Përzgjedhësi i Shqipërisë, braziliani Sylvinho, është shumë i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve kuqezi në tri ndeshjet e para kualifikuese për “Euro 2024”. Edhe më i kënaqur është me rezultatet e arritura në fushë së fundi, përkatësisht për fitoret e Shqipërisë ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Shqipëria e mposhti Moldavinë 2:0 në Tiranë, kurse në udhëtim fitoi ndaj Ishujt Faroe me rezultatin 3:1.
Në një intervistë për KOHËN, Sylvinho përsëriti se Shqipëria kishte rastet e saj për ta fituar një pikë edhe në mars kundër Polonisë në Varshavë. E humbi atë ndeshje me rezultatin 1:0.

“Kur flasim për tri ndeshjet, po, jemi të lumtur. Edhe kur humbëm nga Polonia në ndeshjen e parë, kemi bërë gjithçka mirë në fushë. Ne minutën e fundit kishim mundësi për të barazuar rezultatin. E dinim se do të ishte ndeshje e vështirë. Polonia është kundërshtare e fortë. Por kur flasim për dy ndeshjet e fundit, kanë qenë edhe më të mira. Rezultati natyrisht është i rëndësishëm. Shumë i rëndësishëm. Mendoj se është hera e dytë që e kisha atë situatë me lojtarët, pasi kemi nisur ta njohim njëri-tjetrin. Nuk është e lehtë, por mund të zhvillosh punën brenda fushës dhe është shumë më e lehtë sepse lojtarët e dinë se çfarë kërkon trajneri. Jemi të lumtur edhe me rezultatin, por edhe me mënyrën se si kemi luajtur kundër Ishujve Faroe dhe Moldavisë”, ka thënë Sylvinho.
Braziliani ka fituar shpejtë simpatinë e shqiptarëve. Respekti nuk i mungon edhe nga lojtarët. Ai është i lumtur me atmosferën pozitive të krijuar te Shqipëria.
Sylvinho jeton në Tiranë. Kështu ka vendosur për të njohur më shumë nga afër kulturën shqiptare.
Vlerësohet se me ardhjen e Sylvinhos, entuziazmi për Shqipërinë është kthyer në maksimum.
“Po, ne jemi të lumtur. Kur them ne, flas për stafin, Federatën, jemi të lumtur me lojtarët. Para pesë muajsh kur fola me presidentin dhe e nënshkrova kontratën, vendosa të vijë këtu në Tiranë, të jetoj këtu, sepse kisha eksperiencën nga Përfaqësuesja e Brazilit në futboll. Kam punuar te Përfaqësuesja e Brazilit për tri vjet. Dhe e di se kjo është shumë e rëndësishme, kur trajneri i parë vjen për të jetuar në atë shtet. E njeh Federatën, njeh njerëzit përreth, e njeh kulturën”, thotë Sylvinho.
Ai ka treguar edhe për vizitat që ua ka bërë lojtarëve në shumë shtete të Evropës.
“Kemi bërë disa udhëtime për në Itali, Gjermani, Angli, Portugali, Spanjë, për të biseduar me lojtarë. Sepse kur punon në ekipin kombëtar, ke vetëm një javë kohë, ndoshta edhe më pak. Dhe kjo është e rëndësishme, t’i njohësh lojtarët dhe duhet njohje me njëri-tjetrin kur flitet për mua dhe stafin. Kjo është pjesë e punës dhe jam i lumtur me marrëdhëniet që i kemi krijuar mes vete”, është shprehur selektori i Shqipërisë.
Shqipëria me dy fitoret e arritura këtë muaj u ngrit në vendin e dytë, pozitë që në fund të kualifikimeve siguron biletën për Evropianin e vitit të ardhshëm në Gjermani. Qëllimi i Shqipërisë është kualifikimi për herë të dytë në Evropian.
“Po kthehem prapa, para pesë muajsh kur nënshkrova kontratën. Njerëzit thoshin se grupi është paksa i lehtë. Unë ju thash jo, është i balancuar. Është grup i vështirë, nuk është i lehtë aspak. Natyrisht, Polonia, Republika e Çekisë, janë favorite. Filluan si favorite. Por kur flitet për futboll, gjithçka është e vështirë. Nuk është e lehtë aspak. Rezultati i fundit, Moldavia – Polonia 3:2. Për këtë po flas. I fituam dy ndeshje, morëm gjashtë pikë. Kjo na bën të lumtur dhe natyrisht jemi në rrugë të duhur. E dimë se qëllimi është kualifikimi në ‘Euro 2024’ në Gjermani. Por duhet të punohet shumë, duhet bërë shumë gjëra, hap pas hapi, ndeshje pas ndeshje. Jemi në rrugë të mirë, besojmë në kualifikim. Por duhet punë shumë e madhe për të vazhduar tutje”, ka theksuar Sylvinho.
T: Synimi për t’i pasur 50 lojtarë në dispozicion
Sylvinho është emër i njohur në botën e futbollit. Ka luajtur gjashtë ndeshje për Brazilin, ndërsa edhe më të madhe karrierën e ka pasur te klubet Arsenal, Barcelona dhe Manchster City. Me Barcelonën ka fituar tri tituj të kampionit në Spanjë, një Kupë, dy Superkupa dhe dy Liga të Kampionëve. Ka qenë pjesë e formacionit të vitit në Premier League në edicionin 2000/2001. Ka luajtur mbrojtës i krahut të majtë. Para se ta merrte drejtimin e Shqipërisë, Sylvinho ishte trajner te Corinthians. Në vitin 2009 ishte trajner i Lyonit.
