Futbollistët e Lirisë së Prizrenit, Prins Tjiueza dhe Aprocious Petrus e përshkruajnë me pak fjalë fitoren historike të Namibisë në Kupën e Afrikës. “Ëndërr e bërë realitet”, thanë dy mesfushorët e Lirisë të mërkurën për KOHËN.
Namibia të martën arriti fitore të jashtëzakonshme kundër Tunizisë, në ndeshjen hapëse të Grupit E të Kupës së Afrikës.
“Gjetëm forcë edhe të festojmë. Jemi të lodhur nga ndeshja. Nuk po më punojnë duart nga lodhja”, ka theksuar Tjiueza, i cili mban fanellën me numrin 10 te përfaqësuesja e Namibisë.
“Ishte fitore e madhe, fitore për familjet dhe popullin tonë”, ka vazhduar ai.
Tjiueza startoi dhe u zëvendësua në minutën e 73-të, ndërsa Petrus e kompletoi ndeshjen për Namibinë.
“Jam shumë i lumtur dhe shumë i motivuar”, ka thënë Petrus. Ai mban numrin 18 në fanellë.
“Ishte një fitore shumë e madhe. Festuam, por më pas iu kthyem normalitetit. Do ta vazhdojmë luftën tonë, qëllimin tonë që kemi në Kupën e Afrikës”, është shprehur tutje Petrus.
Në grup me Namibinë dhe Tunizinë janë edhe Afrika e Jugut dhe Mali. Ndeshjen e dytë Namibia e ka kundër Afrikës së Jugut më 21 janar, kurse më 24 janar luan ndeshjen e fundit ndaj Malit.
“Shpresoj ta bëjmë krenar vendin duke siguruar fazën nokaut”, ka theksuar Tjiueza.
Që nga pavarësia e saj nga Afrika e Jugut në vitin 1990, ragbi ka qenë sporti që i ka dhënë Namibisë më shumë sukses. Namibiasit kanë luajtur radhazi në shtatë Kupa të Botës në ragbi që nga paraqitja e parë në vitin 1999. Kriketi po ashtu ka popullaritet në vendin me 2.6 milionë banorë. Atleti më i famshëm nga Namibia është Frenkie Fredericks. Ai fitoi katër medalje të argjendta olimpike në garat 100 dhe 200 metra. Futbolli namibias kurrë nuk ka prekur nivele serioze. Namibia nuk është paraqitur asnjëherë në Kupën e Botës.
“Paraqitja në Botëror është ëndërr për mua. Por tani po e shijojmë paraqitjen në Kupën e Afrikës”, thotë Tjiueza.
Në tri pjesëmarrjet e mëparshme në Kupën e Afrikës, Namibia kishte përfunduar pa fitore dhe ishte eliminuar në fazën e grupeve. Mezi kishte arritur dy barazime. Gjithçka ka ndryshuar në Bregun e Fildishtë, ku po mbahet Kupa e Afrikës 2024.
Fitorja ndaj Tunizisë u vlerësua njëra prej befasive më të mëdha në histori të Kupës së Afrikës. Namibia është vetëm e 115-a në ranglistën e FIFA-s, ndërsa Tunizia është 87-të pozita më lart. Në Botërorin në Katar, Tunizia barazoi pa gola me Danimarkën dhe e mposhti Francën, por megjithatë nuk e kaloi grupin.
Sa i takon Kupës së Afrikës, Tunizia ishte kampione në vitin 2004, ndërsa në vitin 2021 arriti në çerekfinale.
“Ndjeva një gëzim që nuk mund ta përshkruaj. Jam krenar që jam nga Namibia. Unë vetëm mund të imagjinoj se çfarë po ndodh në rrugët e vendit tonë tani. Kjo fitore është e tyre”, tha trajneri i Namibisë, Collin Benjamin pas fitores historike.
Kontribut në suksesin historik kanë dhënë edhe dy lojtarët e rinj të Lirisë së Prizrenit. Tjiueza është 21-vjeçar, ndërsa Petrus 24-vjeçar. Liria nuk ka shkëlqyer në vjeshtë, por mund të përfitojë prej momentit për pranverë. Nëse vazhdojnë me fitore, Prinsi e Aprocius Petrusi do të synojnë nivel më të lartë se që e ka aktualisht Liria.