Prishtinë, 9 mars – Gjilani nuk po kalon momente të mira në stinorin pranveror. Gjilanasit nuk e kanë shënuar asnjë fitore në pjesën e dytë të kampionatit. Katër barazime dhe një disfatë, janë rezultatet e skuadrës së trajnerit Bylbyl Sokoli në Superligë.
Kësaj ecurie negative i kishte prirë eliminimi nga Kupa. Ishte Istogu i Ligës së Parë që mënjanoi Gjilanin me buxhet milionësh. Në total, në vitin 2021, “Skifterat” kanë dy humbje dhe katër barazime. Fitoren e fundit në kampionat Gjilani e ka shënuar kundër Ballkanit si mysafir me rezultatin e thellë, 4:0, më 19 dhjetor. Ishte ndeshje e mbetur.
Kalimi i Sokolit te Gjilani në fund të vitit të kaluar u prit me bujë të madhe te kampi gjilanas. Madje pritjet ishin se do të arrihet Evropa përmes kampionatit ose kupës. Megjithatë, trajneri Bylbyl Sokoli heziton të pranojë këtë fakt. Ai thotë për KOHËN se ka shkuar te Gjilani për të punuar dhe për të arritur rezultate pozitive.
“Te Gjilani kam shkuar të punoj dhe të jap maksimumin për arritjen e rezultateve sa më të mira”, u shpreh Sokoli, që është edhe profesor universitar i lëndës së futbollit. Ai e kishte zëvendësuar trajnerin nga Shqipëria, Gentjan Mezani. Punën te Gjilani e kishte nisur më 11 dhjetor.
Trajneri Sokoli ka deklaruar se në bazë të asaj që kanë treguar në fushë, nuk kanë merituar më shumë. Ai thotë se rezultatet janë reale.
“Ne bazë te asaj çka kemi treguar, rezultatet janë reale, nuk kemi merituar më shumë”, u shpreh Sokoli për KOHËN, të martën.
Ish-trajneri i shumë skuadrave në futbollin kosovar ka zbuluar problemin kryesor që ka Gjilani. Sipas tij, lëndimet e shumë lojtarëve kanë bërë që të mos arrihen rezultate të mira.
“Shumë lojtarë të lënduar gjatë këtyre pesë xhirove është problemi kryesor i Gjilanit”, u shpreh Sokoli.
Sokoli nuk ka dashur të komentojë vendimet e gjyqtarëve, ani pse në ndeshjen ndaj Arbërisë, kishte dyshime për golin e shënuar nga ekipi kundërshtar, gol që në fund doli të jetë i barazimit.
“Për gjyqtarët nuk mund të them asgjë, sepse duhet kërkuar gabimet dhe lëshimet në mesin tonë”, theksoi ai.
Sokoli nuk e di nëse do të jetë në krye të Gjilanit deri në fund të sezonit. Madje, ai thotë se nuk e di as se kur do të kthehen te rezultatet pozitive. Për derbin ndaj Dritës nuk e ka thënë asnjë fjalë.
“Se a do të jem apo nuk do të jem deri në fund të sezonit, në këtë moment nuk mund të them asgjë. Kemi shumë probleme me lëndime dhe në këtë moment nuk mund them se ekipi do t’u kthehet fitoreve pas katër barazimeve”, përfundoi Sokoli.
Përveç eliminimit nga Kupa në 1/8 e finales, Gjilani e ka humbur edhe hapin për të siguruar të paktën pozitën e dytë e cila garanton daljen në garat evropiane. Pas 23 xhirove të luajtura, “kuqebardhët” kanë 33 pikë dhe renditen në vendin e katërt. Kjo pozitë tani i rrezikohet nga Trepça ’89, e cila është e pesta me 31 pikë.
Përderisa në fillim synonte titullin dhe daljen në Evropë, tani Gjilani më afër e ka zonën që dërgon në Ligën e Parë sesa atë që çon në garat evropiane. Shtatë pikë është larg vendit të tetë që e mban Arbëria, pozitë që në fund dërgon në barazh. Prej vendit të dytë është 15 pikë larg. Në barazh Gjilani ishte në sezonin 2018/2019.
Derbi Drita – Gjilani luhet të enjten.