Ilir Krasniqi dhe Muhamet Hyseni kanë detyra të ndryshme për të kryer në fushë. Krasniqi për t’i penguar sulmuesit të shënojnë gola, kurse Hyseni t’i japë ato. Por Krasniqi dhe Hyseni kanë një të përbashkët. Synimi i tyre është që, nga Llapi të kalojnë në ndonjë klub evropian. Dëshirën për t’i parë në klube evropiane e ka edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Ai pret që Llapi të përfitojë shumë nga shitja e Krasniqit dhe Hysenit.
Përmend edhe talentin 17-vjeçar, Elvir Gashijani. Për Gashijanin, Batatina thotë se nuk ka dashur ta lirojë t’i bashkohet Hajdukut të Splitit, ndërsa për Krasniqin tregon se janë dy oferta, një nga Rumania dhe një nga Zvicra. Sipas Batatinës interesim për Hysenin ka shprehur një skuadër e Bundesligës 2 gjermane, një skuadër e Kategorisë së Dytë të Turqisë dhe së fundi një ekip nga Danimarka. Emrat nuk i bën të ditur, por Batatina thekson se Llapi ka synim t’i shesë gjatë verës në skuadra të njohura evropiane. Llapi pret t’i fitojë rreth dy milionë euro nga shitja e Krasniqit, Hysenit e Gashijanit
“Shpresoj që verës të bëjnë top transferim. Për Muhametin dihet që shumë skuadra kërkojnë me çdo kusht. Por verës do të jetë transferimi më i lart që është bërë ndonjëherë nga Kosova. Elviri e dimë që është një prej talenteve më të mirë dhe besoj se edhe ai do të jetë në të ardhmen një transferim i bujshëm. Për Krasniqin kemi oferta të cilat do t'i shqyrtojmë bashkërisht me lojtarin edhe me kryesinë, por në verë besoj se do ta bëjnë hapin e radhës”, ka thënë Batatina për KOHËN.
Krasniqi dhe Hyseni janë lojtar të dëshmuar tashmë. Edhe Elviri është duke bërë hapa para në karrierë.
“Jemi duke biseduar edhe me trajnerin dhe vendimin do ta marrim së bashku. Do ta vlerësojmë nëse është e drejtë që ta bëjmë një lëvizje tash. Ajo që dua është që të jetë një zgjedhje e mirë, por besoj se verës do të bëjmë një lëvizje”, ka thënë mbrojtësi Krasniqi.
Edhe sulmuesi Hyseni haptazi ka pranuar se synon hapin e radhës në karrierë.
“Do të isha i përmbushur nëse do të luaja për një klub të madh evropian”, është shprehur Hyseni.
E trajneri Batatina është edhe më i drejtpërdrejtë në planet që i ka me lojtarët e tij dhe të ardhmen e tyre.
“Nuk është më Llapi i interesuar të marr as 50 mijë as 100 mijë e as 200 mijë euro. Nuk janë 200 mijë euro pare për Llapin në këtë nivel të cilin e ka arritur. Llapi nuk i pengon asnjëherë lojtarët, por për të dalë nga Llapi, klubet e Evropës duhet të djersiten shumë. Përndryshe Llapi nuk ka nevojë në këtë moment të jap lojtarë vetëm pse t'ua plotësoj kërkesat e tyre”, ka theksuar Batatina.
Sulmuesi Hyseni ka shënuar 13 gola në 17 ndeshje për Llapin, ndërsa një gol e ka shënuar edhe për Kosovën. Në fakt, Hyseni 22-vjeçar bëri debutim ëndrrash në nëntor të vitit të shkuar. Shënoi golin e barazimit kundër Zvicrës në Basel. Ndeshja pati përfunduar baras, 1:1 dhe u takoi kualifikimeve për “Euro 2024”. Ai luajti edhe ndaj Bjellorusisë. Llapit iu bashkua në verën e këtij viti nga Feronikeli 74, ndërsa ka luajtur edhe për Malishevën dhe shkollën e futbollit “Kurda”. Paraqitje të mirë për Kosovën bëri edhe Ilir Krasniqi. Mbrojtësi 23-vjeçar iu bashkua Llapit në janar të vitit 2021 nga KEK-u, ndërsa ka luajtur edhe për Fushë Kosovën. Për Kosovën ka luajtur pesë ndeshje. Për të rinjtë e Kosovës ka luajtur me sukses edhe Gashijani. 17-vjeçari nga Mitrovica ka shënuar një gol në tri paraqitje për Kosovën U17. Ai iu bashkua Llapit në verën e vitit të kaluar nga 2 Korriku. Më herët ka luajtur për Trepçën ’89.
“Çdo fëmijë që fillon të luajë futboll e ka ëndërr ta përfaqësojë vendin e vet. Për mua kjo ëndërr është bërë realitet. Jam mjaft i lumtur që kam përfaqësuar vendin tim. është vetëm fillimi për mua dhe duhet të vazhdoj për të arritur suksese të tjera”, është shprehur Krasniqi.
Krasniqi dhe Hyseni presin të luajnë edhe në të ardhmen për Kosovën. Me Kosovën shpresojnë të paraqiten në ndonjë ngjarje të madhe, Botëror apo Evropian.
“Për një moment kur jam ndalur dhe kam menduar se unë kam dhënë gol kundër Zvicrës dhe aty ka qenë emocion i jashtëzakonshëm. Ka qenë diçka e madhe për mua të shënosh ndaj Zvicrës në debutim. Nëse kam paraqitje të mira pse të mos ftohem sërish te Kosova”, kujton Hyseni golin e realizuar ndaj Zvicrës.
Hyseni dhe Krasniqi janë me Llapin në përgatitje në Antalia të Turqisë. Synimi i Llapit është titulli i kampionit.