Skuadra e Ramiz Sadikut, që garon në Ligën e Parë të Kosovës në futboll, është gjysmëfinaliste e Kupës. Të enjten Ramiz Sadiku mposhti KEK-un me rezultatin 2:1, me golat e Guri Hanës (3’) dhe Armend Misinit (48’). Golin e vetëm për “elektricistët” e realizoi Meridian Ramadani (57’).
Ekipi nga Prishtina është i vetmi nga rangu i dytë i garave që ka arritur në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Në gjysmëfinale janë kualifikuar të mërkurën Llapi, Prishtina dhe Drita.
Për Ramiz Sadikun është hera e parë pas luftës që kualifikohet në gjysmëfinale.
“Në periudhën e pasluftës është hera e parë që jemi kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Ky është një sukses i radhës i klubit tonë. E gjithë merita është e lojtarëve, stafit të trajnerëve e po ashtu edhe e kryesisë që është duke u qëndruar të gjithëve pranë. Ne jemi të përkushtuar që hap pas hapi ta bëjmë Ramiz Sadikun një skuadër konkurrente në futbollin e Kosovës. Falë investimit të MKRS-së në stadium, kushtet janë rregulluar dhe fëmijët e klubit e po ashtu edhe ekipi i seniorëve po kanë mundësinë e punës më të lehtë. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm dhe rrit motivin tek ekipi”, ka thënë Agron Mecinaj, drejtor i përgjithshëm i Ramiz Sadikut.
Trajneri i skuadrës nga Prishtina, Elon Berisha, ka thënë për KOHËN se KEK-un e kanë analizuar dhe ia kanë dalë që ta bllokojnë në pikat më të forta të tij.
“Kundër KEK-ut kemi zhvilluar shumë ndeshje në të kaluarën dhe e dimë që dhuron futboll të bukur dhe kryesisht kërkon posedimin e topit. Besoj se duhet të përmendet disiplina ekipore në fazën defansive. Jemi munduar të mos lejojmë aksionet në qendër, ku rreziku është i madh. Pikërisht shfrytëzimi i gabimeve dhe pakujdesisë së kundërshtarit ishin kyç në ndeshje”, u shpreh Berisha.
Ai pohon se kalimi në gjysmëfinale nuk është rastësi për Ramiz Sadikun.
“Me këtë grup të lojtarëve jemi tash e dy vjet, me disa ndryshime të vogla, dhe ky rrugëtim deri këtu nuk është rastësi, por punë afatgjate. Duke parë edhe kundërshtarët të cilët i kemi eliminuar në fazat e mëhershme, kemi qenë mjaftë optimistë për kalim tutje edhe në këtë fazë. Gjithmonë duke respektuar dhe duke mos neglizhuar edhe kundërshtarin që kemi pasur sot, KEK-un”, tha Berisha. “Është shumë ndjenjë e veçantë e po ashtu jam edhe shumë i emocionuar në të njëjtën kohë duke marrë parasysh që tash gjendemi në mesin e katër ekipeve më të mira në Kosovë. Ky është promovim shumë i mirë për klubin tonë, lojtarët dhe po ashtu për stafin e trajnerëve”.
Trajneri i Ramiz Sadikut vlerëson lart kundërshtarët e mundshëm në gjysmëfinale. Ai premton angazhim dhe thotë se askush të mos mendojë se do ta ketë të lehtë përballjen me ekipin prishtinas.
“Prishtina, Drita dhe Llapi janë ekipe me emër, të forta dhe me traditë në futbollin e Kosovës. Në të kaluarën kemi parë mjaftë ekipe nga një rang më i ulët të cilat kanë shkuar deri në finale. Ne do ta bëjmë maksimumin kundër çdo kundërshtari të radhës, duke u munduar ta nxjerrim më të mirën, por pa ndonjë presion drejt lojtarëve. Rastësi nuk është që jemi këtu dhe kundër Ramiz Sadikut ndeshje të lehtë nuk do të ketë”, deklaroi ai. “Ramiz Sadiku veçohet si klub i mundësive për promovimin e aftësive të lojtarëve të rinj dhe plasimi i tyre drejt niveleve më të larta si vendore ashtu edhe ndërkombëtare. Këtë mundësi të dhënë po e shfrytëzoj edhe unë si trajner dhe për këtë i jam falënderues Kryesisë”.