Ndonjëherë nuk mjafton të jesh vetëm sportist i dalluar. Duhet ta kesh edhe fatin me vete. Këtë gjë e di më së miri Bujar Pllana. Pllana qëndroi për gati katër muaj jashtë fushe për shkak të lëndimit të shpatullës që e pësoi gjatë fazës përgatitore tek ekipi kroat. Qendërmbrojtësi me potencial të madh u lëndua pak ditë pasi firmosi kontratë më Slaven Belupon e Kroacisë. Vetëm javën e kaluar, 21-vjeçari u kthye të stërvitet me pjesën tjetër të ekipit.
Te skuadra elitare e Kroacisë i janë gëzuar rikthimit të mbrojtësit Pllana në stërvitje. Edhe më i lumtur është Pllana, i cili kaloi një lëndim aspak të lehtë.
“Ndihem shumë mirë. Jam shumë i lumtur për kthimin në fushë”, ka thënë Pllana të dielën për KOHËN.
Pllana pritet të jetë së shpejti në dispozicion të trajnerit Roy Fereçina për ndeshjet kampionale. Ai do të jetë kandidat për të luajtur në momentin që do ta kthejë formën fizike pasi lëndimi ia pamundësoi ta ndihmonte ekipin e tij në ndeshjet e para të këtij edicioni. Në fakt, Pllana u dëmtua në ndeshjen kontrolluese ndaj Dinamo Bukureshtit të Rumanisë gjatë fazës përgatitore të Slaven Belupos.
“Ka qenë një periudhë shumë e vështirë, pasi ishte fillimi i një aventure të re me klubin e ri, por më e rëndësishmja është që tash ndihem mirë, po stërvitem me grupin dhe pres momentin tim”, është shprehur Pllana. “Mbështetje tejet të madhe kam pasur nga klubi që më ka qëndruar afër për çdo gjë, duke mos harruar edhe menaxherin tim Besart Elshani”.
21-vjeçari Pllana iu bashkua skuadrës kroate në afatin kalimtar të verës pas paraqitjeve të mira që i tregoi sezonin e shkuar me fanellën e Prishtinës. Pllana me Slaven Belupon firmosi kontratë trevjeçare dhe transferimin në futbollin kroat e vlerësoi si hap të madh në karrierë.
“Synimet e klubit janë që të përfundojmë në njërën prej katër vendeve të para. Do ta jap maksimumin tim për ta ndihmuar klubin në çdo aspekt”, ka theksuar Pllana.
Krahas Pllanës, te Slaven Belupo janë edhe Arbër Hoxha e Florian Kamberi. Ky i fundit u prezantua javën e kaluar te skuadra kroate me të cilin firmosi deri në fund të këtij edicioni dhe u transferua si lojtar i lirë. Ndërkohë ,Arb Manaj muaj më parë u largua nga Slaven Belupo për t’iu bashkuar Ballkanit të Suharekës.
Pllana si futbollist është zhvilluar te Trepça ’89, ndërsa ka luajtur edhe për Feronikelin, përpara se t’i bashkohej Prishtinës në janar të vitit të shkuar. Pas një sezoni e gjysmë te Prishtina, Pllana vendosi që karrierën ta vazhdonte te Slaven Belupo, por që ende nuk e ka regjistruar asnjë ndeshje zyrtare. Në Superligën e Kosovës, Pllana në total ka regjistruar 76 paraqitje, ndërsa ka shënuar 4 gola dhe ka bërë 3 asistime.
“Momenti im më i mirë deri tash ka qenë triumfi në Kupën e Kosovës me Prishtinën”, thotë ai.
Pllana ka luajtur katër ndeshje për Kosovën U19, ndërsa i ka edhe tri paraqitje me ekipin U21.
“Çdo futbollist ka ëndërr ta përfaqësojë shtetin e vet. Për momentin jam i fokusuar të rikthehem me ekipin, ta fitoj besimin e trajnerit, pastaj për të ardhmen t’ia lëmë kohës”, ka thënë Pllana.
Ai me të drejtë thotë se i duhet kohë për të qenë pjesë e Kosovës. Dëshiron të bëjë sa më shumë paraqitje te klubi kroat. Pas 11 ndeshjeve të luajtura këtë edicion në kampionatin e Kroacisë, Slaven Belupo ka tubuar 12 pikë dhe zë vendin e 8-të në tabelë.