Trajneri 49-vjeçar insiston se puna në përfaqësuese dallon nga ajo në klube.
“Ndeshjet ndërkombëtare janë paksa më ndryshe nga puna me klube. Ne kemi një listë me lojtarë në pritje. Po punojmë për 40-50 lojtarë. Dhe natyrisht ka raste kur luan vetëm një herë, dhe ndonjëherë luan në dy ndeshje. Kësaj here luajtëm dy ndeshje dhe ekipi ka nevojë për ndryshime. Tani duhet të mendojmë për dy ndeshjet që i kemi në shtator dhe mund të ketë ndryshime po ashtu. Është natyrë tjetër e punës. Nuk është njësoj sikur t’i kesh 23 lojtarë dhe me ta duhet të luash çdo herë, në të gjitha ndeshjet. Nuk është njësoj. Në ekipin kombëtar ka shumë lojtarë dhe duhet t’i përcjellësh ata. Dhe po ashtu e ke shansin të bësh ndryshime. Edhe ne luajtëm me Poloninë dhe bëmë ndryshime për dy ndeshjet tjera. Tani duhet të mendojmë për dy ndeshjet tjera që do t’i kemi në shtator”.
Ai thotë se puna me futbollistët e Shqipërisë ia ka kthyer lumturinë. Uron që edhe ndeshjet e shtatorit t’i mbyllin me rezultate pozitive.
“Pas shumë e shumë vjetësh në botën e futbollit, më bën të lumtur natyrisht, por edhe po e kuptoj futbollin. Duhet të jesh i lumtur, duhet të shkosh në fushë si ekip. Dhe duhet të luash në nivel të lartë, shumë fort. Nuk po flasim vetëm për aspektin taktik, teknik dhe fizik. Futbolli është gjithçka dhe shpirti i ekipit. Ata e kuptojnë këtë, e aplikojnë këtë shumë mirë. Kjo është pjesë e punës që ne po bëjmë dhe kjo më bën të lumtur. Të vazhdojmë, të besojmë, dhe të kënaqemi me të. Kështu që jemi të lumtur për momentin. Shpresoj që lojtarët po kënaqen në pushime, disa prej tyre nuk kanë pushime pasi janë të angazhuar në ligat që po vazhdojnë. Por ne po i shikojmë dhe po punojmë për dy ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Sylvinho.
Ai vlerëson sulmuesin e krahut, kosovarin Arbnor Muja. Muja luan për Antwerpin, ndërsa ka pasur zëra se mud t’i bashkohet Shqipërisë.
“A po flisni për Mujën? Në rregull, po, e njoh atë. Lojtar i krahut të djathtë, lojtar i mirë. Keni disa lojtarë të tjerë në atë pozitë, ai është një prej tyre. Po shikojmë para. Po e shikojmë edhe atë, është lojtar i mirë. Nuk dihet e ardhmja, por po, padyshim, ai është një prej lojtarëve të mirë që keni”, thotë tekniku brazilian.
t: Jeta në Tiranë, gjuha shqipe dhe shqiponja
Sylvinho është i kënaqur që ka shumë lojtarë që mund t’i zgjedhë për të ardhmen. I kënaqur është edhe me jetën që po e bënë në Shqipëri. Ai ka katër muaj që është vendosur në Tiranë. Thotë se nuk ka pasur shumë kohë për të parë shumë vende në Shqipëri. Por, ka shumë gjëra që kanë nisur t’i pëlqejnë.
“Të jem i sinqertë, nuk kam pasur kohë ta shoh gjithë vendin, por mund të them se Tirana është qytet shumë i mirë. Duhet të jesh i kujdesshëm se po fillove të hash ushqim, do të hash shumë. Ushqimi është shumë i mirë. Është përzierje e Greqisë, Turqisë, Italisë, është ushqim i jashtëzakonshëm. Njerëzit përreth janë shumë të mirë. Por të them të drejtën, nuk kam pasur kohë të shkoj përreth vendit, të njihem me plazhet, malet. Më kanë thënë se 2-3 orë larg Tiranës ka vende shumë të bukura për t’u kënaqur, por nuk kam pasur kohë”, tregon Sylvinho.
Ai tashmë ka mësuar edhe disa fjalë në gjuhën shqipe.
“Natyrisht, ne jemi duke jetuar këtu. Kam mësuar disa fjalë si mirëmëngjesi, mirëmbrëma, mirëdita, natën e mirë, mirë u pafshim. Duhet të mësojë edhe më shumë”.
Sylvinho ka mësuar ta bëjë edhe figurën e shqiponjës dykrerëshe, simbolin e shqiptarëve.
“Duhet të kthehem para pesë muajsh. Kur nënshkrova kontratën, djali im, ai është 18-vjeçar tani, më tha: Nëse shënoni, duhet të bësh shqiponjën me duar”, ka zbuluar Sylvinho.
Pasi bëri shqiponjën, Sylvinho iu kthye seriozitetit dhe tha se tani fokusi i tij është përgatitja për dy ndeshjet e shtatorit.
Më 7 shtator, Shqipëria luan në Pragë kundër Çekisë, kurse më 10 shtator e pret Poloninë në Tiranë. Sylvinho e di se ato mund të jenë ndeshjet vendimtare. Dhe e di që i ka gjithë shqiptarët prapa në misionin për ta dërguar Shqipërinë në Evropian.