Skuadra e Slavia Pragës synon dy fitore në dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës. Me gjashtë pikë prej këtyre përballjeve, Slavia do ta siguronte avancimin nga Grupi G. Kështu ka insistuar trajneri i ekipit nga Çekia, Jindrich Trpishovsky, të mërkurën në konferencën për shtyp para duelit ndaj Ballkanit. Megjithatë, ai ka thënë se ekipi i tij është i fokusuar fillimisht ta mposhtë Ballkanin dhe pastaj të mendojë për triumfin ndaj Sivassporit në ndeshjen e fundit që luhet javën e ardhshme.
Dueli mes Ballkanit dhe Slavias zhvillohet të enjten prej orës 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon xhiros së pestë të fazës së grupeve. Aktualisht Slavia dhe Ballkani kanë nga katër pikë të tubuara dhe ndajnë pozitat tre dhe katër në tabelën e Grupit G. Trpishovsky ka pranuar se ndeshja kundër Ballkanit nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi ka vlerësuar lart kampionin në fuqi. Në duelin e luajtur në Çeki, Slavia pati fituar 3:2 por Ballkani dy herë ishte në epërsi.
“Jemi të fokusuar që të fitojmë të dyja ndeshjet dhe të marrim gjashtë pikë. Hapi i parë na pret ndaj një kundërshtari për të cilin kam shumë respekt, gjë që e thashë edhe para ndeshjes së parë dhe e konfirmuan edhe në grup. Duhet ta menaxhojmë lojën dhe të fitojmë për të mbajtur shansin tonë deri në ndeshjen e fundit”, tha ai, duke shtuar se pret sistem të njëjtë loje nga Ballkani edhe në Prishtinë.
“Mendoj se stili i lojës do të jetë i ngjashëm, sepse ata luajtën të gjitha ndeshjet në grup kështu. Nga një mbrojtje e sigurt, Ballkani ka shumë lojtarë që vrapojnë pas topit. Ata duan të hapin hapësirë për kundërsulme të shpejta, që u pa edhe në ndeshjen e parë kundër nesh. Ka lojtarë shumë të shpejtë në transicion”.
Ai ka vajtuar mungesat e shumta, por ka thënë se ka lojtarë që mund t’i zëvendësojnë ata pa problem. Slavia ka udhëtuar pa shtatë lojtarë të ekipit të parë, të cilët janë të lënduar. Ndërsa i është gëzuar përkrahjes së tifozëve të ekipit, të cilët do të jenë në tribunat e stadiumit. Rreth 200 tifozë çekë priten në “Fadil Vokrri”. Ata do të vijnë me një fluturim çarter.
“Do të na mungojnë ata, por nga ana tjetër kemi mjaft lojtarë që mund t'i zëvendësojmë”, shtoi Trpishkovsky. “Është e admirueshme që edhe në javën e punës të mbahet një ngjarje e tillë dhe të vijnë njerëz. Jemi shumë të lumtur për këtë. Shpresojmë t'i kënaqim me paraqitjen tonë në fushë. Shpresojmë se do t'ua shpërblejmë atyre besimin që na ndjekin dhe do të luajmë sikurse kohët e fundit që kemi luajtur”.
Për dallim prej trajnerit, mesfushori David Doudera ka insistuar se Slavia do të bëjë çdo gjë për ta fituar ndeshjen ndaj Ballkanit. Ai ka thënë se atmosfera në ekip është shumë e mirë, sidomos pas fitores së thellë fundjavën e shkuar në derbin kundër Spartës.
“Ne shikojmë veten, duhet të menaxhojmë dy ndeshje për të marrë pikët maksimale. Kjo është e vetmja gjë që mund të kontrollojmë. Vetëm pasi të kenë përfunduar të gjitha ndeshjet do të shohim se si ia dolëm”, tha ai. “Ballkani luan mirë dhe mban topin sa më shumë që të jetë e mundur. Ka lojtarë të zgjuar, por ne do të bëjmë gjithçka për të fituar”.
Slavia të mërkurën mbrëma ka mbajtur stërvitjen e fundit në stadiumin “Fadil Vokrri” para ndeshjes me Ballkanin, të cilën e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme për të avancuar nga grupi.