Te skuadra elitare e Kroacisë, Slaven Belupo, i janë gëzuar rikthimit të mbrojtësit Bujar Pllana në stërvitje. Pllana të enjten ka stërvitur me pjesën tjetër të ekipit pas një kohe të gjatë. Pllana qëndroi për gati katër muaj jashtë fushe për shkak të lëndimit të shpatullës që e pësoi gjatë fazës përgatitore tek ekipi kroat. Pas rikthimit në stërvitje, Pllana pritet të jetë së shpejti në dispozicion të trajnerit Roy Fereçina për ndeshjet kampionale. Ai do të jetë kandidat për të luajtur në momentin që ta kthejë formën fizike pasi lëndimi ia pamundësoi ta ndihmonte ekipin e tij në ndeshjet e para të këtij edicioni. Në fakt Pllana u dëmtua në ndeshjen kontrolluese ndaj Dinamo Bukureshtit të Kroacisë gjatë fazës përgatitore të Slaven Belupos.
“Bujar Pllana mbërriti në Slaven Belupo këtë verë, por që në fillim pësoi një dëmtim të rëndë në shpatull në një ndeshje miqësore me Dinamon rumune. Sot, pas një rikuperimi që zgjati gati katër muaj, ai iu bashkua bashkëlojtarëve dhe bëri stërvitjen e parë nën drejtimin e trajnerit Ferençina. Mbrojtësi i Kosovës e ka përpara një proces stërvitor në të cilin duhet të rikthejë gjendjen fizike në nivelin e duhur, pas së cilës do t'i kthehet konkurrencës për ndeshje”, ka shkruar Slaven Belupo në njoftim.
21-vjeçari Pllana iu bashkua skuadrës kroate në afatin kalimtar të verës pas paraqitjeve të mira që i tregoi sezonin e shkuar me fanellën e Prishtinës. Pllana me Slaven Belupon firmosi kontratë trevjeçare dhe transferimin në futbollin kroat e vlerësoi si hap të madh në karrierë. Pllana si futbollist është zhvilluar te Trepça ’89, ndërsa ka luajtur edhe për Feronikelin, përpara se t’i bashkohej Prishtinës në janar të vitit të shkuar. Pas një sezoni e gjysmë te Prishtina, Pllana vendosi që karrierën ta vazhdonte te Slaven Belupo, por që ende nuk e ka regjistruar asnjë ndeshje zyrtare. Në Superligën e Kosovës, Pllana në total ka regjistruar 76 paraqitje, ndërsa ka shënuar 4 gola dhe ka bërë 3 asistime. Ka luajtur katër ndeshje për Kosovën U19, ndërsa i ka edhe tri paraqitje me ekipin U21. Krahas Pllanës, te Slaven Belupo janë edhe Arbër Hoxha e Florian Kamberi. Ky i fundit u prezantua të mërkurën te skuadra kroate me të cilin firmosi deri në fund të këtij edicioni dhe u transferua si lojtar i lirë. Ndërkohë Arb Manaj muaj më parë u largua nga Slaven Belupo për t’iu bashkuar Ballkanit të Suharekës. Pas 11 ndeshjeve të luajtura këtë edicion në kampionatin e Kroacisë, Slaven Belupo ka tubuar 12 pikë dhe zë vendin e 8-të në tabelë.