Sport

Skuadrat kosovare përballen me skuadra të njohura në Antalia

Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, është përballur me skuadra të njohura evropiane në dy paraqitjet në Ligën e Konferencës. Tjetër përballje me klub të njohur, Ballkani do të ketë në Antalia të Turqisë, në fazë përgatitore për stinorin pranveror.

Skuadra nga Suhareka një prej kundërshtarëve gjatë përgatitjeve në bregdetin turk do ta ketë ekipin e famshëm ukrainas, Dynamo Kyiv. Dynamo është klubi me më së shumti trofe të fituar në Ukrainë.

Ballkani nuk është skuadra e vetme e Superligës që do të përgatitet në regjionin e Antalias. Në Antalia më 20 janar do të luhet ndeshja për Superkupë të Kosovës. Do të përballen Ballkani dhe fituesja e Kupës, Prishtina.

Krahas Ballkanit, përgatitjet në Antalia do t’i zhvillojnë edhe Prishtina, Drita, Llapi, Gjilani, Malisheva, Feronikeli ’74, Dukagjini dhe skuadra e Ligës së Parë, Suhareka.

Drejt Antalias skuadrat kosovare udhëtojnë që nga 13 janari.

Me skuadër të elitës ukrainase do të përballet edhe Drita e Gjilanit. Një prej kundërshtarëve të Dritës do të jetë Chornomorets Odesa, që dy herë ka dalë nënkampion dhe tri herë ka zënë vendin e tretë në Ukrainë.

Edhe Llapi një prej përballjeve do ta ketë me skuadër elitare të Ukrainës. Vorskla Potlava do të testojë Llapin.

Malisheva e ka të konfirmuar miqësoren ndaj Obolonit ukrainas. Dy miqësore tjera i ka me skuadra nga Kazakistani.

“Qëndrimi në Antalia do të jetë nga 13 deri më 24 janar. Ne kemi filluar tashmë punën aty ku e kemi lënë. Presidenti Beqir Batatina së bashku me kryesinë u premtuan lojtarëve kushte të nivelit evropian, por po ashtu kërkuan punë, angazhim dhe sakrificë për ngjyrat e klubit. Lojtarët u shprehën të motivuar dhe premtuan luftë në fushë duke dhënë atomin e fundit për klubin. Para kryesisë shpalosa objektivin që kemi. Synimi jonë është të luftojmë deri në ndeshjen e fundit për ta sjellë në Podujevë titullin e parë në histori të klubit. Më 11 janar do ta kemi ndeshjen e parë kontrolluese ndaj Ulpianës dhe më pas do të udhëtojmë për në Antalia ku do t’i kemi katër ndeshje shumë të forta. Ndeshjet e Llapit mund t’i shohin të gjithë adhuruesit e futbollit dhe tifozët ‘Legjendat’”, ka thënë trajneri i Llapit, Tahir Batatina të dielën për KOHËN.

Prishtina në njërën prej tri ndeshjeve do ta ketë për kundërshtare skuadrën sllovene, Celje. Celje ka një titull të kampionit në Slloveni.

Kyzylzhari i elitës së Kazakistanit do të jetë një nga kundërshtarët e Gjilanit , derisa Feronikeli 74 do të përballet me Marisca Merschin e Luksemburgut.

Suhareka e Ligës së Parë do të përballet me Siofokun e Kategorisë së Dytë të Hungarisë, ndër të tjera.

“Gjithçka ka shkuar sipas planifikimit. Klubet e Kosovës do të kenë mundësi të përgatiten në kushte të mira në Antalia, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Po ashtu klubet e Kosovës do të kenë mundësi të luajnë miqësore ndaj skuadrave të njohura evropiane. Puna ka nisur muaj më parë, ndërsa tashmë janë finalizuar të gjitha sa i përket Ballkanit, Prishtinës, Dritës, Llapit, Gjilanit, Malishevës, Feronikelit 74 dhe Suharekës. Si agjenci ‘Fanatic Tour’ kemi organizuar qëndrimin edhe të disa klubeve tjera evropiane”, ka thënë Amir Prepolli, që ka disa vjet që aranzhon qëndrimin e skuadrave kosovare në bregdetin turk.

Dy skuadrat tjera të Superligës, Liria dhe Fushë Kosova ende nuk e kanë caktuar se ku do t’i vazhdojnë përgatitjet jashtë vendit.

Në fakt pos klimës më të përshtatshme dhe kushteve të mira për stërvitje e akomodim, skuadrat zgjedhin Antalian edhe për shkak të mundësisë për ndeshje stërvitore me skuadra nga vende të ndryshme.