Sport

Suksesi në Kampionatin e Kosovës motivon karateistët për Evropian

Elmedina Istogu e vlerëson sukses të madh triumfin në Kampionatin e Kosovës në karate, që u mbajt të dielën në Prishtinë. Ajo triumfoi në kategorinë deri 61 kilogramë.

Titulli, Istogut dhe kampionëve të tjerë të Kosovës ua hap rrugën për pjesëmarrje në Evropianin që mbahet në Zarë të Kroacisë nga 8 deri më 12 maj.

Kampionati shtetëror i së dielës ishte për kadetë, juniorë, grupmoshën U21 dhe seniorë. Kampionët thonë se qëllimi në Evropian nuk është vetëm pjesëmarrja. Synim janë medaljet.

“Të jesh kampione e Kosovës është shumë e madhe për ne, por për atë që pretendoj unë, është hap i vogël në karrierë. Po presim kampionatin që vendos kush të shkojë. Unë do të jem njëra prej atyre dhe më mbetet të vazhdoj të përgatitem për Evropianin, ku shpresoj të kthemi me medalje”, ka thënë Istogu.

Në Federatën e Karatesë së Kosovës janë ndarë të kënaqur me pjesëmarrjen. Thonë se selektori do të ketë pasqyrë për garuesit që do t’i përzgjedhë për Evropianin e Kroacisë.

Edhe për kampionin e kategorinë deri 60 kilogramë, Islam Selmani, titulli do të jetë motiv për suksese të tjera.

“Është mjaft i madh sepse më jep motiv të stërvitem edhe më shumë për të shkuar në Evropian dhe Botëror dhe të kthehem me sukses”, është shprehur Selmani.

Dy vjet më parë Selmani pati fituar medalje të artë në Evropian për kadetë, juniorë dhe grupmoshën U21.

Rezultatin e freskët ndërkombëtar e ka Alma Loki. 19-vjeçarja fitoi medaljen e artë në kata në Ballkanikun për seniorë.

Kampione doli edhe në Kosovë, ndërsa tjetër sukses synon në Kroaci.

“Pas suksesit në Ballkanik, është ndjenjë e mirë të shpallesh kampione edhe e Kosovës. Synimi është suksesi në Evropian që mbahet në maj në Kroaci”, ka theksuar Loki.

Sekretari i FKK-së, Nazmi Gashi, tha se kanë qenë 41 klube pjesëmarrëse në Kampionatin e Kosovës.

“Ishin, siç po thuan disa, edhe nga ai krah, edhe nga krahu tjetër. Dhe, në Evropian selektori kam bindjen se do t’i përzgjedhë më të mirët”, ka thënë Gashi.

Gashi është i bindur se nuk do të diskriminohet asnjë garues, ani pse ka ndarje në komunitetin e karatesë.

Për shkak të ndarjeve më herët ka pasur akuza se janë lënë shumë garues jashtë ngjarjeve të rëndësishme.

Komuniteti i karatesë është i ndarë në dy grupe. Zgjidhje ende nuk ka, ndërsa Federata vazhdon ta ketë licencën e pezulluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.