Trepça synon fitore në ndeshjen e parë zyrtare të këtij viti. Skuadra nga Mitrovica, që stinorin vjeshtor të Superligës së Kosovës në basketboll e përfundoi e para në tabelë, është gati ta forcojë këtë pozitë me triumf ndaj kampionit në fuqi, Golden Eagle Yllit.
Dueli mes Trepçës edhe Yllit e hap stinorin pranveror të elitës së basketbollit kosovar dhe luhet të mërkurën prej orës 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Ylli e mbylli stinorin vjeshtor më pikë të njëjta sikur Trepça, 24, por është i dyti në tabelë për shkak të koshdallimit më të dobët.
Basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi, thotë se kanë bërë një fazë të mirë përgatitore dhe janë plotësisht gati për pjesën e dytë të këtij edicioni. Në fakt kjo ndeshje është edhe më interesantja e xhiros së 15-të.
“Jemi munduar të përgatitemi maksimalisht gjatë kësaj periudhe të pushimit dhe mendoj që ia kemi dalë mbanë, ndonëse gjëja e vetme e keqe është që nuk kemi mundur të aranzhojmë ndeshje miqësore për ta parë formën tonë. Megjithatë kemi fond të mirë lojtarësh dhe mendoj se do ta kemi një paraqitje të mirë, e cila do të na e sjellë edhe fitoren përballë Yllit”, ka thënë Hajrizi të martën për KOHËN.
“Edhe ne, por edhe Ylli, kemi bërë ndërrime në ekip dhe mbetet të shihet se si do të reagojmë. Ballafaqohen dy ekipet më kualitative në ligën tonë, kështu që do të jetë një ndeshje interesante dhe shumë e fortë. Në fund skuadra që do të jetë më e fokusuar do ta fitojë këtë derbi”.
Në stinorin pranveror Trepça do të futet me dy përforcime. Qendra Ryan Wright dhe fundori Corban Collins do të debutojnë ndaj Yllit, ndërsa Amin Hot do të llogaritet vendor, pasi ka marrë nënshtetësinë e Kosovës.
Përderisa Trepça është përgatitur në Mitrovicë, skuadra e Yllit pjesën e fundit të përgatitjeve e ka bërë në Shqipëri, përkatësisht në Durrës. Në dy ndeshjet e luajtura në stinorin vjeshtor, ekipet e kanë nga një fitore. Trepça ka triumfuar në Mitrovicë (72:69) në xhiron e parë, përpara se të mposhtej në Suharekë me shifrat 91:68. Tek Ylli synojnë që stinorin pranveror ta nisin ashtu siç e mbyllën atë vjeshtor, me fitore. Kështu ka paralajmëruar njëri prej basketbollistëve më të mirë të Yllit, Erjon Kastrati. Ai ka thënë se synimi i Yllit këtë edicion është të luftojë për të gjithë trofetë. Krahas mbrojtjes së titullit të kampionit të Kosovës, Ylli synon ta mbrojë edhe trofeun e fituar në Ligën Unike, si dhe ta fitojë Kupën e Kosovës për herë të parë në histori të klubit.
“Padyshim që nesër na pret një prej kundërshtarëve më të fortë në ligë. Trepça është ekip i organizuar shumë mirë dhe luftarak. Me natyralizimin e Amin Hot dhe ardhjet e reja i është shtuar ekipit edhe më shumë kualitet, prandaj presim ndeshje shumë të vështirë. Ne jemi të vetëdijshëm që vetëm nëse japim maksimumin do të kemi mundësi për rezultat pozitiv”, është shprehur Kastrati.
Kjo xhiro do të mbyllet të enjten me dy ndeshje të tjera. Në Gjilan, Drita, që është ekipi i vetëm në Superligë që nuk di ende për fitore, e pret skuadrën e Sigal Prishtinës. Ndërsa në palestrën “Karagaçi” luhet dueli mes Pejës dhe Bashkimit. Të dy ndeshjet startojnë prej orës 19:00.
Superliga – 15
E mërkurë
Trepça – G.E. Ylli (19:00)
E enjte
Peja – Bashkimi (19:00)
Drita – S. Prishtina (19:00)
1. Trepça 14 24
2. G.E. Ylli 14 24
3. Peja 14 23
4. Prizreni-16 14 23
5. Bashkimi 14 22
6. S. Prishtina 14 21
7. Rahoveci 14 17
8. Drita 14 14