Sport

Softuerit për kontrollimin e biletave i ka skaduar afati, klubet fajësojnë FFK-në

Drita do ta zhvillojë ndeshjen e parë në Ligën e Konferencës kundër Deçiqit pa praninë e shikuesve në stadiumin “Fadil Vokrri”, të enjten.

Ani pse Qeveria e Kosovës ka lejuar praninë e shikuesve (15 për qind të kapacitetit të stadiumit), shkaku i një softueri që i ka skaduar afati dhe protokollit strikt të UEFA-s për koronavirus nuk do të ketë shikues në stadium.

Përveç Dritës, në garat evropiane paraqiten edhe Prishtina dhe Llapi. Të tri këto skuadra ndeshjet si vendase do t’i zhvillojnë në kryeqytet.

Prishtina përballet me Ferencvaroshin në kuadër të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, kurse Llapi luan ndaj Shkupit në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Prishtina të martën mbrëma humbi 3:0 në Hungari dhe e pret Ferencvaroshin pas një jave. Edhe Llapi ndeshjen e parë e luan në udhëtim, të enjten.

Softueri që kushton 10 deri në 12 mijë euro është i vendosur në stadium, por i ka skaduar afati. Përmes tij kontrollohen biletat e shikuesve që hyjnë në stadium.

Softueri paguhet çdo vit, mëson KOHA. Por që nga fillimi i pandemisë ndeshjet në Kosovë janë luajtur pa praninë e shikuesve dhe nuk është paguar licenca për vazhdimin e funksionimit të softuerit.

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka thënë për KOHËN se nuk qëndron problemi vetëm te softueri.

Salihut, FFK-ja e rregullon atë çështje pa asnjë telash, por ai thekson se kostoja e lartë financiare për klube është problemi kryesor.

“Softuerit që e kemi pasur në stadium i ka skaduar licenca, por ky nuk është telash, pasi ne e vazhdojmë pa asnjë problem. Kemi pasur marrëveshje me një kompani austriake. Problemi qëndron te kostoja e madhe financiare për klubet nëse vendosin të luajnë me shikues. Një biletë për t’u shtypur kushton 2-3 euro. Duhet ta ketë secila biletë kodin e veçantë, pastaj duhet të lajmërohet secila biletë që është shtypur. Duhet që stadiumi të dezinfektohet brenda dhe jashtë. Ka edhe gjëra të tjera që duhet të kryhen dhe kjo iu kushton klubeve”, tha Salihu.

Ai shtoi se FFK-ja është e gatshme t’u ndihmojë klubeve. Kurse sa i përket softuerit, theksoi se do të jetë i gatshëm pasi në shtator do të ketë ndeshje ndërkombëtare.

“Sigurisht ne jemi të gatshëm t’iu ndihmojmë klubeve sa i përket softuerit. Ne edhe ashtu do ta rregullojmë softuerin, pasi kemi ndeshje në shtator dhe ajo çështje do të kryhet. Nuk e di a do të luhen pa shikues edhe ndeshjet e Prishtinës dhe Llapit si vendas, klubet duhet të shohin se a mund ta përballojnë koston dhe a do të mund ta përmbushin protokollin e UEFA-s për koronavirus, pasi nëse nuk shkon gjithçka si duhet, nuk është mirë pastaj”, u shpreh Salihu.

Ejupi fajëson FFK-në për softuer

Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, ka deklaruar për KOHËN se problemi i vetëm qëndron te softueri, i cili i takon FFK-së që e ka marrë përsipër mirëmbajtjen e tij.

Ejupi thotë se nëse nuk rregullohet kjo çështje, do të jetë dështim i madh.

“Problemi qëndron vetëm te softueri. Nëse i ka skaduar licenca, duhet të vazhdohet nga ata që kanë marrë përgjegjësi për mirëmbajtjen e softuerëve, ledave dhe marketingut në stadium. Ne jemi të gatshëm si klub që ta përmbushim protokollin e UEFA-s anti-COVID-19. Nëse ndeshja zhvillohet pa praninë e shikuesve, do të jetë dështim i madh i të gjithëve. Një vit po luajmë për të arritur këtu dhe do të ishte dështim nëse nuk janë tifozët në stadium”, tha Ejupi.

Ai kërkon nga Qeveria e Kosovës që të rrisë në 30 për qind të kapacitetit praninë e tifozëve në stadium. Sipas Ejupit, futbolli është dëmtuar dhe nëse nuk ka mbështetje do të jetë rrezik.

