Sport

Superliga e shumë fushave sintetike

Skuadra e Drenicës është e detyruar që edhe ndeshjen e radhës si vendase ta luajë jashtë Skenderajt. Fusha me bar sintetik në Drenas sërish do të jetë shtëpia e “kuqezinjve” për duelin e Superligës ndaj Besës së Pejës që luhet këtë vikend. Në terrenin e njëjtë, Drenica e luajti edhe ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Kosovës kundër Ulpianës, të cilën e fitoi 4:0 dhe kaloi në çerekfinale. Stadiumi “Bajram Aliu” në Skenderaj, aty ku i luan ndeshjet si vendase Drenica, nuk do të mund të shfrytëzohet të paktën edhe në fundjavën që po vjen, shkaku i gjendjes jo të mirë pas të reshurave të borës dhe shiut në kohët e fundit.

Kryetari i Drenicës, Ilir Veliqi ka thënë për KOHËN se shumë shpejt do të kthehen në arenën e tyre të vërtetë. Ai tregon se vetëm edhe ndeshja e radhës do të luhet në Drenas.

“Ne e kemi zhvilluar ndeshjen e Kupës kundër Ulpianës në Drenas në fushën me bari sintetik. Po ashtu, edhe ndeshjen e radhës në kampionat, kemi vendosur ta luajmë në Drenas, për shkak se në Skenderaj nuk duam që ta dëmtojmë fushën. Bora që ka rënë e ka rënduar fushën dhe nëse ne luajmë në kushte të tilla, atëherë do ta dëmtonim shumë. Fushës në stadiumit e Skenderajt ende nuk i është bërë mirë drenazhimi. Në vjeshtë e kemi pasur një prej fushave më të mira në Superligë dhe nuk duam ta dëmtojmë. Shpresoj që të përmirësohet moti dhe të kthehemi në fushën tonë”, u shpreh Veliqi.

Sipas tij, investimet që janë bërë në arenën “Bajram Aliu” kanë qenë “faza-faza” dhe si pasojë e kësaj stadiumi është në gjendje jo të mirë.

“Investimet kanë qenë faza-faza. Derisa ka përfunduar njëra fazë, tjetra është prishur”, deklaroi Veliqi duke shtuar se Drenicës në asnjë mënyrë nuk i konvenon që ndeshjet si vendase ti luajë jashtë Skenderajt. “Ne e falënderojmë Feronikelin që na ka mundësuar që të luajmë në atë terren sintetik, të cilin e ka pranuar edhe Federata e Futbollit e Kosovës. Drenicës nuk i konvenon të luajë jashtë Skenderajt si vendase pasi kemi shpenzime të mëdha. Plus, dihet që ndeshjen e radhës e kemi kundër Besës. Kjo skuadër stërvitet dhe luan në fushë me bari sintetik, kurse ne në fushë me bar natyral”.

Mirëpo, nuk është vetëm Drenica që nuk po luan në stadiumin e saj këtë edicion në elitën e futbollit kosovar. Aktualisht, tri prej dhjetë ekipeve të Superligës nuk po i zhvillojnë ndeshjet si vendase në stadiumet e tyre. Ndërsa, edhe dy të tjera ka gjasa të mëdha që të zhvendosen në fusha me bari sintetik. Në fakt, për momentin ndeshjet me bar sintetik krahas Drenicës, po i luajnë edhe Ballkani, Llapi, Arbëria e Besa.

E kur këtyre skuadrave u shtohen edhe Drita e Gjilani, atëherë 70 për qind ekipeve të Superligës do t’i zhvillojnë ndeshjet në fusha me bar artificial në stinorin pranveror. Ky bar artificial në vendet e rajonit ka nisur të mos përdoret, pasi po konsiderohet nga ekspertët si kancerogjen. Në javët e ardhshme, vetëm Prishtina, Feronikeli dhe Trepça ’89 mund të jetë ekipet që do t’i luajnë ndeshjet në fusha me bar natyral.

Drita e Gjilani pritet të zhvendosen në stadiumi i qytetit

Fatin e njëjtë sikurse Ballkani, Llapi, Arbëria e Besa mund ta ketë edhe Drita e Gjilani pasi stadiumi i qytetit është duke u rinovuar tash e një kohë të gjatë. Madje, nuk ka një datë të saktë se kur do të përfundojë rinovimi i këtij stadiumi. Drita dhe Gjilani, nëse jo në këtë sezon, atëherë në edicionin e ardhshëm detyrimisht do të barten në fushat me bari sintetik. Drejtori i Dritës, Feti Murseli, ka deklaruar për KOHËN se për momentin nuk kanë ndonjë njoftim që ta lirojnë stadiumin e qytetit. Sipas tij, më së largu në verë do të jenë të detyruar të luajnë në fusha me bar sintetik.

“Ne si klub nuk kemi marrë asnjë komunikatë për këtë as nga Komuna e Gjilanit, e as nga kontraktori që është duke i kryer punimet në stadiumin e qytetit. Këtë sezon e përfundojmë në këtë stadium sigurt, pasi është paraparë që pas këtij sezoni ne nuk mund t’i zhvillojmë ndeshjet në stadium. Ky edicion parasheh që ndeshjet të luhen në stadiumin e qytetit, edhe pse punimet janë ndalur përreth tribunave dhe nuk dihet se kur do të fillojnë ose kur do të përfundojnë. Por, ne e kemi si opsion të dytë, stadiumin alternativ me bar sintetik afër dhe s’e besoj që nëse duhet, do të zhvendosemi atje”, tha Murseli.

