Sport

Synimet e Prishtinës sa shkojnë e rriten

Prishtina ka mbetur prapa në garën për titull të kampionit. Është në vendin e pestë në Superligën e Kosovës me 26 pikë, 14 më pak se lideri, Ballkani.

Por te Prishtina thonë se do të zhvillojnë një garë të fortë në kampionat dhe për Kupë të Kosovës.

Tri vendet e para në kampionat dhe triumfi në Kupë sigurojnë daljen në Evropë.

Prishtina si rrugë të parë për ta siguruar Evropën e sheh garën në Kupë. Është fituese në fuqi e Kupës, ndërsa garën për mbrojtje të trofeut do ta vazhdojë në çerekfinale. Ditë më parë e eliminoi Gjilanin.

“Kupa është rrugë më e shkurtër për të shkuar në Evropë. Mundësia e parë është nga Kupa, por pse jo edhe në kampionat të jemi lart”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Emmanuel Egbo, të mërkurën për KOHËN.

Ardhja e Egbos kishte ndikimin e vet sa u takon rezultateve të Prishtinës.

Prishtina ka ecuri prej tetë ndeshjeve pa humbje. Klubi duket se është riorganizuar pas telasheve financiare dhe organizative që e kanë munduar gjatë.

“Prishtina nuk është si klubet e tjera që mund ta diskutojë se cili është objektivi. Për momentin jemi brenda dy objektivave, është Kupa e po ashtu edhe kampionati, pavarësisht se Ballkani dhe klubet e tjera janë me më shumë pikë sesa Prishtina. Por derisa matematikisht janë ende gjasat, besoj se Prishtina ka mundësi të luftojë edhe nga kampionati edhe Kupa për të shkuar në Evropë”, është shprehur Egbo.

Prishtina të mërkurën u stërvit në fushën ndihmëse të stadiumit “Agron Rama” në Obiliq. Të dielën do ta ketë ndeshjen e parë të stinorit pranveror të Superligës. Do të luajë me Feronikelin 74.

Trajneri Egbo thotë se Prishtina është gati për ndeshjen e parë.

“Jam shumë i kënaqur me djemtë, për atë që kanë dhënë me shpirt dhe sakrificë. Falë angazhimit dhe mbështetjes së kryesisë, në klub është një harmoni dhe qetësi. Gjithçka është në rregull në të gjitha aspektet. Na e kanë lehtësuar punën për të vazhduar tutje në garën tonë brenda fushës drejt realizimit të synimeve”, ka deklaruar Egbo.

Nën drejtimin e tij, Prishtina javë më parë fitoi Superkupën e Kosovës. Për Prishtinën ishte trofeu i 30-të nga viti 1992. Synon edhe shumë të tjerë në të ardhmen.

Pjesë e sukseseve dëshiron të jetë edhe Ardian Muja. Muja pranon se Prishtina është prapa në garën për titull. Por premton angazhim për të realizuar njërin prej dy objektivave.

“Si objektiv i ekipit është arritja e pjesëmarrjes në arenën ndërkombëtare. Evropën do ta synojmë nëpërmjet Kupës, por edhe nëpërmjet kampionatit deri në fund”, ka thënë Muja.

26-vjeçari iu bashkua Prishtinës në verën e vitit të kaluar nga skuadra e Trepçës ’89. Për Prishtinën në 21 ndeshje ka shënuar një gol dhe ka kontribuar me dy asistime.

“Nëse e shohim tabelën, në kampionat kemi ngecje. Por janë të arritshme tri vendet e para e që kemi për synim ta arrijmë një gjë të tillë. Ka goxha ndeshje për t'u luajtur, por synimi kryesor është mbrojtja e trofeut të Kupës”, ka theksuar Muja.

Garë e fortë pritet të jetë në pranverë për titull dhe Kupë. Prishtina, ndonëse pa stadium, do të ketë rol të madh.