“Si klub kërkojmë mbështetjen edhe të Ministrisë së Sportit, Federatës së Futbollit dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Kërkojmë nga shteti ynë që të paktën 30 për qind e stadiumit të lejohet të shfrytëzohet nga tifozët. Duhet të kemi mbështetje prej shtetit, pas një periudhe të vështirë që kemi kaluar gjatë pandemisë. Futbolli është dëmtuar dhe do të jetë e vështirë, nuk e di si do të ia dalim nëse nuk kemi mbështetje të shtetit”

Batatina: Po thonë që softuerit i ka skaduar afati

Llapi e pret Shkupin në ndeshjen e kthimit të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Ndeshja do të zhvillohet më 15 korrik.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka kërkuar nga Federata e Futbollit e Kosovës që ta paguajë softuerin, kurse shpenzimet e tjera thotë se do t’i marrë përsipër klubi llapjan.

“Po thonë që softuerit i ka skaduar afati dhe kjo aspak nuk është në rregull. Ne si klub do të bëjmë kërkesa në UEFA dhe në FIFA që të na lejohet shtypja e biletave mekanike dhe jo elektronike. Kërkoj nga Federata e Futbollit që ta rregullojë softuerin, kurse shpenzimet e tjera i mbulojmë ne si klub. E di që mund të jemi edhe minus, por ne do ta kryejmë punën tjetër. Edhe 3 apo 5 euro nëse kushton shtypja e biletës, ne do ta shtypim. Nëse e kalojmë Shkupin, ne e presim Santa Claran dhe paramendo të luhen të dyja ndeshjet pa shikues, kjo është e papranueshme”, deklaroi Batatina.

Sipas tij, pa shikues nuk luhet futboll. Sikurse Remzi Ejupi, edhe Batatina kërkon që të lejohen tifozët në 30 për qind të stadiumit.

“Pa shikues nuk luhet futbolli. Unë do të bëj të pamundurën që në ndeshjen ndaj Shkupit t’i kemi të paktën 2040 shikues. Por, i bëj thirrje edhe Ministrisë së Shëndetësisë që të rrisë numrin e shikuesve në 30 për qind të kapacitetit të stadiumit. Kjo do të na ndihmonte që t’i mbulonim shpenzimet, pasi Llapi ka shumë shikues. Nëse nuk lejohen shikues, atëherë ky do të ishte dështimi më i madh. Ne vetë po i humbim shikuesit dhe donatorët”, deklaroi Batatina.

Llapi dhe trajneri Tahir Batatina do të debutojnë në garat evropiane në duelin ndaj Shkupit.

Tashmë është zyrtare se ndeshja ndërmjet Dritës dhe Deçiqit do të luhet pa shikues shkaku i problemeve që janë shfaqur me softuer.

Drejtori i përgjithshëm i Dritës, Feti Murseli, tha se pavarësisht përpjekjeve që ndeshja ndaj Deçiqit të luhet me tifozë, nuk ia kanë dalë.

“Ne jemi munduar dhe e kemi bërë maksimumin që ndeshja të luhet me shikues, por ka qenë e pamundur. Është e sigurt që ndeshja do të luhet pa shikues. Në stadium mungon një softuer përmes të cilit kontrollohen të gjitha biletat. Ai kushton 10 deri në 12 mijë euro, por shuma nuk ka qenë problem. Problemi ka qenë me kohën, pasi duhen 3-4 ditë derisa të vendoset. Po ashtu edhe UEFA e ka protokollin strikt për COVID-19”, tha Murseli.

Ai e pranon se mungesa e tifozëve “Intelektualët” do të jetë e madhe, por premton se nëse kalojnë në rrethin e dytë do të bëjmë maksimumin që ndeshja të luhet me shikues. Murseli thotë se as Prishtina e Llapi nuk e kanë të sigurt se ndeshjet do të zhvillohen me praninë e tifozëve.

“Është shumë keq për klubin tonë që ndeshja do të luhet pa shikues. Ne do të bëjmë të pamundurën që nëse e kalojmë këtë fazë, në raundin tjetër ‘Intelektualët’ të kenë mundësi të jenë në stadium për ta përkrahur ekipin. Sigurisht kosto do të jetë e lartë, por do ta realizojmë. As Prishtina e as Llapi nuk mund të luajmë me shikues nëse nuk vendoset softueri në stadium. Protokollet e UEFA-s për koronavirus janë të njëjta. Sidomos për vendet e rajonit janë më strikte. Ne jemi të gatshëm që të participojmë me klubet e tjera dhe ta rregullojmë këtë çështje”, shtoi Murseli.

Sipas protokollit të UEFA-së, pika 6.1, secila biletë duhet të jetë e personalizuar, kurse pika 12.2 obligon secilin tifoz që të testohet dhe të dëshmojë që 14 ditë para ndeshjes nuk ka qenë i infektuar me COVID 19.