Murseli thotë se do të jetë problem shumë i madh për Dritën që t’i luajë ndeshjet në fushën me bar sintetik. Ai beson që me kalimin e pandemisë, tifozët do të kthehen në tribuna dhe kjo mund të jetë një goditje tjetër për Dritën pasi nuk ka hapësirë të mjaftueshme për ata në fushën me bari artificiale. Në situatë të njëjtë si Drita është edhe ekipi tjetër i qytetit, Gjilani. Dhe, zyrtarët e klubit pranojnë se ka gjasa qysh këtë edicion të zhvendosen në stadiumin me bari sintetik.

“Ka shumë mundësi që shkaku i gjendjes së keqe në stadiumin e qytetit, të zhvendosemi në stadiumin me bari sintetik, që është i licencuar në FFK. Kjo situatë është problematike, sepse edhe stadiumi me bar sintetik nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme”, tha Sevdail Robelli, drejtori i Gjilanit. “Vonesat në rinovimin e stadiumit të qytetit janë të dëmshme për ekipin tonë, sepse na kanë krijuar pengesa në zhvillimin e stërvitjeve dhe ndeshjeve. Shpresojmë që këtë vit të përfundojë ky projekt”.

Probleme me infrastrukturën kishte edhe Prishtina para dy vjetëve, kur luante si vendase në Pejë, Drenas e Obiliq derisa stërvitjet i kryente në stadiumin e 2 Korrikut dhe fushat tjera. Feronikeli e kishte fituar titullin e parë në histori të klubit duke i luajtur të gjitha ndeshjet si mysafir. Festën e titullit, ekipi nga Drenasi e kishte organizuar në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, aty ku i luante ndeshjet si vendas. Kjo kishte ndodhur në sezonin 2014/2015.

Arbëria mysafire

Arbëria që nga fillimi i sezonit është duke i luajtur takimet si vendase jashtë Lipjanit. Së pari ishte vendosur në Obiliq, pastaj u zhvendos në stadiumin e Flamurtarit në kryeqytet. Ndërkaq, në pranverë po luan i luan ndeshjet në stadiumin e Ferizajt me bari sintetik. Krejt kjo po ndodh, pasi në Dobrajë stadiumi ende nuk është rregulluar tash e disa vjet. Të gjitha këto sipas trajnerit Arbnor Morina janë probleme që po e mundojnë shumë skuadrën që tërë kohën është në lëvizje.

“Ne jemi klub i cili të gjitha ndeshjet i luajmë si mysafirë dhe për këtë duhet t’u falënderohem futbollistëve për atë që po tregojnë në fushë dhe për rezultatet që i kanë arritur. Po ashtu, edhe presidentin i cili po bën shpenzime shtesë me dëshirën që ekipi të ketë kushte optimale për punë. Problemi i fushave për ndeshje dhe për stërvitje është problem domethënës”, tha Morina.

Ish-trajneri i shumë skuadrave kosovare dhe futbollist i gjeneratës së artë të Prishtinës, Morina mendon se shteti duhet të bëjë më shumë për sportin. Ai shtoi se shumë stadiume janë nisur dhe nuk dihet se kur përfundojnë.

“Mendoj që shteti duhet të jetë më serioz për ndërtimin e fushave dhe renovimin e stadiumeve. Njëkohësisht disa stadiume janë kantiere ndërtimi që disa vite dhe assesi të përfundojnë, e që janë kryekëput të lidhura me Komuna dhe me Ministrinë e Sportit. Komunat si pronare dhe investitore së bashku me ministrinë, si duket futbollin edhe më tutje po e konsiderojnë si zbavitje, e jo punë të rëndë fizike dhe psikike, ashtu siç e konsideron e gjithë bota”, u shpreh Morina.

Jashtë stadiumit “Shahin Haxhiislami” po luan edhe Besa e Pejës pasi arena në qendër të qytetit është duke u rinovuar gati për një dekadë. Madje, nuk dihet saktë se kur do të përfundojë. Pejanët po i zhvillojnë ndeshjet si vendas në Brestovik të Pejës, në fushën me bari artificial.

Jo vetëm klube e Superligës dhe ligave tjerë përballen me kushtet aspak të mira infrastrukturore. Probleme kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë edhe përfaqësueset e Kosovës, sidomos ato të grupmoshave të reja dhe ekipet e femrave. U21, U19, U17, U15 dhe përfaqësuesja A e femrave zakonisht stërviten në stadiume të ndryshme në vend. Kosova aktualisht e ka vetëm një stadium që i plotëson kriteret ndërkombëtare për zhvillimin e ndeshjeve. Është stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, i cili ka qenë i stërngarkuar me ndeshje ndërkombëtare të përfaqësueseve dhe klubeve kosovare në garat evropiane.

Sa i përket infrastrukturës, investimet kryesore janë bërë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kanë ndihmuar herë pas here edhe Komunat. Për vonesat e shumta që kanë zgjatur me dekada në disa stadiume e palestra, MKRS-ja fajin vazhdimisht ua ka lënë procedurave dhe kompanive që i kanë zvarritur punimet. Ndërkohë, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, në takimin që kishte me klube vitin e kaluar, kishte paralajmëruar që duelet e Superligës në një të ardhme të afërt duhet të luhen në terrene me bari natyral.

Pranë FFK-së, është edhe Komisioni për inspektimin dhe licencimin e objekteve sportive, i cili në shumë raste e ka mbyllur njërin “sy” duke pranuar edhe fushat që nuk i plotësojnë kushtet që kërkohen. Infrastruktura cilësohet nga njohësit e sportit si ndër pikat më të dobëta të kësaj fushe.