Sport

Stadiumi “politik”

Kosova vazhdon të mbetet pa stadium kombëtar, ndërsa aktualisht ka vetëm një arenë të futbollit që plotëson kriteret ndërkombëtare, stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Janë bërë gati shtatë vjet nga vendimi i parë i Qeverisë së Kosovës për ta nisur ndërtimin e stadiumit kombëtar. Që nga vendimi fillestar janë ndërruar katër kryeministra të Kosovës dhe pesë ministra të Sportit, por arena e futbollit ka mbetur vetëm në letër dhe ende nuk i është vënë as gurthemeli. Madje, fillimi i punimeve nuk duket në horizont.

Fillimisht ishte vendosur që stadiumi gjigant të ndërtohej në Bërnicë të Prishtinës, kurse më pas u ndërrua lokacioni dhe u zhvendos në Korroticë të Drenasit. Krejt kjo u duk si një “luftë” e dy partive politike, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo lojë vazhdon edhe në ditët e sotme. Ende nuk ka vendim për të nisur ndërtimi i impiantit modern.

E vetmja gjë që është bërë deri më tani është projekti që përfshin studimin e fizibilitetit, i cili i ka kushtuar shtetit 1 milion e 440 mijë euro. Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thonë se ende nuk ka asnjë vendim të ri sa i përket stadiumit dhe ndërrimit të lokacionit. Ushtruesi i detyrës së sekretarit të MKRS-së, Ibër Alaj, që për një dekadë ka qenë drejtor i Departamentit të Sportit, ka thënë se pandemia dhe mungesa e mjeteve financiare kanë ndikuar që të mos i fillojnë procedurat.

"Gurthemeli nuk mund të vendoset derisa nuk kemi kontratë dhe derisa nuk sigurohet buxheti. Sa i përket lokacionit, Kosova është e vogël dhe të gjitha tokat apo pronat që janë në Republikën e Kosovës janë tonat, janë të qytetarëve të Kosovës. Për ne është e rëndësishme që të ndërtohet stadiumi kombëtar. Shteti ka para, por nuk ka para të mjaftueshme që një projekt të madh që ka vlerë financiare mbi 60 milionë euro ta fillojë brenda një viti, pasi nuk e ka të garantuar buxhetin", ka deklaruar Alaj.

Ai shton se do të bëhet edhe një vlerësim. Sipas Alajt, vendimi është në fuqi dhe nuk ka vendim të ri për ndërrim të lokacionit. Alaj theksoi se politika nuk është dashur fare të përzihej në këtë projekt.

"Është vendimi në fuqi, është studimi i fizibilitetit dhe ne deri në një vendim tjetër nuk mund të diskutojmë për vendimet që merren nga Qeveria e Kosovës. Këtu nuk është dashur që të hyjë politika, në aspektin profesional të vlerësimeve dhe situatave të cilat e zhvillojnë sportin", tha Alaj.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Imer Mushkolaj, deklaroi për “KOHËN” se partitë politike i fusin duart në çdo sferë të jetës në Kosovë.

Ai nuk është i befasuar as me përdorimin e stadiumit për poenë politikë, përkatësisht për idetë që t’i ndërrohet sërish lokacioni vetëm për të siguruar më shumë vota.

"Varësisht se kush ka ardhur në pushtet e ka shfrytëzuar çështjen e stadiumit për interesat e veta, respektivisht si një lloj magneti për të mbledhur vota, duke nisur prej idesë që stadiumi të vendoset në afërsi të Prishtinës, në Bërnicë, e që kushtimisht thënë votat do të mund t’i shkonin më tepër LDK-së, duke e pasur parasysh edhe pozicionimin e simpatizantëve të saj. Dhe deri te zhvendosja në afërsi të Drenasit dhe logjikisht votat do t’i shkonin PDK-së, duke e pasur parasysh se ai territor e mbështet më shumë Partinë Demokratike të Kosovës", u shpreh Mushkolaj.

Ai thekson se çdo gjë që bëhet nga partitë politike kosovare është vetëm për interesa financiare të tyre. Sipas Mushkolajt, për ndërhyrjen e politikës te Përfaqësuesja e Kosovës fajet i ka edhe FFK-ja. Ka pasur raste kur Përfaqësuesja është shfrytëzuar nga politikanë të caktuar.

"Politika rrallë përzihet në sport në çështjet që nuk kanë të bëjnë me paranë, nuk kanë të bëjnë me miliona, por e kthen vëmendjen, çuditërisht, vetëm kur në fokus janë paratë, mjetet financiare, dhe kështu ka ndodhur edhe me stadiumin. Politika është e pamëshirshme kur vjen puna që ta shfrytëzojë edhe sportin për vota, por nuk është vetëm faji i politikës. Në radhë të parë është faji edhe i drejtuesve të sportit të Kosovës, realisht nëse flasim për futbollin, i Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak se nuk duhet lejuar asnjë politikan, asnjë kryetar partie që t'i shfrytëzojë djemtë e Kosovës për promovime personale", theksoi Mushkolaj.

