Sport

Superliga vazhdon me dy derbi

Pas pushimit prej tri javësh, të shtunën vazhdon gara për titull kampioni në Superligën e Kosovës në futboll. Xhiroja e 21-të e kampionatit në basketboll ishte zhvilluar më 10 e 11 shkurt. Më pas u zhvillua turneu final i Kupës e pushimi në kampionat vazhdoi për shkak të dy ndeshjeve të Kosovës.

Dhe gara në Superligë rikthehet fuqishëm, me dy ndeshje të rëndësishme që janë të shtunën.

Prej orës 17:00 në Gjakovë takohen Vëllaznimi e Peja. Ndërkohë prej orës 19:00 është ndeshja Bashkimi – Golden Eagle Ylli që zhvillohet në Prizren.

Vëllaznimi e organizoi turneun e Kupës, por vetë u ndal në ndeshjen e parë, përkatësisht në çerekfinale. Në çerekfinale ishte ndalur edhe Peja, që të enjten mbrëma arriti fitore kundërthënëse ndaj Sigal Prishtinës në Ligën Ballkanike.

Peja ka bërë përforcime të rëndësishme së fundmi dhe synon ta mbrojë titullin e kampionit. Aktualisht është e dyta në tabelë me 36 pikë, katër më pak se Trepça. Vëllaznimi nuk ka bërë ndonjë lëvizje sa i takon lojtarëve, por ka shpalosur synimet për fitore ndaj Pejës. Skuadra gjakovare mban pozitën e pestë me 30 pikë.

Në xhiron e kaluar të Superligës, Vëllaznimi kishte pësuar nga Sigal Prishtina, ndërsa Peja nga Bashkimi.

Bashkimi sërish luan në shtëpi dhe llogarit në përkrahjen e shikuesve për ta mposhtur Yllin. Të dy skuadrat lëvizën gjatë pauzës kampionale, sa i takon lojtarëve. Forca e dy skuadrave që u ndalën në gjysmëfinale të Kupës do të testohet të shtunën prej orës 19:00 në Prizren.

“Pas pushimit synojmë të futemi në ndeshje fuqishëm dhe të koncentruar. Duam të minimizojmë gabimet. Ishim në ritëm të mira para pauzës dhe shpresopjmë të vazhdojmë të luajmë mirë. Yllin e respektojmë, por duhet t'i përmbushim detyrat. Me ndihmën e tifozëve, që janë lojtari ynë i gjashtë, besoj se pikët do të mbesin në Prizren”, ka thënë trajneri i Bashkimit, Alek Joncevski.

Ish-lojtari i NBA-së, Terrance Ferguson, është përforcimi i madh i Bashkimit për vazhdim të kampionatit.

Ndërkohë Ylli i Suharekës është përforcuar me Vince Cole e Aaron Jones. Rrjedhimisht skuadra suharekase do të ketë pamje tjetër duke nisur nga ndeshja me Bashkimin.

Ylli është i katërti në tabelë me 33 pikë, ndërsa Bashkimi i gjashti me 29.

Xhiroja e 22-të vazhdon të dielën me dy ndeshjet tjera. Fillimisht prej orës 17:00, Trepça e pret Istogun. Pasi e fitoi Kupën, skuadra mitrovicase synon të vazhdojë me fitore në Superligë. Nuk pritet të ketë telashe ndaj Istogut të vendit të fundit. Trepça është në seri prej 14 fitoreve në kampionat. Istogu është i fundit në tabelë me 22 pikë, përkatësisht me një fitore e 20 humbje.

Xhiroja mbyllet me ndeshjen Proton Cable Prizreni – Sigal Prishtina, që zhvillohet të dielën prej orës 19:00. Prishtina llogaritet favorite.

Superliga – XXII

E shtunë

Vëllaznimi – Peja (17:00)

Bashkimi – G. E. Ylli (19:00)

E diel

Trepça – Istogu (17:00)

P.C. Prizreni – S. Prishtina (19:00)


1. Trepça 21 40

2. Peja 21 36

3. S. Prishtina 21 35

4. G. E. Ylli 21 33

5. Vëllaznimi 21 30

6. Bashkimi 21 29

7. P.C. Prizreni 21 27

8. Istogu 21 22