“Katastrofë” e ka cilësuar startin në edicionin 2021/2022 të skuadrës së tij, trajneri i kampiones në fuqi të Kosovës në futboll, Prishtinës, Zekirija Ramadani.
Prishtina në tri ndeshjet e para të edicionit aktual ka fituar vetëm një pikë. Fillimi i kampanjës nuk përshtatet me synimet e Prishtinës për ta mbrojtur titullin e kampionit. Por jo vetëm Prishtina është skuadër pretendente që ka pasur fillim të vështirë të edicionit.
Trajneri Ramadani e ka marrë përgjegjësinë për rezultatet negative në tri ndeshjet e këtij edicioni. Por ai nuk i ka arsyetuar futbollistët.
“Nuk besoj se lodhja në angazhimet në Evropë ka ndikuar. Tri ndeshje një pikë, kjo është një katastrofë që e kemi bërë vetë. Përgjegjësinë maksimale e mbaj unë për këto ndeshje”, ka deklaruar Ramadani pas ndeshjes që Prishtina e humbi nga Drenica, të shtunën, me rezultatin 2:1.
Prishtina është ndër skuadrat më të përforcuara dhe më me përvojë në kampionat. Por deri tash nuk ka arsyetuar me rezultate pritshmëritë.
Në xhiron e parë Prishtina barazoi me Malishevën 1:1 në udhëtim. Malisheva është për herë të parë në elitë, ndërsa Prishtina me fat shënoi golin në fund. Në xhiron e dytë, skuadra prishtinase pësoi disfatë minimale nga Ballkani, që po ashtu ka shpallur kandidaturën për titull të kampionit. Ballkani në xhiron e parë barazoi 2:2 me Dukagjinin e rikthyer në elitë, kurse në xhiron e dytë mposhti Prishtinën me rezultat minimal 1:0. Me vështirësi fitoi edhe të shtunën ndaj Ulpianës. Fitoi në Suharekë 3:2, me golin e shënuar në minutën e fundit të ndeshjes.
Në fund të ndeshjes të shtunën fitoi edhe Drita përballë Malishevës në udhëtim. Shënoi golin e fitores në minutën e 85-të nëpërmjet Ardit Tahirit, derisa fitoren në fund e arriti edhe në xhiron e parë ndaj Feronikelit 2:1, falë Tahirit. Në xhiron e dytë Drita barazoi pa gola me Llapin në Gjilan.
Kapiteni i Dritës, Ardian Limani, pranon se presioni është mbi skuadrat që kanë investuar më shumë këtë edicion.
“Skuadrat që janë përforcuar dhe kanë investuar shumë, kanë presion më të madh dhe po luajnë më me kujdes në këtë fillim të edicionit. Gjithmonë fillimi është i vështirë dhe 5-6 xhirot e para janë më me rëndësi për pikët. Ekipeve u duhet më shumë kohë të komponohen dhe të kuptohet filozofia e lojës”, ka thënë Limani të dielën për KOHËN.
Të vështirë e ka cilësuar këtë edicion edhe trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi. Edhe Gjilani, që po ashtu ka shpallur kandidaturën për titull, ka hasur në vështirësi. Ka shënuar vetëm një fitore, ndërsa ka edhe dy barazime. Në xhiron e parë barazoi 1:1 me Drenicën, kurse të dielën barazoi pa gola me Dukagjinin. Vetëm ndaj Feronikelit në xhiron e dytë fitoi 1:0.
“Është një kampionat i vështirë, nuk ka skuadra që janë inferiore pasi po shohim befasitë që po ndodhin. Disa skuadra janë të organizuara më mirë dhe kanë fondin e mirë të lojtarëve, mirëpo nuk do të thotë që do të jenë vetëm këto skuadra. Kampionati është duke luftuar mjaft shumë dhe Drenica ka bërë gjithashtu ndeshje të mira. Në përgjithësi të gjitha ekipet janë të mira këtë edicion”, deklaroi Munishi pas ndeshjes.
Ky edicion është vlerësuar të jetë më i vështiri dhe me garë më të fortë për faktin se edicionin e ardhshëm do ta sigurojnë daljen në garat evropiane katër klube. Kampioni, nënkampioni, skuadra e vendit të tretë dhe fituesi i Kupës dalin në gara kontinentale, që sjell përfitime të shumta.
Trajneri i futbollit, Gani Sejdiu, thotë se fillimi gjithnjë është i paparashikueshëm dhe ekipet favorite hasin në vështirësi.
“Vështirësitë për të fituar nga favoritët janë evidente, për atë janë edhe rezultatet e ngushta e që është për faktin se ekipet kanë shumë pak diferencë në cilësi. Normal që edhe fillimi i çdo kampionati është i paparashikueshëm dhe ekipet favorite hasin në vështirësi, por me kalimin e kohës gjërat mund të stabilizohen, ku secila skuadër mund të jetë në objektivin e saj e po ashtu si është parashikuar në fillim”, ka thënë Sejdiu për KOHËN.
Ka pasur vlerësime se herët do të ndahet kampionati në dy grupe – në skuadrat që luftojnë për titull dhe ato që luftojnë për mbijetesë. Por tri xhirot e para nuk kanë shkuar në këtë drejtim.