Sport

Suxho, ish-reprezentuesi i SHBA-së që luajti në tetë shtete

Një sportist mund ta zhvillojë tërë karrierën te një skuadër e në një shtet. Por tregim krejtësisht tjetër ka korçari Donald Suxho, emri i madh i volejbollit shqiptar.

Suxho tani është përzgjedhës i Kosovës U17 në konkurrencën e femrave. Ai në Kosovë solli përvojën e jashtëzakonshme që e fitoi si lojtar. Në një rrëfim për KOHËN, Suxho ka treguar për rrugëtimin e tij në karrierën e bujshme.

Suxho karrierë ka bërë në tetë shtete të ndryshme, në plot 14 skuadra. Ai asnjëherë nuk kishte menduar se do të luante edhe në Kampionat Botëror e në Lojëra Olimpike.

“Sporti është fantastik. Sporti të jep shumë kushte, miqësi, të hap shumë dyer. Bën miqësi për tërë jetën. Ke miq nga e tërë bota. Është fantastike”, thotë Suxho.

Suxho u lind në Korçë, qytet që njihet për traditë sportive. Me volejboll ka nisur të merret vonë. Thotë se pasion fillimisht e kishte futbollin.

46-vjeçari tregon që drejt volejbollit e shtyu babai. Babai i Donaldit ka qenë volejbollist e trajner i volejbollit, ndërsa në vitin 1972 ka qenë pjesë e Prishtinës. Donaldi tregon se si fëmijë ka provuar shumë sporte, si atletikë, mundje, not, por futbollin e kishte për zemër.

“Si 12-13 vjeçar u zgjata shumë dhe babai më tha: ‘Mjaft me futbollin. Eja në volejboll. Dhe ka qenë sfidë shumë e rëndësishme dhe shumë e vështirë, sepse unë e kisha pasion futbollin. Por isha i gjatë dhe i shpejtë. Në atë kohë ekipet zinxhirë ishin shumë të mira dhe kam luajtur për grupmoshat e reja. Dhe më pas u futa edhe me të rriturit në Korçë”, kujton Suxho.

Rrugëtimi i Suxhos deri në Amerikë kaloi nëpërmjet Greqisë në vitin 1994. Në Greqi, bashkë me familjen, kaloi në këmbë.

Ai nuk e dinte nëse do ta vazhdonte karrierën si volejbollist, ndërsa as nuk e kishte menduar ndonjëherë se do të luante kundër Greqisë në ndonjë ngjarje të madhe.

Dhe një gjë e tillë ndodhi disa vjet më vonë.

Suxho në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkoi në vitin 1996 dhe menjëherë u inkuadrua në volejbollin amerikan. Stërvitjet e kryera me babanë e tij në veçanti, bënë që Suxho të zinte më vonë vend edhe në Përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Më kanë bërë ftesë që të bëj prova për një javë dhe ka qenë një emocion shumë i madh. Kisha frikë dhe kam qenë shumë i emocionuar. Por kam bërë shumë punë për të arritur aty dhe kisha shumë vetëbesim se do të jap 100-përqindëshin tim. Më dolën shumë mirë java e parë, muaji i parë, gjashtë muaj. Do ta kujtoj për tërë jetën. Gjithë këtë e kam arritur me punë, me qëllim, me sakrifica, sepse në Amerikë ka shumë konkurrencë”, thotë Suxho.

Në Lojërat Olimpike të vitit 2004 në Athinë, Suxho me SHBA-në e pati një ballafaqim interesant, të cilin nuk e kishte parashikuar.

“Në Lojërat Olimpike në Greqi kemi luajtur kundër Greqisë në çerekfinale. Po mundeshim, ishim 2:1 në sete, 21:10. Unë kam shkuar në Greqi në vitin 1994 në këmbë. Nuk kemi pasur as makina, nuk kemi pasur as shoqëri, kemi qenë në këmbë. Kemi ikur shumë vështirë, për të bërë një stërvitje, një provë diku dhe dhjetë vjet më pas kam shkuar në Lojërat Olimpike të Greqisë, kundër Greqisë, kundër atyre trajnerëve që më kanë ushtruar. U kthyem dhe e fituam atë ndeshje. Ka qenë një ‘deja-vu’. Nuk e mendoja kurrë që do të ndodhte”, kujton Suxho.

Për Suxhon, Lojërat Olimpike janë më të veçanta sesa kampionatet botërore. Suxho ishte pjesëmarrës me SHBA-në edhe në Lojërat Olimpike 2012 në Londër dhe në Kampionatin Botëror të volejbollit në vitin 2006, të mbajtur në Japoni.

“Kampionatet Botërore janë të bukura, sepse ka ekipe nga e gjithë bota, ndërsa Lojërat Olimpike janë shumë të vështira sepse janë pesë apo gjashtë kontinente, 12 ekipe, dhe janë lojtarët më të mirë në botë dhe është një rrugë për katër vjet që duhet të kualifikohesh. Në Kampionat Botëror çdo shtet shkon, kurse për Lojërat Olimpike, t’i punon katër vjet për një javë ndeshje. Është një presion, nervozizëm shumë i madh, por edhe kënaqësi shumë e madhe sepse ke një plan shumë të madh. Dhe për mua Lojërat Olimpike janë fantastike, me ceremoninë hapëse, mbyllëse, janë të gjithë në një kamp sportiv, duke ngrënë bukë, duke qenë me të gjithë lojtarët më të mirë në botë. Është një gjë fantastike”, thotë tani trajneri i Kosovës.

Suxho ka qenë pasues i dalluar dhe është vlerësuar shumë si në ekipet evropiane ashtu edhe në ato nga pjesët tjera të botës.

“Nga kampionatet profesioniste, kujtimi më i mirë ka qenë në Itali, që është liga më e mirë në botë. Unë e kisha ëndërr të luaja aty. Kam arritur të fitoj kupa, të dal edhe pasuesi më i mirë i Italisë dhe kanë qenë dy ëndrra shumë të mëdha. Jam shumë krenar që i kam arritur”, ka thënë Suxho.

Suxho ka luajtur për Skënderbeun e Korçës, USC Trojans në SHBA, Olsztyn në Poloni, Arkas Saint Joseph dhe Arkas Spor në Turqi, Olympiacos e Patras në Greqi, Acqua Paradiso Gabeca Motichiari, Prisma Taranto Volley, Sisley Belluno dhe Diatec Trentino në Itali, Dynamo Kaliningrad në Rusi, Bolivar Voley në Argjentinë. Karrierën e mbylli te Studenti i Tiranës. Tani kontributin e tij po e jep si pjesë e volejbollit kosovar.