Sport

Sportistët vlerësojnë nderimin që ua bën KOHA

Zijadin Kryeziu, Besnik Hasi, Kushtrim Munishi, Luan Krasniqi, Afrim Latifi, Kaltrinë Krasniqi, Besire Domaniku. Pastaj Majlinda Kelmendi, Habib Ademi, Daulina Osmani, Arben Muqolli, Visar Berisha, Nora Gjakova, Shpëtim Idrizi, Dardan Berisha, Herolind Nishevci, Akil Gjakova, Loriana Kuka, Vedat Muriqi, Distria Krasniqi, Amir Rrahmani.

Janë këta sportistët që kanë fituar çmimet kryesore në ceremonitë e KOHËS për shpalljen e më të mirëve. Lista e atyre që kanë pranuar çmime nga KOHA është dukshëm më e gjatë. KOHA ka nderuar dhe nderon sportistët që me suksese janë veçuar gjatë një viti kalendarik.

Të mërkurën (sot) KOHA për herë të 23-të shpall më të mirët e vitit në sportin kosovar. Ceremonia mbahet prej orës 18:00 në hotelin “Emerald”, ndërsa transmetohet në KTV në orën 21:20. KOHA ka traditën më të gjatë të shpalljes së më të mirëve në sport. Së pari më të mirët i kishte shpallur në vitin 1997. Çmimi kryesor i kishte takuar atletit Zijadin Kryeziu. Tradita vazhdoi pas luftës, në vitin 2000, për të mos u ndalur më. Vjet fitues ishin Distria Krasniqi e Amir Rrahmani.

Sportistët vazhdimisht kanë vlerësuar faktin se fillimisht gazeta “Koha Ditore” e më pas KOHA si shtëpi mediale kanë shënuar suksesin e tyre.

“Është një ndjenjë e veçantë për mua që KOHA çdo fundvit më kthen prapa në kohë dhe më kujton vitin 1997, kur KOHA filloi me organizimin e zgjedhjes së sportistit të vitit. Vitet ‘90 ishin të vështira për sportin, plot sfida, pengesa e maltretime nga regjimi serb. Por ne nuk u ndalëm asnjëherë, sepse dëshira për të qenë të barabartë me të gjithë sportistët e botës ishte kalitur në mendjet tona. Nuk ka qenë fare e lehtë. Tani është e paimagjinueshme kur u tregon të rinjve që shpesh kemi kaluar kufijtë ilegalisht për të bërë një garë. Por edhe aktivitetet në Kosovë kanë qenë me plot sfida, duke kaluar nëpër punkte policore dhe rrallëherë pa u maltretuar. Gjithë këto kujtime na bëjnë të ndihemi mirë”, ka thënë Zijadin Kryeziu, fituesi i parë i çmimit “Sportisti i Vitit”.

“Pikërisht para 24 vjetësh kisha fatin të pranoja çmimin ‘Sportisti i Vitit’, me rrathët olimpikë, ëndërr e të gjithë sportistëve që një ditë edhe ne të jemi në familjen olimpike. Uroj të gjithë fituesit për sukseset dhe çmimet e fituara. Urime edhe për trajnerët e tyre duke dëshiruar suksese të reja”, ka shtuar Kryeziu, tani trajner i suksesshëm në klubin e atletikës Rogana.

Edhe trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka çmuar traditën e KOHËS për të shpallur më të mirët. Sipas Kukës, është me shumë rëndësi kur mediat i përkrahin sportistët kur ata kanë nevojë për përkrahje e promovim. KOHA shumë herë ka shpërblyer me çmime veprën e madhe të Kukës.

“KOHA ka traditë të gjatë për shpalljen e më të mirëve në sport. Është traditë me shumë vlerë. Për të gjithë sportistët është e rëndësishme që në fund të vitit t’iu pranohet merita për sukseset e arritura me shumë mund”, ka thënë Kuka.

Sportistë të tjerë do të shpërblehen të mërkurën mbrëma nga KOHA. Do të ndahen çmime në gjashtë kategori: sportisti më i mirë i vitit, sportistja më e mirë e vitit, sportisti i ri më i mirë i vitit, sportistja e re më e mirë e vitit, klubi më i mirë te meshkujt dhe klubi më i mirë te femrat. KOHA ndan edhe disa çmime të veçanta. Konkurrenca është shumë e fortë në secilën kategori, si dëshmi që 2021-ta ishte vit i suksesshëm për sportin kosovar në përgjithësi.