Përfaqësuesja e Kosovës U19 në futboll të sallës ka kaluar në rundin kryesor të Evropianit, që do të organizohet këtë vit në Poreç të Kroacisë.
“Dardanët” e rinj të shtunën fituan me rikthim të rezultatit ndaj Maqedonisë së Veriut, dhe siguruan kalimin tutje nga vendi i parë në Grupin C. Në këtë grup ishte edhe Gjermania.
Maqedonia e Veriut, që ishte nikoqire e grupit, kishte krijuar epërsi prej dy golave në pjesën e parë, por Kosova fitoi në fund me rezultatin 6:3.
Jetnor Kabashi dhe Blend Krasniqi shënuan nga dy gola secili dhe nga një realizuan Ideal Abdullahu dhe portieri Blend Bajraktari, për fitoren e madhe të Kosovës.
“Në zhveshtore biseduam me djemtë pas pjesës së parë dhe me t’u kthyer në parket, djemtë treguan karakter të lartë të futbollit dhe ia arritëm qëllimit të kualifikohemi tutje. Ky është një hap i madh për Kosovën. E falënderoj kryetarin Agim Ademi që na mundësoi të marrim lojtarë nga futbolli i madh. Me bashkëpunëtorin tim, Haki Ahmetin, kemi parë lojtarët dhe i kemi përzgjedhur. I falënderoj edhe trajnerët që kanë bërë të pamundurën, pasi kam kërkuar nga ta të më dërgojnë lojtarët më të mirë të aspektit teknik dhe taktik, të cilët mund të luajnë futboll të vogël. Djemtë treguan se janë lojtarë me karakter. I përgëzoj dhe i uroj të gjithë për suksesin”, ka thënë trajneri Suad Keçi të shtunën për KOHËN.
Jusuf Josifovski dhe Igor Skeoarovski shënuan në pjesën e parë, ndërsa Bojan Janev shënoi në fund nga penalltia. Pjesë e Maqedonisë së Veriut ishte edhe portieri shqiptar Enis Fera.
Kosova e udhëhequr nga trajneri Suad Keçi kalon tutje si e para nga Grupi C me katër pikë, pasi në takimin e parë barazoi me Gjermaninë, 3:3.
Gjermania 3:3 barazoi edhe Maqedonia e Veriut në ndeshjen e parë 3:3.
Vetëm fituesi i grupit siguron kalimin tutje në fazën preliminare.
Kosova U19 në ndeshjet e zhvilluara në Shkup pati vetëm dy lojtarë të futsallit. Pjesa tjetër e grupit bën karrierë në futboll.
Dhe kjo ishte brengë për selektorin Keçi.
Ai di mirë se faza e ardhshme e kësaj gare do të jetë shumë më e vështirë.
Kosova në “Main Round” do të udhëtojë në Portugali për të luajtur në Grupin 3.
Grupi 3 përveç Portugalisë si nikoqire, përfshinë edhe Sllovakinë dhe Bjellorusinë.
Ndeshjet e këtij grupi luhen nga 21 deri më 26 mars.
Portugalia ishte finaliste e edicionit 2022 dhe gjysmëfinaliste në vitin 2019.
“Do të shohim se si do të rrjedhin gjërat deri në muajin mars. Ne do të punojmë fort dhe do të mundohemi që të arrijmë një tjetër sukses, për t’i bërë krenarë të gjithë shqiptarët. Mendoj se do ta kemi shumë më vështirë se që e kishim. Dihet futsalli të cilin e aplikon Portugalia dhe Bjellorusia. Këto dy shtete e kanë futsallin më të mirë se shtetet e tjera. Megjithatë, ne do të mundohemi të japim maksimumin siç kemi bërë gjithmonë”, ka thënë selektori Keçi.
Në “Main Round” do të jenë shtatë grupe gjithsej.
Vetëm fituesit e shtatë grupeve kalojnë tutje në Evropianin e Poreçit që zhvillohet në muajin shtator.
Kosova kishte marrë pjesë në këtë garë edhe në vitin 2019.
Fituese e atij edicioni, që ishte edhe inaugurues, ishte Spanja.
Spanja e fitoi edhe edicionin tjetër, atë të vitit 2022. Synon që ta vazhdojë dominimin.