Sport

Solomon, i gatshëm që me gola ta ndihmojë Ballkanin të shpallet kampion

Prej katër fitoreve në gjashtë ndeshjet e fundit të Ballkanit në Superligë, tri i ka siguruar sulmuesi nga Nigeria, Theophilus Solomon, me golat që i ka shënuar.

Ballkani është kthyer në pozitën e parë në tabelë falë golit të vetëm që Solomon e shënoi ndaj skuadrës së Feronikelit, të dielën. Aktualisht Ballkani i ka 30 pikë, një më shumë se Gjilani që zë vendin e dytë dhe dy më shumë se Drita që renditet e treta.

Për Solomonin goli i shënuar ndaj Feronikelit ishte i katërti këtë edicion me fanellën e Ballkanit. Ai katër gola i ka shënuar në tri ndeshje që ekipi nga Suhareka ka fituar. Golin e parë në elitën e futbollit kosovar, Solomon e shënoi në fitoren 2:0 ndaj Prishtinës, në xhiron e 11-të, për të vazhduar me dy gola në triumfin kundër Dritës (2:0) në xhiron e 13-të. Pas golave në ndeshjet e fundit, Solomon beson se do të vazhdojë me këtë formë deri në fund të edicionit. Synimi i tij është ta fitojë titullin e kampionit me Ballkanin, i cili do të ishte i pari në histori të klubit.

“Synimi im këtë edicion është që ta fitojmë titullin e kampionit dhe vetëm kjo më intereson. Kështu që në secilën ndeshje do të mundohem që me gola ta ndihmojë ekipin për të fituar. Nuk më intereson nëse shpallem apo jo golashënuesi më i mirë, thjesht dua ta shoh veten duke e ngritur lart trofeun e kampionit”, është shprehur Solomon të hënën për KOHËN.

“Jo vetëm unë por të gjithë në klub, përfshirë trajnerin dhe lojtarët, po luftojmë për ta arritur këtë synim. Ne duhet të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të mos ndalemi. Jemi në vendin e parë dhe duhet ta mbajmë atë, përkundër ndeshjeve të vështira që na presin”.

Solomon iu bashkua Ballkanit pak para fillimit të edicionit dhe në katër ndeshjet e para nuk u aktivizua fare. Ai debutoi në triumfin 2:0 kundër Llapit në xhiron e pestë, ndeshje në të cilën luajti vetëm dhjetë minuta. Prej xhiros së shtatë Solomon ka qenë titullar i padiskutueshëm te Ballkani ku ka luajtur gjatë tërë kohës, me përjashtim të dy ndeshjeve kur u zëvendësua në minutat e fundit.

“Unë erdha te Ballkani me vonesë dhe për këtë arsye kisha nevojë për pak kohë që të adaptohem me stilin e lojës së ekipit dhe gjitha gjërat tjera. Tani jam përshtatur mirë dhe jam në formën time optimale. Kemi pasur rezultate të mira dhe duhet të vazhdojmë kështu”, shtoi Solomon.

Ai me Ballkanin ka kontratë deri në verën e vitit 2023 kurse ekipit kosovar iu bashkua nga Kuvajti, saktësisht klubi Qadsia SC. Solomon ka thënë se u transferua te Ballkani për ta rinisur edhe një herë karrierën gjatë të cilës ka luajtur edhe te Partizani i Tiranës, Partizani i Beogradit, Ujpesti (Hungari), Omonia Nicosia (Qipro) dhe pastaj në Kroaci, te skuadrat Inter Zapreshiq, Rijeka, Istra, Shibenik, Zara e Pomorac.

Me Parizanin e Beogradit, 25-vjeçari ka një titull të kampionit të fituar në ediconin 2017/18, ndërsa me Partizanin e Tiranës në edicionin 2019/20 e pati fituar Superkupën e Shqipërisë.

“Vendosa të vijë në Kosovë pasi agjenti më tha që është një mundësi e mirë për të filluar. Para se të pranoja kushtet, i shikova disa prej ndeshjeve të Ballkanit dhe kuptova se bëhet fjalë për një ekip me ambicie të mëdha. Kështu që nuk hezitova aspak për të ardhur në Superligën e Kosovës”, thotë Solomon. “Kampionati kosovar është shumë më i mirë dhe më cilësor sesa që e kam pritur. Të gjitha ndeshjet janë të forta dhe të vështira dhe disa ekipe luftojnë për titull”.