“KOHA” ka provuar të marrë nga një qëndrim edhe nga ish-ministrat e Sportit, Kujtim Shala i LDK-së dhe Kujtim Gashi i PDK-së, në kohën e të cilëve janë bërë ndryshimet e lokacioneve, por asnjëri nuk ka qenë i gatshëm të flasë.

Ndërkohë, ministrja aktuale e Sportit, Vlora Dumoshi, kohë më parë ka thënë se stadiumi mund t’i kushtojë shtetit 60 deri në 70 milionë euro, por që nuk ka saktësuar se kur mund të nisë ndërtimi i tij.

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, e pranon se FFK-ja nuk është pyetur asnjëherë për vendin, përveç disa rekomandimeve që ka dhënë.

"Roli i Federatës së Futbollit të Kosovës më shumë ka qenë vrojtues, i thjeshtë. Ne u kemi treguar se cilat kritere duhet përmbushur, por pasi Federata nuk ka mjete për të investuar, nuk është pyetur në aspektin formal juridik. Stadiumi nacional së pari do të ishte fenomenal për imazhin e shtetit dhe do të ishte një zgjidhje për 15 vjetët e ardhshme", deklaroi Saihu.

Sekretari Salihu thotë se shkaku i ndërhyrjeve së politikanëve, UEFA dhe FIFA e ka qortuar FFK-në.

"Tash e tutje, edhe UEFA dhe FIFA na kanë tërhequr vërejtjen që do të ketë ndërhyrje. Tash e tutje, duhet të kuptojnë të gjithë dalëngadalë që ndërhyrja në futboll lë pasoja të pariparueshme në komunitetin ndërkombëtar. Këtë na kanë thënë edhe ambasadorët e shteteve të mëdha, të Britanisë, Gjermanisë, Zvicrës etj.", tha Salihu.

I pari që mori vendim për stadiumin kombëtar ishte ish-kryeministri Hashim Thaçi.

Në mbledhjen e ekzekutivit, më 18 mars 2014, kishte marrë vendim që stadiumi të ndërtohej në Prishtinë, pa e cekur vendin, që më vonë u zbulua se ishte Bërnica. Në atë kohë ministër i Sportit ishte Memli Krasniqi. Madje, Thaçi tregonte se edhe sa ulëse do t’i ketë stadiumi.

"Ftoj ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqin, dhe ministrin e Financave, Besim Beqaj, që të nisin menjëherë procedurat që në kornizën afatmesme të shpenzimeve të përfshihet projekti për ndërtimin e një stadiumi të ri dhe modern në Kosovë, Stadiumit Kombëtar të Kosovës, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Stadiumi Kombëtar i Kosovës do t'i ketë 25 deri në 30 mijë ulëse dhe do të ndërtohet në Prishtinë", kishte thënë Thaçi më 18 mars 2014.

Ky vendim mbeti në letër për tre vjet dhe me ndërrimin e pushtetit, kur kryeministër u zgjodh Ramush Haradinaj, por që në koalicion ishte edhe ish-partia e Hashim Thaçit, më 4 dhjetor 2017, Qeveria mori vendim të ri ku stadiumi u zhvendos në zonën ekonomike në Korroticë të Drenasit. Propozimi i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit atëkohë, Kujtim Gashit, kaloi dhe më pas filluan procedurat.

U shpall edhe fituesi i projektit, që ishte kompania nga Turqia “Tabanloglu”, e cila mori 1 milion e 440 mijë euro për projekt, e ku e kreu edhe studimin e fizibilitetit.

Kjo kompani pati probleme me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit lidhur me kontratën e nënshkruar, e ku tatimet MKRS-ja i kishte marrë përsipër duke shkelur ligjet në Kosovë. Si rezultat i kësaj, kompania nga Turqia nuk e pagoi asnjë cent tatim në Kosovë nga shuma që ishte caktuar në kontratë.

Gabimi që është bërë në kontratë, siç kanë thënë në Ministrinë e Sportit, e dëmtoi buxhetin e shteti për rreth 150 mijë euro, duke llogaritur edhe shpenzimet përmbarimore, pasi pjesa e fundit u pagua përmes përmbaruesit.

Aktualisht flitet pak për stadiumin, për të mos thënë fare. Ndeshjet po luhen pa shikues, duke përfshirë ato të Kosovës. Por, nëse pandemia përfundon shpejt dhe Kosova kthehet te rezultatet e mira, atëherë stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë sërish i vogël për t’i zënë të gjithë të interesuarit. Dhe stadiumi kombëtar sërish do të shfrytëzohet për poenë politikë. Ndërkohë, momenti kur Kosova do të luajë në stadiumin e proklamuar gjatë duket shumë i largët.