Sport

“Sprinti final” i Prishtinës drejt titullit të shumëpritur

Skuadra e Prishtinës është afër ta fitojë titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në futboll, për herë të parë pas tetë vjetësh. Hera e fundit kur Prishtina e kishte fituar trofeun më të çmueshëm të futbollit kosovar ishte në edicionin 2012/2013.

Aktualisht “bardhekaltrit” renditen në vendin e parë. Pas 32 xhirove të zhvilluara Prishtina i ka 69 pikë, një më shumë se Drita që është e dyta dhe dy më shumë se Ballkani i vendit të tretë.

Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe katër xhiro. Menjëherë të mërkurën Prishtina do të takohet me Besën në ndeshjen e xhiros së 33-të. Në javën e 34-t, Prishtina do ta presë Feronikelin në kryeqytet, pastaj është mysafire e Gjilanit. Ndërkohë, në javën e fundit të kampionatit (36), kryeqytetasit do të jenë nikoqirë të Ballkanit në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, ka thënë për KOHËN se nuk ia kanë frikën askujt. Sipas tij, frikën te Prishtina ia kanë vetëm vetes. Prishtina tashmë e ka në dorë fatin e kampionatit.

“Mund të frikësohemi vetëm nga vetja, nga euforia e ekipit. Duhet të flasim me ekipin, sepse e kam potencuar gjithmonë se futboll pa presion nuk ka, por unë bashkë me kolegët e mi mundohemi ta menaxhojmë presionin dhe ai presion të mos shkojë direkt te futbollistët. Futbollistët e mi e dinë se çka iu them para ndeshjes. Iu them që të hyjnë dhe të ndiejnë kënaqësi brenda në lojë dhe të luajnë për të shënuar gjithmonë një gol më tepër, jo për t’u mbrojtur. Deri sot ka ecur mirë”, tha Ramadani.

Ai beson se me eksperiencën që kanë në skuadër, do të dinë ta menaxhojnë presionin në katër ndeshjet e fundit.

“Gjithë ajo luftë është bërë për të arritur deri te vendi i parë, duke u varur edhe nga rezultatet e rivalëve. Tani nuk varemi nga ta, por varemi vetëm nga vetvetja. Besoj që kemi mjaft eksperiencë brenda ekipit, kemi futbollistë që kanë dalë kampion dhe besoj që mund t’i menaxhojmë këto katër ndeshjet e radhës, ashtu siç na ka hije dhe mos ta lëshojmë nga duart një sukses që i mungon Prishtinës qe shtatë apo tetë vjetet e fundit”, u shpreh trajneri i Prishtinës.

Ramadani insiston se skuadra që ai drejton me plot meritë është në vendin e parë. Ai foli edhe për mënyrën e eliminimit nga Kupa, ku Prishtina mori shumë kritika. Ramadani e pohon se Kupa asnjëherë nuk ka qenë objektiv.

“Unë kur jam takuar me drejtuesit e klubit për të marrë drejtimin e Prishtinës është diskutuar vetëm titulli. Nuk kemi folur për Kupë. Kam deklaruar se nuk jemi të interesuar për Kupë, pas rezultatit të parë ndaj Llapit ku humbëm 3:2 dhe përgjegjësitë maksimale i kam marrë unë që të përkushtohem vetëm në kampionat. Besoj që kam pasur të drejtë. Synimi ynë që nga fillimi ka qenë titulli i kampionit dhe mendoj që jemi me plot meritë në vendin e parë. Besimi i madh që kemi pasur, ka bërë që të arrijmë këtu. Nuk e kishim nisur mirë kampionatin, duke pësuar katër humbje në dhjetë xhirot e para, por ato do të na ndihmojnë në këto xhirot e fundit, pasi çdo pikë e lëshuar tani kushton”, përfundoi Ramadani.

Përderisa Prishtina është në kërkim të titullit të 11-të në histori të klubit dhe të parit pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, trajneri Zekirija Ramadani është në rrugë të mirë që të fitojë titullin e tretë në Kosovë si trajner me tri skuadra të ndryshime.

Trajneri nga Maqedonia e Veriut e ka fituar titullin me Trepçën ’89 në vitin 2017 dhe Feronikelin në vitin 2019.