Është bërë gati një muaj prej se janë pezulluar aktivitetet sportive në vend. Nuk ka një datë se kur do të vazhdojnë garat sportive, ndërsa sportistët ka kohë që kanë filluar t’i ndiejnë pasojat e koronavirusit.
Një pjese të sportistëve u janë përgjysmuar pagat e shumë të tjerë nuk do të paguhen fare për periudhën pas 13 marsit, kur zyrtarisht janë pezulluar aktivitetet sportive në vend.
Kjo bënë që shumë sportistë në Kosovë të shpresojnë për të përfituar financiarisht nga fondi prej 5 milionë eurove që ishte thënë se do të ndahet për kulturë dhe sport, si pjesë e Pakos Emergjente Fiskale, të miratuar nga Qeveria e Kosovës më 30 mars.
Në një prej pikave të Pakos Emergjente Fiskale shkruan: Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për evitimin e situatës së krijuar nga situata e emergjencës së shëndetit publik në aktivitetet sportive dhe kulturore, në vlerë prej pesë milionë (5,000,000.00 €) euro”.
Që më 27 mars, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte njoftuar se do të themeloj grupin e punës për ndërtimin e planit emergjent, që përfshinë masat e nevojshme për të ndihmuar dhe mbështetur sektorët që i mbulon MKRS-ja.
“Grupi i punës do t’i propozojë kriteret e reja për përfitimin e fondeve konform pakos emergjente. Sipas pakos, për të ndihmuar këto kategori do të rritet për 5 milionë euro buxheti i MKRS-së, shumë kjo që do të përdoret për subvencionimin shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit”, thuhet në vendimin e MKRS-së.
Përmendja e 5 milionëve ka krijuar shpresa të mëdha te një pjesë e sportistëve, por askush nuk e di saktë sa në të vërtetë do të përfitojnë sportistët e madje nëse do të përfitojnë ata nga Pakoja Emegjente, raporton Koha.net.
Nga MKRS-ja kanë dhënë fare pak informata. Ndër të tjera nuk dihet se cila do të jetë shuma për sportin dhe sportistët. Ka mungesë informatash edhe për atë se prej nga do të sigurohen këto pesë milionë euro dhe nëse do të duhet të hiqet dorë nga projekte për sportin për të siguruar këtë shumë.
Drejtori i Departamentit të Sportit të MKRS-së, Ibër Alaj ka thënë të enjten mbrëma për Koha.net se “në momentin e alokimit të buxhetit në MKRS, sipas procedurave të Ligjit të Buxhetit 2020, do të përcaktohet vlera buxhetore për mbështetjen e organizatave sportive, të cilat janë të licencuara në MKRS”.
MKRS-ja këtë javë ka nënshkruar memorandume me federata sportive, në bazë të kategorizimit. Kjo vlerësohet se nuk ka të bëjë me Pakon Emergjente.
“Secila organizatë sportive që ka staf me kontrata pune dhe kalon nëpër vështirësi si rezultat i masave që ka ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës, të gjitha federatat e sportit, mund të përfitojnë nga masat e pakos emergjente. MKRS-ja do të koordinohet me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe federatat sportive që të përcaktojë kriteret për përfituesit e kësaj pako, duke caktuar buxhetin për çdo federatë sipas kategorizimit të sporteve”, ka theksuar Alaj. “Duke ditur që në pajtim me Ligjin e Sportit, KOK-u dhe federatat funksionojnë si organizata joqeveritare të licencuara në MKRS, kjo nuk vlen për ato organizata sportive (klube) që janë si OJQ, klube private apo me aksionarë, që janë në administrim të komunave përkatëse, që në këtë periudhë pandemie kanë përjetuar ulje të të hyrave si pasojë e ndalimit të aktiviteteve sportive”.
Alaj ka thënë se me buxhetin e ndarë brenda Ministrisë, në bazë të kritereve do të mbështeten klubet, sportistët, trajnerët, administratorët.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka thënë se para shpërndarjes së mjeteve, duhet vlerësuar pasojat nga pezullimi i garave dhe aktiviteteve në aspektin material.
“Pastaj duhet të caktohen kriteret për ndarjen e tyre për sportistët, trajnerët dhe zyrtarë tjerë që kanë qenë të varur nga pagat, si rezultat i angazhimit në sport”, ka thënë Hasani për Koha.net.
Në Maqedoni të Veriut janë përcaktuar kriteret se si sportistët dhe punëtorët sportivë mund të përfitojnë. Për Kosovë kjo duket ende pak e largët. Ndërkohë në Shqipëri, Federata e futbollit ka paraparë të ndajë nga 235 euro në muaj për lojtarë, trajnerë e zyrtarë tjerë, nëse ata nuk kanë të hyra të tjera pos atyre nga futbolli.