Sport

Stadiumi i Drenicës në gjendje të mjerueshme

21 vjet pas luftës, 11 që nga shpallja e pavarësisë dhe gati katër vjet që nga pranimi i futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, infrastruktura vazhdon të mbetet pika më negative në futbollin kosovar.

Një nga arenat sportive me kushtet më të dobëta në Kosovë, është stadiumi “Bajram Aliu” në Skenderaj, që mban emrin e luftëtarit të UÇK-së, i cili humbi jetën gjatë luftës. Në këtë stadium ka pasur investime nga shteti, por stadiumi i klubit të Superligës, Drenica, vazhdon të ketë probleme të mëdha, raporton KOHA.

Fusha është ndër pikat më të dobëta të stadiumit në Skenderaj, sidomos kur ka reshje të shiut ose të borës.

Hiq më mirë nuk qëndron puna me tribuna, ku një pjesë e tribunës kryesore ka ulëse që janë pjesë e donacionit “Rasunda” nga Suedia, të cilin e kishte sjellë Albert Bunjaki.

Por gjendja më e keqe është në zhveshtore. Pjesa ku është e vendosur skuadra vendase qëndron diçka më mirë, kurse e mysafirëve nuk do shumë koment. Në kushte të ftohta atmosferike, lojtarët mysafirë duhet të ngrohen me këtë ngrohëse elektrike.

Se gjendja është e mjerueshme në këtë arenë të futbollit, e pranon edhe kryetarja e Drenicës, Mihane Bekteshi-Kodra.

Bekteshi-Kodra thotë se qe 11 vjet nuk është investuar asnjë cent në “Bajram Aliu”. Por, ajo është optimiste se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do ta ndajë shumën prej 160 mijë eurosh gjatë këtij viti, pasi një gjë e tillë i është konfirmuar në vitin e kaluar.

Në Ministrinë e Sportit thonë se janë në dijeni për kushtet që ofron stadiumi në Skenderaj. Drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj, ka thënë se të gjitha investimet që janë bërë në stadiumin “Bajram Aliu” janë të Ministrisë së Sportit.

Ai garanton se gjatë këtij viti, Drenica do të marrë paratë që janë planifikuar nga MKRS-ja.

Drenica bën pjesë në Superligën e Kosovës në futboll. Së bashku me Prishtinën, “kuqezinjtë” nuk kanë rënë asnjëherë në Ligën e Parë.