksesshme. Ka pasur rezultate të mira në Shkup, por synon të shkëlqejë në garat e tjera ballkanike e evropiane. Madje ëndërron që një ditë flamurin e Kosovës ta ngrejë lart edhe në Lojërat Olimpike.
Si sportiste e lindur në vitin e Pavarësisë së Kosovës, Medina ka një mesazh për të gjithë të rinjtë e tjerë.
“Ua uroj të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen Festën e Pavarësisë dhe gjithashtu u bëj apel të gjithë fëmijëve që të merren sa më shumë me sport, për shkak se sporti është shumë i mirë për shëndetin”, është shprehur Fejza.
Fatlum Grajqevci e mban mend momentin kur e kishte parë talentin e Fejzës. Ai thotë se menjëherë e afroi atë dhe dy garueset e tjera të vendeve të para.
“Medina është atlete premtuese. Medina dhe disa atletë të tjerë që i kemi në klub. Është viti i parë që kemi filluar ta rrisim intensitetin e stërvitjeve, me katër apo pesë stërvitje gjatë javës. Dhe po mendojmë që sivjet duhet të kemi rezultate goxha të mira. Edhe pse deri më tani për grupmoshë të veten ka pasur rezultate të mira”, ka thënë Grajqevci.
Ai ka theksuar se klubi i atletikës, Prishtina, vazhdon me program të veçantë për rekrutimin e talenteve tash e tre vjet.
Komiteti Olimpik i Kosovë më nuk e organizon vrapimin me fëmijët e gjeneratës së Pavarësisë.