Prishtinë, 27 janar – Elbasan Rashani nuk ka folur për asnjë medium qëkur u transferua te skuadra turke, Erzurumspor nga ajo norvegjeze, Odd. Pjesë e Erzurumsporit u bë në fillim të javës, ndërsa nga klubi nuk është bërë e ditur kohëzgjatja e kontratës së tij. Por, ajo që dihet është se transferimi i Rashanit te Erzurumsporit e ka çuar në 12 numrin e lojtarëve shqiptarë që këtë edicion do të luajnë në Superligën e Turqisë.
Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës është i fundit që u bë pjesë e futbollit turk. Cilësohet, madje, si numri më i madh i futbollistëve shqiptarë që ndonjëherë kanë luajtur në futbollin elitar të Turqisë.
“Është kënaqësi kur dëgjon që shqiptarët po ecin para”, ka thënë për KOHËN të mërkurën futbollisti i Denizlisporit, Veton Tusha.
Edhe Tusha në fillim të muajit nga Vardari i Shkupit kompletoi transferimin te Denizlispori, skuadër që garon në Superligën e Turqisë. Ai në debutim kundër gjigantit turk, Galatasaray, shënoi golin e vetëm në humbjen 6:1, ndërsa është lënduar para ndeshjes së zhvilluar në fundjavën e shkuar kundër Karagumrukut.
“Do të mungoj një ose dy javë, por do të kthehem sërish dhe shpresoj të stabilizohem. Planet e mia janë të mëdha. Ky është vetëm fillimi për mua. Unë në Denizlispor kam ardhur direkt në ekipin e parë. Është ngritje për mua kalimi te Denizlispori, por synimin e kam që në një të ardhme të shpejtë të depërtoj në Evropë, përkatësisht në Premier League, si dhe te Përfaqësuesja A e Kosovës”, është shprehur Tusha që ka qenë i rregullt te Kosova U-19, ku edhe është kapiten.
Edhe Zymer Bytyqi u bë pjesë e Konyasporit në janar të këtij viti dhe kalimin në Turqi e ka vlerësuar hap para në karrierë. Por, si Tusha edhe Bytyqi beson se kalimi në Konyaspor do të jetë “trampolinë” për të bërë karrierë të madhe.
“Mendoj se kalimi në Turqi është një hap shumë i madh dhe i rëndësishëm në karrierën time, i cili jam i bindur se do të më ndihmojë që të kem më shumë mundësi edhe te Kosova. Është një ekip dhe ligë e mirë dhe nëse kam hapësirën e duhur, atëherë do të merrem edhe më shumë parasysh te Kosova që këtë vit nis ciklin eliminator për Botërorin e vitit 2022”, pati thënë ditë më parë për KOHËN sulmuesi Bytyqi.
Për Konyasporin ka asistuar dy herë në katër ndeshje në Superligën turke. Pjesë e Konyasporit është edhe Erdon Daci nga Shkupi. Daci ka shënuar dy gola në tetë ndeshje. Dy golat i ka realizuar ndaj Galatasarayt. Sulmuesi thekson se synimet i ka më të mëdha. E synim e ka Kampionatin e Italisë, që ndryshe njihet si Serie A.
“Kampionati i Italisë mendoj se më përshtatet më së shumti, por karrierës nuk i dihet. Unë do të mundohem të kaloj në ndonjë klub ku do ta gjej hapësirën për të luajtur”, ka pranuar Daci.
Në fakt, edhe në të kaluarën kanë luajtur futbollistë shqiptarë në Turqi, por numri aktual vlerësohet më i madhi. Madje, mund të rritet, meqë mund të ketë lëvizje të tjera të futbollistëve shqiptarë. Një prej futbollistëve që në të kaluarën ka luajtur në elitën turke është edhe Debatik Curri. Ai aktualisht është ndihmëstrajner te Prishtina, por karrierë si futbollist ka bërë te Gençlerbirligi.
“Mendoj që Superliga e Turqisë është goxha e fortë, sepse kam luajtur edhe vetë në atë ligë. Është një trampolinë e mirë për të shkuar shumë më larg. Në Turqi kanë luajtur shumë lojtarë që sot luajnë nëpër liga të forta dhe këtë duhet ta shfrytëzojnë edhe lojtarët shqiptarë. Është ligë e mirë për lojtarët shqiptarë që mund ta shfrytëzojnë të shkojnë në ndonjë kampionat edhe më të fortë”, ka thënë Curri.
Më herët pjesë e futbollit turk është bërë edhe Florent Hadërgjonaj. Ai është pjesë e Kashimpashës, derisa menaxheri i tij, Erdin Shaqiri, thotë se Superliga e Turqisë është ligë e mirë për të bërë hapin e radhës.
“Superliga e Turqisë është një ligë e mirë për të bërë hapin për ligat e mëdha. Është një mundësi e mirë për lojtarët që dëshirojnë ta ngrenë formën. Kemi parë shumë lojtarë të mëdhenj që kanë shkuar të luajnë në Turqi. Interesimi gjithnjë është nga klubet e Turqisë, por edhe interesi i lojtarëve të luajnë për klubet në Turqi. Për shembull, Florenti është shumë i kënaqur dhe po luan rregullisht. Kjo po vërehet edhe te paraqitjet te Kosova. Ai është ndër më të dalluarit dhe me formën më të mirë fizike te Kosova”, ka thënë Shaqiri për KOHËN.
12 futbollistët shqiptarë të Superligës së Turqisë
Kemal Ademi (Fenerbahçe), Elbasan Rashani (Erzurumspor), Veton Tusha (Denizlispor), Jetmir Topalli (Yeni Malatyaspor), Omar Imeri (Antalyaspor), Idriz Voca, Endri Çekiçi (Ankaraguçu), Zymer Bytyqi, Sokol Cikalleshi, Erdon Daci (Konyaspor), Loret Sadiku, Florent Hadërgjonaj (Kashimpasha)
