Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, braziliani Sylvinho, e ka publikuar listën për ndeshjen e madhe ndaj Republikës së Çekisë. Për takimin e rëndësishëm kualifikues të këtij muaji, Sylvinho ka vendosur që ta rikthejë Armando Brojën, sulmuesin e Chelseat.
Broja për një kohë të gjatë mungoi në fushën e gjelbër shkaku i lëndimit të rëndë në gju. Por, ai ka lënë prapa telashet me lëndimin që e pësoi në dhjetor të vitit të kaluar.
Broja shënoi gol në ndeshjen e fundit të Chelseat ndaj Fulhamit, në fitoren 2:0.
Etrit Berisha, Thomas Strakosha dhe Elhan Kastrati janë në listën e Sylvinhos në portë.
Në mbrojtje, Sylvinho ka ftuar Berat Gjimshitin, Ardian Ismajlin, Arlind Ajetin, Ivan Balliun, Mario Mitajn, Elseid Hysajn, Enea Mihajn dhe Frederic Veselin.
Në mesfushë janë Ylber Ramadani, Klaus Gjasula, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Arbnor Muja, Keidi Bare dhe Qazim Laçi. Kurse në sulm, përveç Brojës, janë edhe Mirlind Daku, Sokol Cikalleshi, Ernest Muçi, Myrto Uzuni, Jasir Asani dhe Taulant Seferi.
Jashtë listës ka mbetur Odise Roshi, që luan te skuadra e Sakaryasporit në rangun e dytë të futbollit të Turqisë.
Shqipëria me përfaqësuesen çeke ballafaqohet më 12 tetor në “Air Albania” në Tiranë, për ndeshjen që vlerësohet vendimtare për kualifikim në “Euro 2024”. Ai ballafaqim nis nga ora 20:45. Shqipëria në Grupin E është e para pas pesë ndeshjeve të luajtura dhe ka grumbulluar 10-të pikë.
Në katër ndeshje të luajtura, Republika e Çekisë ka tetë pikë, aq sa ka edhe Moldavia, por me pesë ndeshje të luajtura. Polonia pas pesë ndeshjeve ka gjashtë pikë, ndërsa në vendin e fundit janë Ishujt Faroe, me një pikë.
Përveç ndeshjes me Republikën e Çekisë, Shqipëria në këtë muaj, do të luajë edhe një duel tjetër, por miqësor. Më 17 tetor ballafaqohet me Bullgarinë.
Edhe ky takim do të luhet në “Air Albania”, nga ora 18:00. Përgatitjet për këto dy ballafaqime, Shqipëria do t’i nis më 9 tetor në “Shtëpinë e Futbollit”. Konferenca për media është vendosur të mbahet të shtunën nga ora 11:00.
